Udhëheqësi i sapoemëruar i misionit të ICITAP-it në Kosovë Byron Mac Venzon vizitoi AKSP-në
Vushtrri, 19 tetor 2026 – Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) e vizitoi sot udhëheqësi i sapoemëruar i misionit të Programit Ndërkombëtar të Përkrahjes së Trajnimit të Hetimit të Krimit (ICITAP), pranë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, z. Byron Mac Venzon, i shoqëruar nga bashkëpunëtorja Remzije Ibrahimi.
Delegacioni u prit nga ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të AKSP-së, z. Shpend Shabani, dhe udhëheqësi i Divizionit për Marrëdhënie me Jashtë, z. Avni Istrefi.
Takimi kishte karakter njohës, me ç’rast z. Shabani i uroi mirëseardhje z. Mac Venzon dhe i dëshiroi suksese në ushtrimin e detyrës së re. Njëkohësisht, ai shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të ICITAP-it në zhvillimin dhe avancimin e kapaciteteve profesionale dhe institucionale në fushën e sigurisë publike.
Gjatë takimit, z. Shabani riafirmoi përkushtimin e AKSP-së për vazhdimin dhe avancimin e bashkëpunimit me ICITAP-in, edhe nën udhëheqjen e re të misionit në Kosovë, duke vlerësuar rëndësinë e këtij partneriteti për zhvillimin e mëtejmë të kapaciteteve profesionale të institucioneve të sigurisë publike.
Nga ana e tij, z. Mac Venzon shprehu kënaqësinë për vizitën dhe mikpritjen në AKSP, si dhe angazhimin për vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve, në frymën e partneritetit dhe bashkëpunimit të deritanishëm.