Lajmet

Lajmet

Prof.dr Enver Hasani mbajti ligjëratë në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike

Vushtrri, 30 nëntor –  Me ftesën e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike (AKSP), sot para studentëve mbajti ligjëratë Prof.dr Enver Hasani në temën “Kontrolli kushtetues i traktateve ndërkombëtare në Evropë”.

Prof. dr Hasani vitin e kaluar ka mbajt ligjërata para studentëve të Fakultetit të Sigurisë Publike, profesor i angazhuar me kontratë pa kompensim.

Duke thënë se ndjehet i lumtur  për mundësinë e dhënë që të ligjëroj në Fakultetin e Sigurisë, Hasani u shpreh i gatshëm që edhe në të ardhmen të ligjëroj për studentët e Fakultetit të Sigurisë Publike.

Tema e ligjëratës e cila u elaborua nga Hasani në rrafshin teorik, zgjojë interesim tek studentët sidomos nga prizmi i të drejtës kushtetuese dhe ndërkombëtare të traktateve në mesë shteteve.

Ndryshe programi studimor  bachellor është mjaft me rëndësi sepse Akademia është i vetmi institucion kombëtarë trajnues dhe arsimor i gjashtë institucioneve të sigurisë publike.

Fakulteti i Sigurisë Publike është hapur në vitin 2014, tashmë është gjenerata e dytë që janë duke ndjekur studimet në këtë fakultet.

 

Studentët e Kolegjit AAB vizituan Akademinë

Vushtrri, 20 nëntor 2015 - Studentët e  Kolegjit AAB sot vizituan Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP).  Vizita kishte për qëllim njohjen e studentëve me menaxhimin dhe aktivitetet e Akademisë, edukimin e pjesëtarëve të sigurisë publike,  metodat e mësimit si dhe trajnimit.

Në këtë takim studentët u informuan nga menaxhmenti i lartë i AKSP-së lidhur me aktivitetet dhe trajnimet që zhvillohen në Akademi, rreth hapjes së Fakultetit të Sigurisë,  për prioritet dhe objektiva në të ardhmen. 

Gjatë kësaj vizite  studentët shpreh interesimin e tyre rreth trajnimeve dhe arsimimit të pjesëtareve të sigurisë publike në Akademi.

Studentët u ndanë të kënaqur me vizitën si dhe vlerësuan lartë punën të cilën e bënë Akademia në trajnimin e pjesëtarëve të sigurisë publike.

Përveç tjerash studentët  vizituan edhe infrastrukturën  e Akademisë, të cilët u mirëpritën edhe nga pjesa tjetër e stafit profesional , të cilët ofruan njohuri praktike mbi shërbimet profesionale që i ofron  AKSP.

 

Diplomoi gjenerata e 40 e kadetëve të Shërbimit Korrektues të Kosovës

Vushtrri, 13 nëntor 2015 -   Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), sot diplomoi gjenerata e 40-të e  Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK),  e cila numëron 25 pjesëtarë. Në ceremoninë e diplomimit morën pjesë, Ministri i Drejtësisë,  Hajredin Kuçi, Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë, Ismail Smakiqi, Shefi i Divizionit të Fuqizimit të EULEX-it, Peter Bach,  Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Sokol Zogaj si dhe përfaqësues tjerë nga agjencionet e sigurisë publike.

Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, gjatë fjalimit të tij tha se pa shërbim korrektues nuk ka sistem të drejtësisë funksional.  “Është një lajm i mirë për drejtësinë kur i shtohen edhe një  numër i madh i gardianëve,  është hallka e fundit, por është hallka me e rëndësishme në sistemin e drejtësisë”, u shpreh Kuçi duke thënë se gardianet e sa po diplomuar duhet të ndihen krenar për punën që kanë zgjedhur.

“Punën  që e bëjnë hetuesit, prokuroret gjyqtaret,  nëse vuajtja e dënimit nuk është adekuate atëherë është e kotë. Ndihuni krenar që jeni pjesë e shërbimit korrektues dhe sistemit të drejtësisë”, tha Kuçi duke u shpreh i gatshëm për përkrahjen e vazhdueshme ndaj të gjithë gardianëve.

Shefi i Divizionit të Fuqizimit të EULEX-it, Peter Bach  tha se puna e gardianit është një punë mjaftë e vështirë, por është krenari për të qenë pjesë e këtij sistemi.

“Për të qenë oficer korrektues nuk është punë e lehtë, prandaj unë iu dëshiroj  suksese në punën tuaj”, u shpreh Bach para të pranishmëve. Ai tha se EULEX-i e mirëpret inkuadrimin e kësaj gjenerate në Shërbimin Korrektues. 

Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë, Ismail Smakiqi tha se Akademia ka qenë dhe do të vazhdojë të ofroj trajnimi profesionalen  për pjesëtaret e sigurisë publike.

Ai tha tashmë Akademia është duke ofruar program studimor bachellor në fushën e sigurisë për të gjithë pjesëtaret e sigurisë publike, në mesin e të cilëve janë edhe zyrtarët e Shërbimit Korrektues të Kosovës.

“Nga Shërbimi Korrektues i Kosovës në Fakultetin e Sigurisë Publike në Akademi  janë të regjistruar 43 studentë, të cilët pas diplomimit do të fitojnë kompetenca menaxheriale dhe do të bëhen specialistë të fushave”, tha Smakiqi.
Ai para të pranishmëve ka folur edhe për projektin e dytë të binjakëzimit i cili ka për qëllim zhvillimin e trajnimeve vokacionale, përkrahja e studimeve bachelor dhe funksionalizmin e institutit të hulumtimit në Akademi.

“Ngritja e cilësisë së trajnimeve dhe arsimimi i lartë është puna e përditshme e Akademisë dhe partnerëve tanë siç janë  ICITAP-it, OSBE-së dhe Komisioni Evropian”,  u shpreh Smakiqi duke thënë se në Akademi aktualisht janë duke ndjekur trajnimin  24 zyrtarë  të Agjencisë së Emergjencave nga grupi prej 80 pjesëtareve, të cilët në javët në vijim do ta kryejnë trajnimin bazik.

Smakiqi u ka uruar kadetëve të sa po diplomuar suksese, duke iu dëshiruar shërbim sa me profesional në punën e tyre


Ndryshe ky trajnim ka zgjatur 15 javë.
 

Në Akademi në mënyrë vullnetare u dhuruan afër 200 doza gjak

Vushtrri, 12 nëntor 2015 - Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), në mënyrë vullnetare është duke u zhvilluar aksioni i dhurimit të gjakut nga kadetët e Policisë së Kosovë, nga Instruktorët e Agjencive të Sigurisë Publike si dhe  nga Personeli i Akademisë.
Në  Akademinë  e Kosovës për Siguri Publike dhurimi i gjakut në mënyrë vullnetare tashmë është bërë aksion tradicional.

Aksioni humanitar i dhurimit të gjakut është  realizuar në bashkëpunim me Shërbimin Shëndetësor të Policisë së Kosovës, Transfuzionin e Gjakut nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës dhe me ekipin mjekësor të  AKSP-së në krye me dr Artan Bejta.

Duke iu përgjigjur kërkesës së Qendrës së Transfuzionit të Gjakut dhe gatishmërisë së madhe për  dhurimin e gjakut në mënyrë vullnetare i cili ka filluar dje është duke vazhduar edhe sot.

Personeli mjekësor i Transfuzionit Kombëtar të Gjakut dhe ai i Akademisë këtë aksion e kanë vlerësuar si një ndër aksionet më të mëdha që kanë ndodhur deri me tani.


Fadil Mahmuti, menaxher për informim në Transfuzionin Kombëtar të  Gjakut i cili është duke marrë pjesë në këtë  aksion, tha se është një njëri ndër aksionet me të suksesshme deri me tani.

“Ekipi i Transfuzionit të Gjakut edhe sot është në mesin e kadetëve të rinj të Policisë së Kosovës, personelit të Akademisë ku kemi organizuar një aksion për grumbullimin e gjakut. Për shkak të vullnetarëve të shumtë jemi detyruar që aksioni të vazhdoj edhe sot, pasi që vetëm dje nuk kemi arrit të marrim gjak nga të gjithë ata që janë të interesuar”, tha Mahmuti.

Interesimin e madh për dhurimin e gjakut në Akademi në mënyrë vullnetare, Mahmuti e ka vlerësuar si shembull të mirë edhe për institucionet tjera, siç janë ministritë, shkollat, fakultetet dhe organizata tjera.

“Duke u nisur nga fakti se kërkesat për gjak janë të mëdha, për t’i mbuluar nevojat brenda Qendrës Klinike Universitare  brenda 24 orëve  vijnë mbi 150 kërkesa për gjak, kemi Qendrën emergjente ku vazhdimisht vijnë fatkeqësi në komunikacion, fatkeqësi me gjakderdhje të mëdha dhe shumë shpesh nevojitet gjak”, u shpreh Mahmuti duke thënë se falë këtij aksioni kanë arritur që të gjitha ata që kanë pas nevojë për gjak ti furnizojnë.

“Duke falënderuar kadetët e kësaj Akademie dhe stafin e saj neve kemi arritur mbrëmë gjatë natës dhe sot gjatë ditës në Qendrën Klinike Universitare t’i furnizojmë me gjak të gjitha nënat, të gjithë fëmijët që kemi raste me leukemi të ndryshme, me kërcënoma etj. Kanë marrë gjak të gjitha fatkeqësitë në komunikacion që kanë arrit në emergjencë gjatë natës, e mos flas edhe për operacionet që kanë qenë të planifikuara  në gjinekologji dhe në kirurgji”, tha Mahmuti.

Mahmuti ka falënderuar stafin udhëheqës të Akademisë si dhe personelin mjekësor për përgjigjen kaq masive të dhurimit të gjakut dhe për mundësinë e dhënë të organizimit të këtij aksioni.

Drejtoresha e Akademisë së Policisë të Malit të Zi vizitoi Akademinë

Vushtrri, 10 nëntor  2015 -  Drejtori i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike (AKSP), Ismail Smakiqi priti  sot në takim homologen e tij nga Akademia e Policisë së Malit të Zi drejtoreshën  Milica Pajovic.
Po ashtu delegacioni ishte i shoqëruar edhe nga zyrtaret tjerë nga Akademia e Malit të Zi.
Qëllimi i kësaj vizite ishte që të njihen më për se afërmi me zhvillimet, aktivitetet, trajnimet dhe procesin nëpër të cilin po kalon Akademia.


Drejtori Smakiqi e falënderoi delegacionin për vizitën duke e njoftuar atë për procesin nëpër të cilin ka kaluar Akademia deri në hapjen e Fakultetit të Sigurisë Publike, si dhe për funksionalizimin e tij. Po ashtu delegacioni u njoftua edhe për trajnimet që mbahen në Akademi ku marrin pjesë të gjitha agjencionet e sigurisë publike. Më këtë rast drejtori Smakiqi u shpreh i gatshëm për bashkëpunim me Akademinë e Policisë së Malit të Zi.


“Shpresoj që kjo vizitë do të shërbej edhe më shumë për përforcimin  dhe krijimin e raporteve mes dy akademive, Akademisë së Kosovës  për Siguri Publike dhe Akademisë së Policisë së Malit të Zi”, tha Smakiqi


Ndërsa Drejtoresha e Akademisë së Policisë  nga Mali i Zi, Milica Pajovic  duke inkurajuar drejtorin Smakiqi për  të arriturat, ka folur rreth themelimit të Akademisë të cilën e udhëheq ajo. Pajovic  ka shpjeguar mënyrën e arsimit në fushën e sigurisë si dhe sistemin e trajnimeve që zhvillohen atje.  Ajo ka vlerësuar lartë  punën që është bërë në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike.


“Sistemi i trajnimeve dhe ai i arsimit të zyrtarëve të sigurisë publike në Akademinë e Kosovës është shumë profesional”, tha Pajovic duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim me Akademinë e Kosovës për Siguri Publike.


 

Me 12 tetor fillon viti i ri akademik

Vushtrri, 29 shtator 2015 - Në Fakultetin e Sigurisë Publike i cili është në kuadër të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike që nga data 12 tetor të këtij viti do të fillojë viti i ri akademik 2015 / 2016.

Në vitin e parë akademik 2015/2016 do të ndjekin studimet 59 pjesëtarë të sigurisë publike në vend.

Kadetët e rinj u rreshtuan para Drejtorit të Përgjithshëm të Akademisë

Vushtrri, 25 shtator – Sot në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), u rreshtuan në paradën e mëngjesit 290 kadetë të gjeneratës të 53-të të Policisë së Kosovës. Kadetëve  iu drejtuan  nënkolonel Driton Zabergja, drejtor i Trajnimeve Mandatare në Policinë e Kosovës dhe Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike Ismail Smakiqi.

Nënkolonel Zabërgja i njoftoi kadetët për trajnimin bazik të cilin do ta ndjekin në Akademi për gjashtë muaj si dhe për modulet e këtij trajnimi i cili çdo herë rifreskohet bazuar në nevojat e kompetencave të cilat duhet të i posedoi zyrtari policor.
Nënkolonel Zabërgja kërkoi nga kadetët që ta respektojnë në përpikëri orarin e trajnimeve, rregullat shtëpiake dhe të jenë të përkushtuar në përfundimin me sukses të trajnimit bazik, i cili atyre iu mundëson që nesër të jenë pjesë e Policisë së Kosovës.

Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike Ismail Smakiqi,  duke iu dëshiruar mirëseardhje kadetëve në Akademi, i inkurajoi për vendimin e tyre që të jenë pjesë e Policisë së Kosovës, profesionit më të respektuar prej qytetarëve, i cili iu bënë nder ju, familjeve tuaja dhe bashkëqytetarëve të vendbanimeve prej nga vini.

Smakiqi duke ju dëshiruar përfundim të suksesshëm të trajnimit bazik tha se Akademia ofron edhe trajnime të specializuara, avancuara të lidershipit si dhe ofrimin e studimeve në Fakultetin e Sigurisë Publike.

Kjo është java e parë e trajnimit bazik të Policisë së Kosovës dhe  kadetët  pritet të diplomojnë në funde të muajit mars të vitit 2016 dhe të i bashkohen radhëve të Policisë së Kosovës.
 

Një delegacion nga Shoqata Ndërkombëtare e Grave Police vizitoi Akademinë

Vushtrri, 23 shtator 2015 – Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), sot e vizitoi një delegacion nga Shoqata Ndërkombëtare e Grave Police, nga APON/Rrjeti i Grave Police të Evropës Jug-Lindore, Rrjeti Evropian i Grave Police dhe nga shoqata e Grave të Policisë së Kosovës. Delegacioni në fjalë u prit nga Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë, Ismail Smakiqi, nga përfaqësuesi i Policisë së Kosovës, Driton Zabërgja dhe menaxhmenti i lartë i Akademisë. 

Gjatë takimit drejtori Smakiqi i uroi mirëseardhje delegacionit e më pas i informoi lidhur me proceset e fundit si dhe progresin e arritur në Akademi, zhvillimin e trajnimeve nga agjencionet e sigurisë, hapjen e Fakultetit të Sigurisë si dhe për bashkëpunimet ndërkombëtare.

“Akademia e Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri ka marr karakter regjional dhe me gjerë me ofrimin e trajnimeve jo vetëm për pjesëtaret e sigurisë publike në vend, por edhe për vendet e Ballkanit”, tha Smakiqi.  

Ndërsa përfaqësueset e Shoqatës Ndërkombëtare të Grave Police u shprehen të lumtura për vizitën e tyre dhe progresin e arritur në Akademi.

Ndryshe  misioni i OSBE-së në Kosovë ka organizuar një Konference me teme  \"Integrimi i perspektivës gjinore në sektorin e sigurisë\",  që është mbajtur dy ditë radhazi me 22 dhe 23 shtator në Prishtinë. 



 

Sot filloi trajnimin gjenerata e 53-të e Policisë së Kosovës

Vushtrri, 21 shtator – Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), filloi sot trajnimi bazik i gjeneratës së 53- të të Policisë së Kosovës.
Përfaqësuesi i Policisë së Kosovës në Akademi, nënkolonel Driton Zabergja i përshëndeti dhe iu uroi suksese kadetëve.  Ai i inkurajoi kadetët që të japin maksimumin nga vetja e tyre që trajnimin bazik ta përfundojnë me sukses.
Ndryshe kadetët e rinj do të trajnohen sipas plan programeve të dizajnuara në bazë të standardëve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe sundim të ligjit.
Kjo gjeneratë numëron gjithsej 290 kadetë të rinj të Policisë së Kosovës. Trajnimi do të zgjasë 26 javë.

 

U publikua lista përfundimtare e studentëve të Fakultetit të Sigurisë Publike

Vushtrri, 21 shtator 2015 - Në  Akademinë  e  Kosovës  për  Siguri  Publike (AKSP) u  publikuan  rezultatet  përfundimtare   për  pranimin e studentëve në Fakultetin  e  Sigurisë Publike  për  vitin e  parë  akademik 2015 / 2016.

Listën e rezultateve të zyrtarëve të cilët kanë aplikuar për studime në Fakultetin e Sigurisë Publike e gjeni më poshtë.

Kliko këtu: VITI I PARE I STUDIMEVE PER VITIN  AKADEMIK 2015/2016  NË FAKULTETIN E SIGURISË PUBLIKE  - AKSP
 

Drejtori Smakiqi vizitë zyrtare në Shqipëri

Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike (AKSP), Ismail Smakiqi i shoqëruar nga Drejtori i Departamentit të Trajnimeve dhe Përkrahjes Arsimore Kastriot Jashari si dhe Udhëheqësi i Divizionit për Marrëdhënie me Jashtë  Avni Istrefi kanë qëndruar në një vizitë pune një ditore në Akademinë e Sigurisë së Policisë së Shtetit, në Tiranë (ASPShSh).

Delegacioni i AKSP-së është pritur nga  Bilbil Mema , Drejtor i Përgjithshëm i Akademisë së Sigurisë së Policisë të Shtetit në Tiranë.

Gjatë këtij  takimi u diskutua për harmonizimin e ideve dhe aktiviteteve të përbashkëta, arritjes sa më të shpejt dhe të drejtpërdrejt të qëllimeve mbi çështjet për të cilat janë në interes të përbashkët dhe kërkojnë implementim sa më të shpejt me qëllim të zhvillimit të kapaciteteve të dy Akademive.

Gjithashtu temë diskutimi  ishte edhe  konkretizimi dhe zhvillimi i trajnimeve profesionale në fushën e policisë për një numër të caktuar të zyrtarëve policor të Shqipërisë duke përfshirë fillimisht organizimin dhe zhvillimin e trajnimit për motoçiklist që mendohet të planifikohet në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.

Kjo vizitë është  vazhdimësi e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet të dy Akademive për proceset e filluara të punës që nga nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit në vitin e kaluar.

Bordi i Akademisë mbajti takimin e radhës

Vushtrri, 14 shator 2015 - Bordi  i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike (AKSP),  mbajti sot takimin e dymbëdhjetë ku u diskutuan çështje të cilat kanë të bëjnë me proceset e fundit të Akademisë.

Pikë diskutimi në rëndin e ditës  ka qenë raporti mbi zhvillimin e konkursit të pranimit të studentëve në programin bachelor dhe propozim ndryshimi i kuotave për Institucionet e Sigurisë Publike për vitin akademik 2015/16.

Pikë tjetër e diskutimit ka qen edhe projekti i binjakëzimit me titull, “Përkrahja e mëtejme e arsimit të sigurisë publike në Kosovë”, dhe caktimi i personave përgjegjës nga agjencionet e Sigurisë publike rreth implementimit të këtij projekti. 

Gjithashtu në këtë takim Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, Ismail Smakiqi, prezantoi raportin gjashtë mujor të Akademisë.

Në takim morën pjesë drejtori i Përgjithshëm i Akademisë, Ismail Smakiqi, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, kryeprokurori i Shtetit Aleksander Lumezi, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues Emrush Thaqi, Drejtori i Përgjithshëm i Inspektoratit Policor të Kosovës, Fitim Shishani, Drejtori i Shërbimit Sprovues Bajram Bujupi,, përfaqësues nga Dogana e Kosovës  dhe Agjencionit të Menaxhimit Emergjent, si dhe përfaqësues nga OSBE-ja dhe ICITAP-i.