Tryezat shkencore
Tryezat shkencore shërbejnë si platforma interaktive ku trajtohen çështje specifike të sigurisë publike, shpesh në formën e dialogut ndërinstitucional dhe bashkëpunimit të ngushtë mes bartësve të fushës së sigurisë. Ato synojnë jo vetëm prezantimin e studimeve e analizave, por edhe nxjerrjen e konkluzioneve të dobishme për politikat publike dhe praktikat profesionale. Akademia e Kosovës për Siguri Publike ka organizuar tryeza të shumta duke reflektuar përkushtimin e saj për të ofruar zgjidhje konkrete dhe për të fuqizuar kapacitetet profesionale në sektorin e sigurisë, sikurse në vijim:
2025 - Tryezë shkencore
Më 20 qershor 2025, Akademia organizoi tryezën shkencore “Inteligjenca artificiale në sigurinë publike dhe drejtësinë penale: Bashkëveprimi ndërinstitucional për siguri, efikasitet dhe etikë”. U mbajtën 4 fjalime hapëse dhe 9 prezantime tematike nga pjesëmarrës të institucioneve shtetërore të Kosovës dhe stafi akademik i FSP/AKSP. Konkludimet përfundimtare të tryezës u publikuan.
2024 - Tryezë e rrumbullakët
Më 18 dhjetor 2024 u zhvillua një tryezë e rrumbullakët për lehtësimin e dialogut ndërinstitucional lidhur me prezantimin e modulit të ri për hetimin e krimit mjedisor për zbatimin e ligjit dhe gjyqësorin. Aktiviteti u përkrah nga Misioni i OSBE-së në Kosovë dhe përfshiu gjithsej 21 pjesëmarrës nga AKSP, Akademia e Drejtësisë, Misioni i OSBE-së në Kosovë, Prokuroria e Shtetit dhe Policia e Kosovës. Raporti i ngjarjes u publikua.
2023 - Tryezë shkencore
Më 7 dhjetor 2023 u mbajt tryeza “Çështjet me bazë gjinore dhe adresimi i problemeve me bazë gjinore”. Aktiviteti përfshiu 3 fjalime hapëse dhe 5 prezantime tematike nga pjesëmarrës nga Kosova.
2023 - Tryezë shkencore
Më 27 tetor 2023 u organizua tryeza shkencore “Siguria dhe adresimi i situatave emergjente shtetërore”. Pati 3 fjalime hapëse dhe 4 prezantime tematike, me pjesëmarrës nga Kosova dhe SHBA.
2018 - Tryezë shkencore
Më 20 shkurt 2018 u organizua tryeza shkencore “Një dekadë shtet: Sfidat e sigurisë në Kosovë”. Në këtë aktivitet morën pjesë 40 përfaqësues, përfshirë 4 nga jashtë (Shqipëri, Maqedonia e Veriut, SHBA) dhe 36 nga Kosova (përfaqësues të ministrive, instituteve dhe studentë e staf të AKSP). Tryeza pati 6 fjalime hapëse dhe 5 prezantime tematike.
2017 - Prezantim i hulumtimit
Më 20 dhjetor 2017 u prezantua hulumtimi “Të kuptuarit e ndikimit të ambientit të burgut për të burgosurit meshkuj që punojnë në Burgun e Dubravës dhe të burgosurave femra në Lipjan”. Ngjarja kishte 35 pjesëmarrës: përfaqësues ndërkombëtarë (nga Shqipëria dhe Finlanda/EULEX), përfaqësues nga ministritë, ISP dhe organizata të tjera vendore e ndërkombëtare, si dhe 17 pjesëmarrës nga AKSP (stafi akademik, menaxhues dhe administrativ). Rezultatet e hulumtimit u publikuan.