Lajmet

Lajmet

Vizitë zyrtare e delegacionit të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike në Akademinë Policore të Malit të Zi

 

Danillovgrad, 13 qershor 2025 - Gjatë datave 12 dhe 13 qershor 2025, në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërinstitucional të nënshkruar në prill 2025, delegacioni katër anëtarësh i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike (AKSP), i udhëhequr nga u.d. Drejtori i Përgjithshëm, z.Shpend Shabani, zhvilloi një vizitë zyrtare pune në Akademinë Policore të Malit të Zi (APMZ) në Danillovgrad, me ftesë të drejtorit të kësaj akademie.

 

Delegacioni i Kosovës është mirëpritur nga drejtori i Akademisë Policore të Malit të Zi (APMZ), z.Nenad Vojinoviq me bashkëpunëtorët e tij. Gjatë takimit z. Shabani dhe z.Vojinoviq, shprehën vullnetin dhe u dakorduan për thellimin e bashkëpunimit profesional dhe akademik ndërmjet dy institucioneve, në funksion të avancimit të arsimit dhe trajnimit në fushën e sigurisë publike. Të dyja palët ranë dakord për intensifikimin e aktiviteteve të përbashkëta, përfshirë shkëmbimin e përvojave, lehtësimin e programeve trajnimi të përbashkëta, si dhe organizimin e iniciativave në interes të sigurisë publike.

Në përputhje me marrëveshje e nënshkruar në prill të këtij viti, AKSP-ja dorëzoi pranë APMZ-së programin Bachelor në Siguri Publike, së bashku me materialin mbështetës dhe programin profesional. Në këtë kuadër, z. Vojinović shprehu mirënjohjen më të thellë për këtë kontribut, duke vlerësuar shumë lartë se mbështetja e ofruar nga AKSP-ja është e rëndësishme dhe vjen në kohën e duhur, teksa APMZ është duke e strukturuar në mënyrë intensive sistemin e arsimit të lartë, me përkrahje nga qeveria gjermane.

 

Gjithashtu, gjatë vizitës, delegacioni i AKSP-së zhvilloi një sërë vizitash në ambientet e brendshme të Akademisë Policore të Malit të Zi duke përfshirë klasa dedikuar për trajnimin profesional, hapësirat simulimi për situata operative dhe hapësirat e tjera të trajnimit.

 

Kjo vizitë konfirmon angazhimin e dy institucioneve për avancimin e arsimit dhe trajnimit profesional në fushën e sigurisë publike dhe i jep një dimension të ri bashkëpunimit institucional, me vizion drejt zhvillimit të kapaciteteve të qëndrueshme dhe të cilësisë së lartë akademike, duke kontribuar në shumë dimensione në sigurinë publike e të dyja vedeve, në rajon dhe me gjërë.

Akademia e Kosovës për Siguri Publike pranon ‘Çmimin e Ekselencës’ nga IADLEST, SHBA, deri në vitin 2028

Charlotte, Karolina e Veriut, 4 qershor 2025 - Akademia e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) ka pranuar Çmimin e Ekselencës "Award of Excellence" nga IADLEST – Shoqata Ndërkombëtare e Drejtuesve të Standardeve dhe Trajnimeve të Zbatimit të Ligjit me seli në SHBA, si pjesë e procesit të suksesshëm të riakreditimit të vitit 2024.

 

Kjo ngjarje e rëndësishme është duke u zhvilluar në kuadër të Konferencës vjetore të IADLEST, që po mbahet nga data 1 deri më 4 qershor 2025 në Charlotte, Karolina e Veriut. Marrja e këtij çmimi konfirmon përkushtimin e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike për të ruajtur standarde të larta institucionale në trajnimet për sigurinë publike dhe zhvillimin profesional të zbatuesve të ligjit.

 

Çmimi i Ekselencës i është dhënë Akademisë (AKSP) deri në vitin 2028, duke njohur dhe konfirmuar përmbushjen me sukses të kritereve ndërkombëtare të cilësisë në procesin e riakreditimit nga IADLEST në vitin 2024. Ky është një dëshmi e fortë e profesionalizmit dhe përkushtimit të vazhdueshëm të Akademisë për përmirësimin e standardeve në arsimimin dhe trajnimin e zyrtarëve të sigurisë publike në Kosovë.

 

Në emwr tw Akademisw sw Kosovës për Siguri Publike, Çmimin e Ekselencës e pranuan përfaqësuesit nga Menaxhmenti i Lartë, Kastriot Jashari, Drejtor i Departamentit të Trajnimeve dhe Përkrahjes Arsimore dhe Rrahim Rexha, Drejtor i Departamentit të Financave dhe Shërbimeve të Përgjithshme.

 

Konferenca e IADLEST-it këtë vit trajton temat më të rëndësishme për udhëheqësit dhe menaxherët e trajnimeve në fushën e sigurisë dhe ligjzbatimit, duke përfshirë: dizajnin e kurrikulës, përfshirjen e inteligjencës artificiale në procesin mësimor, teknikat e mësimdhënies për gjeneratën e re, platforma trajnimi me realitet virtual, standardet e testimit, dhe matjen e efektivitetit të trajnimeve.

 

Pjesëmarrja e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike në këtë konferencë të nivelit të lartë dhe pranimi i çmimit të ekselencës janë një hap i madh drejt avancimit të mëtejshëm të cilësisë dhe njohjes ndërkombëtare të sistemit të trajnimit për sigurinë publike në Republiken e Kosovës.

 

Akademia e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) shpreh mirënjohje për përfundimin e vizitës së dytë studimore në Akademinë e Drejtësisë të Karolinës së Veriut, në SHBA

29 maj 2025 - Akademia e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) ka nderin të shpreh mirënjohjen e saj të thellë ndaj Misionit të OSBE-së në Kosovë për rolin thelbësor në lehtësimin dhe mbështetjen e vizitës së dytë zyrtare studimore në Akademinë e Drejtësisë së Karolinës së Veriut (NCJA), në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e cila u zhvillua gjatë periudhës 19 - 24.05.2025. Kjo iniciativë, e realizuar në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme për zhvillim institucional dhe bashkëpunim ndërkombëtar, dëshmon përkushtimin e palëkundur të AKSP-së për avancimin e cilësisë dhe standardeve të arsimit dhe trajnimit në fushën e sigurisë publike në Republikën e Kosovës.

 

Akademia (AKSP) shpreh falënderimet më të sinqerta ndaj Akademisë së Drejtësisë së Karolinës së Veriut (NCJA) për mikpritjen e jashtëzakonshme të vizitës së dytë studimore dhe për ndarjen bujare të përvojës, njohurive dhe praktikave të avancuara në fushën e arsimit të zbatimit të ligjit. Gjatë vizitës, koordinatorët, respektivisht anëtarët e Komisionit për Sigurimin e Cilësisë të AKSP-së, nga AKSP dhe nga radhët e palëve të interesit si Dogana e Kosovës, Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave, dhe Shërbimi Sprovues i Kosovës, u njohën me mekanizmat e brendshëm të sigurimit të cilësisë të zbatuar nga NCJA. Këto përfshijnë proceset e zhvillimit të kurrikulës, standardet për trajnimin e instruktorëve dhe kuadrot e përgjithshme të menaxhimit të cilësisë, të cilat janë plotësisht të harmonizuara me kriteret e përcaktuara nga Asociacioni Ndërkombëtar i Drejtorëve të Standardeve dhe Trajnimeve në Zbatimin e Ligjit (IADLEST), një organ akreditues që në vitin 2024 ka dhënë akreditim e radhës ndërkombëtar AKSP-së me vlerësimin ‘Çmimi i Ekselencës' (Award of Excellence).

 

Delegacioni nga Kosova u prit ngrohtësisht nga përfaqësues të lartë shtetërorë të Karolinës së Veriut, përfshirë Prokurorin e Përgjithshëm, z. Jeff Jackson, si dhe zyrtarë të Byrosë Shtetërore të Hetimeve. Kjo pritje e lartë theksoi edhe njëherë rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në mes të AKSP-së dhe NCJA-së dhe shkëmbimit të përvojave të tyre në ngritjen e kapaciteteve institucionale dhe trajnuese/arsimore në fushën e sigurisë publike.

 

Përfundimi me sukses i kësaj vizite përfaqëson një moment të rëndësishëm në kompletimin e plotë të Komisionit për Sigurimin e Cilësisë brenda AKSP-së të cilët janë të pajisur me njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për të zhvilluar dhe institucionalizuar procedura të brendshme për vlerësimin dhe përmirësimin e vazhdueshëm të shërbimeve trajnuese në fushën e sigurisë publike, duke siguruar përputhshmëri të plotë me standardet ndërkombëtare të akreditimit dhe sigurimit të cilësisë.

 

Akademia e Kosovës për Siguri Publike mbetet plotësisht e përkushtuar në forcimin e kapaciteteve institucionale, nxitjen e partneriteteve ndërkombëtare dhe ruajtjen e standardeve më të larta profesionale në shërbim të sigurisë dhe rendit publik.

 

 

Nënshkruhet Marrëveshja e Bashkëpunimi ndërmjet AKSP-së dhe KGJK-së

 

Prishtinë, 28 maj 2025 - Në ambientet e Këshillit Gjyqësor të Kosovës është nënshkruar Memorandumi i Bashkëpunimit ndërmjet Akademisë së Kosovës për Siguri Publike (AKSP) dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK). Marrëveshja u nënshkrua nga Zëvendësuesi i Drejtorit të Përgjithshëm të AKSP-së, Shpend Shabani dhe Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj.

 

Kjo Marrëveshje synon vendosjen e një partneriteti të qëndrueshëm ndërmjet dy institucioneve, me qëllim realizimin e aktiviteteve të përbashkëta në fushat e trajnimit, zhvillimit profesional, kërkimit shkencor, si dhe në aktivitete akademike dhe profesionale. Marrëveshja synon gjithashtu ngritjen e cilësisë institucionale në sistemin e trajnimit dhe arsimimit në fushën e sigurisë publike dhe atij gjyqësor.

 

Me këtë rast, Zëvendësuesi Shabani dhe Kryesuesi Zogaj theksuan rëndësinë e formalizimit të bashkëpunimit ndërinstitucional, duke nënvizuar se kjo Marrëveshje do të mbështesë zhvillimin e aktiviteteve në përputhje me legjislacionin në fuqi, si dhe në përputhje me parimet e transparencës, profesionalizmit dhe besimit të ndërsjellë institucional.

 

Palët shprehën gatishmërinë për avancimin e mëtejmë të këtij bashkëpunimi, në funksion të arritjes së objektivave të përbashkëta dhe përforcimit të kapaciteteve institucionale në fushat përkatëse.

Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike u shënua 50-vjetori i diplomimit të Gjeneratës së Parë të Kadetëve të Shkollës së Mesme për Punë të Brendshme

Vushtrri, 23 maj 2025 - Me rastin e 50-vjetorit të diplomimit, gjenerata e parë e kadetëve të Shkollës së Mesme për Punë të Brendshme (1971–1975) ka realizuar një vizitë ceremoniale në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike. Kjo ngjarje shënuese u organizua për të nderuar kontributin dhe trashëgiminë e kësaj gjenerate që ka luajtur një rol të rëndësishëm në ndërtimin e institucioneve të sigurisë në vend.

Gjatë vizitës, ish-kadetët patën mundësinë të vizitojnë ambientet e Akademisë, ku u pritën me respekt dhe vlerësim nga drejtuesit dhe stafi i Akademisë. Në kuadër të qëndrimit të tyre në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, ata vizituan një nga klasat e gjeneratës aktuale të kadetëve të Policisë së Kosovës, duke krijuar një lidhje simbolike ndërmjet brezave dhe një moment frymëzimi për të rinjtë që po ndjekin rrugën e shërbimit policor.

Pjesëmarrësit u njoftuan gjithashtu për progresin e arritur ndër vite nga Akademia e Kosovës për Siguri Publike, përfshirë zhvillimet në fushën e trajnimeve, modernizimin e infrastrukturës, si dhe procesin e ndërkombëtarizimit të institucionit përmes bashkëpunimeve me institucione dhe organizata partnere ndërkombëtare.

Ngjarja u karakterizua nga emocione të veçanta dhe reflektim mbi rrugëtimin profesional të kësaj gjenerate të parë, duke u shndërruar në një moment të rëndësishëm të përkujtesës, vlerësimit dhe vazhdimësisë së traditës në fushën e sigurisë publike në Kosovë.

OSBE së bashku me AKSP-në dhe Policinë e Kosovës përgatisin fëmijët e Kosovës me shkathtësi dhe përvoja të veçanta të rëndësishme për të ardhmen e tyre

 

Vushtrri, 8 maj 2025 - Dje dhe sot, në ambientet e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike (AKSP), 36 fëmijë të shkollave fillore nga e mbarë Kosova morën pjesë në ngjarjen ‘Fuqizimi i rolit të rinisë në paqe dhe siguri’, e cila u organizua nga Misioni i OSBE-së në Kosovë në bashkëpunim me Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), Policinë e Kosovës (PK), Shërbimin Korrektues të Kosovës (SHKK), dhe Agjencinë e Menaxhimit Emergjent (AME). Gjatë ditës së parë të qëndrimit të tyre në AKSP, ata u njohën me fushëveprimtarinë e Akademisë, punën e institucioneve te sigurisë publike të cekura më lartë. Për më tepër, ata u njoftuan nga zyrtarë të PK-së dhe të OSBE-së për tema të tjera të rëndësishme për ta, siç janë parandalimi i kërcënimeve dhe abuzimeve me të rinjtë në shkolla, si abuzimi me droga, ngacmimi seksual dhe dhuma në familje, si dhe Agjenda e Rinisë për Paqe dhe Siguri dhe Rezoluta e Këshillit të Sigurimit të OKB-së 2250 për Rininë në Paqe dhe Siguri. Në mbrëmjen e ditës së parë të këtij aktiviteti, fëmijët u njohën me ambientet e AKSP-së si dhe zhvilluan aktivitete sportive në palestër.

 

Përderisa ditën e dytë dhe të fundit të kësaj ngjarjeje, fëmijët patën rastin e veçantë të marrin pjesë në paradën e nderit të gjeneratës së 62-të të Policisë së Kosovës, e cila aktualisht po e zhvillon trajnimin në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike. Atyre me një fjalë rasti iu drejtuan: Shpend Shabani, Zëvendësues i Drejtorit të Përgjithshëm të AKSP-së, Kolonelja Taibe Canolli, Drejtoreshë e Departamentit të Burimeve Njerëzore në PK dhe Cornelia Taylor, Zëvendës Shefe e Misionit të OSBE-së në Kosovë. Fëmijët pjesëmarrës simuluan ngjarje të ndryshme të kanosjes së sigurisë së tyre, duke praktikuar edhe mënyrën e reagimit të tyre në të tilla situata. 

 

Në vazhdim të kësaj dite, fëmijët zhvilluan vizita në hapësira të ndryshme të Policisë së Kosovës, duke përfshirë dhomën operative në Drejtorinë e Përgjithshme si dhe kampin e njësive speciale në Vrellë të Lipjanit.

 

Në fund të kësaj ngjarjeje, fëmijëve të pranishëm iu ndanë certifikatat e pjesëmarrjes. 

 

Nënshkruhet Marrëveshja e Bashkëpunimit mes AKSP-së dhe Akademisë Policore të Malit të Zi

Vushtrri, 22 Prill 2025 - Në ambientet e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike (AKSP) në Vushtrri, u mirëprit delegacioni i Akademisë Policore të Malit të Zi, udhëhequr nga Drejtori Nenad Vojinović me ç’rast u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimi ndërinstitucional.

 

Kjo marrëveshje ka për qëllim vazhdimin e bashkëpunimit profesional dhe akademik ndërmjet dy institucioneve, në funksion të avancimit të arsimit dhe trajnimit në fushën e sigurisë publike. Palët u pajtuan për vazhdimësinë e realizimit të aktiviteteve të përbashkëta, shkëmbimin e përvojave, lehtësimin e programeve të përbashkëta trajnuese dhe organizimin e aktiviteteve të tjera në interes të përbashkët.

 

Në ceremoninë zyrtare të nënshkrimit të marrëveshjes Zëvendësuesi i Drejtorit të Përgjithshëm të AKSP-së Shpend Shabani theksoi rëndësinë e kësaj marrëveshje në funksion të fuqizimit rajonal të bashkëpunimit ndërinstitucional, ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe rritjen e standardeve në fushën e arsimit dhe trajnimeve të zbatuesve të ligjit, veçanërisht të trajnimeve në fushën policore. Ndër të tjerash Drejtori i Akademisë Policore të Malit të Zi Nenad Vojinović theksoi se kjo marrëveshje përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt thellimit të partneritetit tonë rajonal në fushën e sigurisë dhe ndihmon në ndërtimin e një rrjeti më të fortë bashkëpunimi ndërmjet institucioneve të ngjashme në Ballkan.

 

Vizita e Delegacionit të Akademisë Policore të Malit të Zi u përmbyll me një vizitë hapësirave trajnuese të AKSP-së.

Ambasadori i Republikës së Turqisë në Kosovë Sh.T. z.Tunç Angılı vizitoi Akademinë e Kosovës për Siguri Publike

Vushtrri, 17 prill 2025 - Sot, Akademia e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) pati nderin që të mirëpresë në vizitë zyrtare Ambasadorin e Republikës së Turqisë në Kosovë, Shkëlqesinë e Tij, z. Tunç Angılı në ambientet e saj në Vushtrri. Ambasadori turk u prit nga Zëvendësuesi i Drejtorit të Përgjithshëm të AKSP-së, Shpend Shabani, dhe stafi drejtues i AKSP-së. Gjatë takimit, Ambasadorit iu prezentua misioni dhe vizioni i Akademisë, u njoftua për rolin, përgjegjësit dhe të arriturat e AKSP-së, duke nënvizuar rolin kyç të saj në ngritjen e kapaciteteve të sigurisë publike në Republiken e Kosovës. Gjithashtu gjatë takimit u diskutua për bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet institucioneve të sigurisë së Kosovës dhe atyre të Republikës së Turqisë, si dhe u theksua rëndësia e përkrahjes së vazhdueshme që Turqia ka dhënë për fushën e sigurisë në Kosovë.

 

Ambasadori Angılı falënderoi për mikpritjen dhe shprehu gatishmërinë e shtetit turk për të avancuar më tej bashkëpunimin me AKSP-në. Ai gjithashtu theksoi se mbështet themelimin e bashkëpunimit të AKSP-së me Akademinë Policore Turke.

 

Në përfundim të vizitës, Ambasadori vizitoi ambientet e Akademisë, përfshirë qendrën mësimore, sallat e mësimit, pajisjen moderne për simulim trajnimit me armë zjarri (FATS), ku u njoftua nga afër me mënyrën e punës dhe standardet që aplikohen në trajnimet profesionale të krahasueshme dhe të akredituara ndërkombëtarisht.

 

Vizita e Ambasadorit të Turqisë në AKSP vjen si konfirmim i marrëdhënieve të mira ndërmjet dy vendeve dhe dëshirës për të thelluar bashkëpunimin në fushën e arsimit dhe trajnimit për sigurinë publike.

AKSP u prezentua në Panairit e Edukimit, Karrierës dhe Punës

Prishtinë, 16 prill 2025 - Dje dhe sot, përkatësisht më 15 dhe 16 prill 2025, Akademia e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) mori pjesë në Panairin e Edukimit, Karrierës dhe Punës. Panairi u mbajt në sallën 1 Tetori në Prishtinë dhe u organizua nga kompania CeoKos Congress & Event Organization.

 

Në këtë Panair, AKSP prerzantoi para të interesuarve fushëveprimtarinë e vet, përkatësisht i njoftoi pjesëmarrësit e interesuar të Panairit me programet e trajnimit profesional, të s[epecializuar dhe të avancuar, si dhe ato të arsimit të lartë për të gjitha gjashtë institucionet e sigurisë publike: Policinë, Shërbimin Korrektues, Shërbimin Sprovues, Doganën, Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave dhe Inspektoratin Policor.

 

Në Panair të pranishmit nga shkollat e mesme gjithandej Kosovës u orientuan në karrierë dhe u udhëzuan për hapat që duhet ndjekur nëse dëshirojnë të jenë pjesëtarëve të institucioneve të sigurisë publike të Kosovës. Prandaj, përmes këtij Panairi, Akademia u bë edhe më e njohur në publikun e gjerë dhe ngriti vetëdijësimin e publikut të pranishëm për mandatin e saj ligjor dhe mundësitë që ofron.

Rodriguez, Ushtruesja në detyre e Drejtorit të DRSP nga Misioni i OSBE-së në Kosovë vizitoi Akademinë

Vushtrri, 14 prill 2025 - Sot, Akademinë e Kosovës për Siguri Publike e vizitoi Maria De Benito Rodriguez, ushtruese detyre e Drejtorit të Departamentit për Rend dhe Siguri Publike në Misionin e OSBE-së në Kosovë. Ajo pati një takim njoftues me zëvendësuesin e sapoemëruar të Drejtorit të Përgjithshëm të AKSP-së, Shpend Shabani.

 

Të dyja palët u dakorduan se bashkëpunimi ndërmjet AKSP-së dhe Departamentit në fjalë të OSBE-së është i shkëlqyer, duke konfirmuar se ky bashkëpunim do të vazhdojë dhe më tutje. Për më tepër, Rodriguez e siguroi Drejtorin Shabani se edhe përkrahja e OSBE-së për AKSP-në në zhvillimin e saj insitucional do të vazhdojë dhe më tutje.

Delegacioni nga komuna Växjö e Suedisë vizitoi AKSP-në

Vushtrri, 10 prill 2025 - Sot Akademinë e Kosovës për Siguri Publike e vizitoi një delegacion nga Komuna Växjö e Suedisë shoqëruar nga delegacioni i Komunës së Vushtrrisë të udhëhequr nga nënkryetarja e kësaj komune, Hava Mlinaku me anëtarë të stafit të komunës. Kjo vizitë erdhi si rezultat i bashkëpunimit të kësaj komune suedeze me Komunën e Vushtrrisë, në të cilën edhe gjendet Akademia dhe të cilat ndajnë tradicionalisht përvojat në fusha të ndryshme. Delegacionet nga të dyja komunat u mirëpritën nga udhëheqës të lartë të Akademisë, të cilët i njoftuan mysafirët për organizimin, rolin, përgjegjësitë dhe të arriturat e Akademisë, duke përfshirë historikun e saj dhe planet për të ardhmen.

 

Vizita në fjalë nga komuna suedeze kishte të bënte me ndarjen e përvojave për funksionalizimin dhe digjitalizimin e arkivit, ku si nga institucionet e Kosovës, përkatësisht AKSP dhe Komuna e Vushtrrisë, po ashtu edhe Komuna Växjö e Suedisë, u ndanë përvojat përkatëse nga të pranishmit. Në këtë kontekst, mysafirët nga të dyja komunat u njoftuan me aspektin e grumbullimit, sistemimit dhe ruajtjes së të dhënave nga Akademia e Kosovës për Siguri Publike në fushën e trajnimit dhe arsimit në sigurinë publike në Kosovë.

 

Për më tepër, në këtë takim u diskutuan edhe për mundësitë dhe gatishmërinë për një iniciativë të bashkëpunimit me institucionet përkatëse të trajnimit të sigurisë publike të Komunës Växjö dhe në përgjithësi të Suedisë.

Filloi trajnimi i 283 kadetëve të Policisë së Kosovës

Vushtrri, 7 prill 2025 - Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) ka filluar Trajnimi i Gjeneratës 62 të kadetëve të Policisë së Kosovës. Në këtë trajnim marrin pjesë 283 kadetë, ku janë përfaqësuar të dyja gjinitë si dhe nga komuniteti jo shumicë që jetojnë në Republikën e Kosovës.