Lajmet

Lajmet

Në MPB u mbajt ceremonia e hapjes së Zyrës Koordinuese për Forumet e Sigurisë

Prishtinë, 31 maj 2013 - Në Ministrinë e Punëve të Brendshme u mbajt ceremonia e hapjes së Zyrës Koordinuese për Forumet e Sigurisë në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike.

Në këtë ceremoni morën pjesë: ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, menaxheri i Programit të
Departamentit të Drejtësisë të Shteteve të Bashkuara në Kosovë (ICITAP), Darrel Hart, drejtori i Përgjithshëm i AKSP-së, Ismail Smakiqi, kryesuesi i misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Jean-Claude Schlumberger, si dhe zyrtarë të tjerë të lartë vendorë dhe ndërkombëtarë.

Ministri Bajram Rexhepi theksoi se hapja e Zyrës Koordinuese për Forumet e Sigurisë  synon zbatimin e suksesshëm të Strategjisë për policinë në bashkësi, e cila është në përputhje me Planin Zhvillimor Strategjik të PK-së 2011-2015.

“Kjo zyrë do të koordinojë punën e mëtejshme të mekanizmave të sigurisë në bashkësi në Kosovë dhe do të krijojë mjedis edhe më të sigurt për jetesë, për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, tha ministri Rexhepi.

Menaxheri i programit të ICITAP-it, Darrel Hart, tha se përmes programit të Policisë në Komunitet, ICITAP hartoi programin për Ekipet Vepruese për Siguri në Bashkësi (EVSB) qysh para dhjetë vjetësh.

“Tashmë janë 34 EVSB të themeluara të cilat kanë për qëllim që të identifikohen problemet e sigurisë në komunitet siç janë: ndalimin e rasteve të dhunës nëpër shkolla, përdorimit të drogës, parandalimit të vetëvrasjes, parandalimit të keqtrajtimit të fëmijëve dhe dhunës familjare, etj.”, tha Hart.

Ndërsa ambasadori i OSBE-së në Kosovë, Jean-Claude Schlumberger u shpreh i kënaqur me themelimin e kësaj zyre, e cila sipas tij tregon përpjekjet për të ndihmuar institucionet e Republikës së Kosovës që lidhen me zhvillimin dhe sigurinë në bashkësi.
 
Organizimi i forumeve të sigurisë është në tri nivele. Në nivelin bazë janë Komitetet  Lokale për Siguri Publike dhe Ekipet Vepruese për Siguri në Bashkësi, në nivelin komunal janë Këshillat Komunale për Siguri në Bashkësi dhe në nivelin e lartë është Grupi drejtues për implementimin e Strategjisë për Siguri në Bashkësi.
 

Drejtori Smakiqi priti një delegacion nga KFOR-i amerikan

Vushtrri, 21 maj 2013 - Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike Ismail Smakiqi, priti në takim një delegacion nga KFOR-i amerikan në Bonstill i udhëhequr nga kolonel Storey.
Smakiqi gjatë këtij takimi falënderoi shtetin amerikan dhe vlerësoi lartë kontributin e tyre për ndihmën e vazhdueshme që kanë dhënë në ndërtimin dhe ngritjen e institucioneve të sigurisë e në veçanti për Akademinë. Ai informoi delegacionin për procese të rëndësishme të cilat po kalon Akademia, për zhvillimin e trajnimeve si dhe për Projektin e Binjakëzimit të Komisionit Evropian i cili ka për mision ofrimin e arsimimit të lartë për agjencionet e sigurisë publike në vend.

Smakiqi theksoi se bashkëpunimi dhe ndihma e  shtetit amerikan për Akademinë është e nevojshme dhe shpresoj se ky bashkëpunim do të vazhdoj edhe në të ardhmen.
Ndërsa Kolonel Story, theksoi se trajnimi dhe ngritja e arsimimit, për pjesëtarët e sigurisë publike luan një rolë të rëndësishëm në sigurinë e përgjithshme jo vetëm për qytetarët e Republikës së Kosovës por edhe më gjerë. Ai inkurajoi Akademinë për punën e bërë deri me tani dhe shprehu gatishmërinë e bashkëpunimit edhe në të ardhmen.
 

Smakiqi vizitë zyrtare në Finlandë

Vushtrri, 03 maj 2013 - Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, Ismail Smakiqi i shoqëruar nga zyrtarë të lartë të AKSP-së dhe përfaqësues të agjencioneve të sigurisë publike, nga Dogana e Kosovës dhe Inspektoratit Policorë  kanë udhëtuar në vizitë zyrtare  në Finlandë dhe Estoni.
Kjo vizitë është duke u realizuar në kuadër të Projektit të Binjakëzimit të Komisionit Evropian e i cili është duke u implementuar nga po këto shtete, gjegjësisht nga ekspertë të Akademive përkatëse.
Gjatë kësaj vizite delegacioni vizitoi, Kolegjin Policor, Shkollën e Doganave dhe Institutin e Trajnimeve të Shërbimit të Burgjeve dhe Sprovues në Helsink, të cilët u pritën nga Drejtori i Trajnimeve, lideri i Projektit të Binjakëzimit Antti Haikio, si dhe këshilltari rezident i Projektit në AKSP,  Risto Honkonen. Ndërsa në Kolegjin e Doganave dhe Shërbimin Korrektues delegacioni u prit nga drejtorët, Hannu Lippa dhe Hannu Kiehela.
Në aktivitetet dy ditore të cilat zhvilluan në Finlandë, morën pjesë edhe ekspertë tjerë afatshkurtër, të cilët për më tepër se një vit po japin kontributin tyre në Projektin e Binjakëzimit, i cili si qëllim ka hapjen e Fakultetit të Sigurisë Publike në Akademi. Delegacioni pati rastin më për së afërmi të informohet lidhur me punën dhe misionin e këtyre institucioneve Trajnuese dhe Arsimore të ISP.
Krerët e këtyre institucioneve shprehën gatishmërinë e bashkëpunimit dhe ofrimin e eksperiencave të tyre më qëllim të arritjes së standardëve sa më të larta trajnuese dhe arsimore për Akademinë së Kosovës për Siguri publike.
 

Smakiqi vizitë zyrtare në Estoni

Vushtrri, 03 maj 2013 - Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike Ismail Smakiqi i shoqëruar nga zyrtarë të lartë të AKSP-së dhe përfaqësuesit e Agjencioneve të Sigurisë Publike, nga Dogana e Kosovës dhe Inspektoratit Policorë, vizituan Akademinë Estoneze të Sigurisë Publike.
Delegacioni nga AKSP dhe ASP u pritën nga Rektori i Akademisë së Estonisë dhe Shkencave të Sigurisë, Lauri Tabur si dhe zëvendësrektorja Krista Haak, e cila është njëherësh udhëheqëse e Komponentës së tretë të Projektit të Binjakëzimit. Në Talin, kryeqytetin e Estonisë, delegacioni  vizitoi, Drejtorinë e Shpëtimit, Drejtorinë e Policisë dhe Rojës Kufitare, Akademinë e Shkencave të Sigurisë si dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Në aktivitetet dy ditore në Estoni morën pjesë ekspertët afatshkurtër të angazhuar në realizimin e Projektit të Binjakëzimit, të cilët kryesisht janë personel i lartë menaxhues në këto institucione.
Rektori Tabur si dhe personeli menaxhues i institucioneve trajnuese dhe arsimore të zbatueseve të ligjit në Estoni shprehën gatishmërinë e bashkëpunimit të mëtejmë të dy Akademive të Sigurisë Publike.


 

Smakiqi priti një delegacion nga Finlanda

Vushtrri, 24 prill 2013 - Akademinë e Kosovës për Siguri Publike e vizitoi një delegacion nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Finlandës.

Delegacioni ishte i udhëhequr nga Marjo Anttoora, Sekretare e Shtetit të Finlandës .Qëllimi i këtij takimi ishte informimi më për së afërmi me misionin, aktivitetet si dhe me Projektin e Binjakëzimit të financuar nga Komisioni Evropian, i fituar nga Finlanda dhe Estonia e që ka të bëjë me përmirësimin e arsimimit të lartë në Akademi.
Drejtori Smakiqi, fillimisht i informoi delegacionin me punët dhe proceset e rëndësishme të cilat po kalon Akademia. Në veçanti ai foli për Projektin e Binjakëzimit, projekt mjaft i rëndësishëm për Akademinë, i cili ka për synim ngritjen dhe përmirësimin e cilësisë së arsimimit për të gjithë pjesëtarët e sigurisë publike në vend.
 Ai falënderoi shtetin e Finlandës dhe Estonisë që përmes eksperteve në fushën e arsimit po japin  kontributin e tyre profesional, në realizimin e këtij projekti.
Ndërsa Sekretarja e Shtetit  të Finlandës Marjo Anttoora, theksoi se ngritja e arsimimit, për pjesëtarët e sigurisë publike luan një rolë të rëndësishëm në sigurinë e përgjithshme jo vetëm për qytetarët e Republikës së Kosovës por edhe më gjerë. Ajo inkurajoi Akademinë për punën e bërë deri me tani dhe shprehu gatishmërinë e bashkëpunimit edhe në të ardhmen.

Drejtori Smakiqi u takua me kadetët e rinj të Policisë së Kosovës dhe Inspektoratit Policor të Kosovës

Vushtrri, 19 prill 2013 – Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës (AKSP), Ismail Smakiqi, të premten u takua me kadetët e gjeneratës së 45 të Policisë së Kosovës si dhe me pjesëtarët e rinj të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK). Gjatë  takimit drejtori Smakiqi i inkurajoj kadetët që ta kryejnë detyrën e tyre me ndershmëri, krenari dhe dinjitet, ashtu siç i ka hije një pjesëtari që është i thirru për zbatimin e ligjit në vend. Drejtori Smakiqi gjatë fjalimit të tij tha se AKSP ka bërë gjithçka që ka mundur, në mënyrë që trajnimi themelor të zhvillohet dhe të përfundojë me sukses të plotë. Ai tha se Akademia do të vazhdojë të kontribuoj në trajnimin e zbatueseve të ligjit, respektimit të rëndit dhe sigurisë në vend.
Smakiqi para studentëve ka folur edhe për projektin e binjakëzimit i cili ka për qëllim përmirësimin e arsimit në sektorin e sigurisë dhe rendit publik.
“Ndjekja e mësimit në AKSP dhe trajnimet që zhvillohen i bën kadetët garantues të respektimit të rendit dhe ligjit në Republikën e Kosovës”, tha Smakiqi.
 

Drejtori Smakiqi ka udhëtuar zyrtarisht në Arabin Saudite

Vushtrri 15 prill 2013 – Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike (AKSP), Ismail Smakiqi ka udhëtuar për një vizitë zyrtare në Riad të Arabisë Saudite, ku është duke marrë pjesë në konferencën vjetore të organizuar nga Asociacioni Ndërkombëtar i Akademive Policore (INTERPA). Tema kryesore në këtë konferencë është “Çështja e edukimit bashkëkohor në polici, trajnimet dhe hulumtimet”.
Në këtë konferencë janë duke marrë pjesë 34 vende anëtare të INTERPA-së si dhe vende të reja që janë kandidate për anëtarësim në këtë organizatë.
Drejtori Smakiqi, i shoqëruar nga Avni Istrefi, udhëheqës i Zyrës për Marrëdhënie me Jashtë, përveç pjesëmarrjes në sesionet plenare dhe punëtoritë e konferencës, do të takohen edhe më udhëheqësit e Akademive policore të vendeve anëtare të INTERPA-së ku temë diskutimi do të jetë rritja e bashkëpunimit mes Akademisë së Kosovë për Siguri Publike dhe Akademive Policore që janë anëtare të kësaj organizate. Në konferencë do të mbaj takim Bordi Ekzekutiv si dhe Këshilli i Përgjithshëm i Organizatës INTERPA, ku do të merren vendime, ndër të tjera edhe vendimi për takimin e radhës.

Drejtori Smakiqi u takua me ambasadorin Boja

Vushtrri 15 prill 2013 - Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike (AKSP) u prit nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Arabin Saudite Rexhep Boja.
Ambasadori është shprehur i kënaqur për vizitën e drejtorit Smakiqi duke vlerësuar se pjesëmarrja e Kosovës në konferencën e dytë vjetore të organizuar nga INTERPA është mjaftë e rëndësishme, aq më parë në një konferencë e cila ka të bëjë me fushën e sigurisë publike. Të dyja palët shfaqen shpresën se konferenca do të shfrytëzohet edhe për afirmimin e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike në qarqet e Akademive Policore të Botës.
Ndërkaq drejtori i AKSP-së, Ismail  Smakiqi e njoftoi ambasadorin me rrjedhat në Akademi, sidomos me Projektin e Binjakëzimit i cili ka të bëjë me hapjen e Fakultetit të Shkencave të Sigurisë, si dhe Institutit për Hulumtim.
Në takim morri pjesë edhe ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Riad Saimir Bala.


 

Në Akademi filloi trajnimi bazikë i gjeneratës së 45-të të Policisë së Kosovës

Vushtrri, 15 prill 2013- Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, sot filloi trajnimi bazikë i gjeneratës së 45-të, të Policisë së Kosovës. Gjithashtu sot trajnimin bazikë filluan edhe pjesëtarë të Inspektoratit Policorë të Kosovës
Kadetët e rinj do të trajnohen sipas plan programeve të dizajnuara në bazë të standardëve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe sundim të ligjit. 
Përfaqësuesi i Policisë së Kosovës në Akademi, nënkolonel Driton Zabergja i përshëndeti dhe iu uroi suksese kadetëve, gjithashtu ai inkurajoi kadetët që të japin maksimumin nga vetja e tyre dhe të gjithë trajnimin bazik ta përfundojnë me sukses.
“Zgjedhja juaj është një fillim i ri për ju, për Policin e Kosovës dhe Inspektoratin Policor të Kosovës, dy organizata të cilat posedojnë vlera të rëndësishme si institucione ma te besueshme nga qytetaret e Republikës së Kosovës në sundimin e ligjit”, tha Zabergja.
Trajnimi do të zgjasë 26 javë dhe do të marrin pjesë 136 kadet të Policisë së Kosovës dhe 14 pjesëtarë të Inspektoratit Policor të Kosovës.


 

 

Studentët e Akademisë Mbrojtëse të Holandës vizituan Akademinë

Vushtrri, 10 prill 2013 – Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), sot e vizituan një grup studentësh nga Akademia Mbrojtëse e Holandës ku u priten nga Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë, Ismail Smakiqi.
Drejtori Smakiqi i informoi studentët lidhur me aktivitete dhe trajnime që zhvillohen në Akademi. Ai para studentëve foli edhe për prioritet dhe objektivat e Akademisë në të ardhmen.
Ndërsa studentët bënë prezantimin e tyre rreth rolit të Bashkimit Evropian në Kosovë.  Gjatë kësaj kohe u shkëmbyen edhe përvoja dhe ide në qëllimet e përbashkëta dhe në gjërat që mund të mësohen nga të dyja institucionet arsimore.

Studentët u ndanë të kënaqur me vizitën si dhe vlerësuan lartë punën të cilën e bënë Akademia në trajnimin e pjesëtarëve të sigurisë publike.

 

Udhëheqësi i Departamentit për Çështje të Sigurisë pran Zyrës së Kryeministrit Turk, Ahmet Dogan vizitoi Akademinë

Vushtrri, 10 prill 2013- Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, Ismail Smakiqi priti një delegacion nga Turqia i cili ishte i udhëhequr nga udhëheqësi i Departamentit për Çështje të Sigurisë pran Zyrës së Kryeministrit Turk, Ahmet Dogan.
Smakiqi i informoi mysafiret me aktivitetet dhe misionin e Akademisë duke theksuar nevojën e bashkëpunimit me shtetin Turk, konkretisht me Akademitë nga Turqia.
Smakiqi vlerësoi lartë kontributin që Akademitë nga Turqia kanë dhënë  në trajnimin dhe aftësimin e pjesëtarëve të sigurisë publike në vend, duke kërkuar që ky bashkëpunim të vazhdoj edhe në të ardhmen.
Ndërsa udhëheqësi i Departamentit për Çështje të Sigurisë pran Zyrës së Kryeministrit Turk, Ahmet Dogan shprehu gatishmërinë që edhe në të ardhmen do të ndihmojë Akademinë dhe do ti bartin përvojat  e tyre në trajnimin e pjesëtarëve të sigurisë publike.

 

U konstitua Bordi Akademisë

Vushtrri, 08 prill 2013 – Në bazë të Ligjit për Akademinë e Kosovës për Siguri Publike është themeluar Bordi i Akademisë, ku sot u bë konstituimi i Bordit  të Akademisë i përbërë prej kryesuesit dhe shtatë anëtarëve. Kryesues i Bordit të AKSP-së u zgjedh Ismet Kabashi, i cili njëherit është edhe kryeprokuror i Shtetit, ndërsa anëtarët e  këtij bordi janë; Ismail Smakiqi drejtor i Përgjithshëm i AKSP-së, Shpend Maxhuni drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës (PK), Naim Huruglica drejtor i Doganave të Kosovës (DK),  Resmi Hoxha drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK), Metije Ademi drejtoresh e Përgjithshme e Shërbimit Sprovues (SHS), Fadil Kodra Kryeshef Ekzekutiv i Agjencionit për Menaxhimin e Emergjencave si dhe Fitim Shishani Kryeshef Ekzekutiv i Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK).

Gjatë takimit të sotëm po ashtu u propozua që sekretaria e bordit të jetë Zyra Ligjore e Akademisë.

Në bazë të Ligjit për Akademinë e Kosovës për Siguri Publike është nxjerr Rregullorja për Bordin e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike në bazë të së cilës kryesuesi i Bordit ka mandat një vjeçar.

Themelimi i Bordit të Akademisë ka për qëllim vendosjen e minimumit bazë të standardeve profesionale, politikave që kanë të bëjnë me trajnimet në fushën e sigurisë publike, edukimin e specializuar dhe të avancuar të institucioneve për siguri publike në Akademi.