29/09/2026
Në AKSP u mbajt ceremonia e ndarjes së diplomave për studentët e diplomuar në vitet 2025 - 2026
Vushtrri, më 29 shtator 2026 - Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike u mbajt ceremonia e ndarjes së diplomave për studentët e Fakultetit të Sigurisë Publike, të cilët kanë përfunduar me sukses studimet në programin Bachelor në Siguri Publike gjatë viteve 2025 - 2026.
Ceremonia e organizuar nga Fakulteti i Sigurisë Publike, mblodhi së bashku të diplomuarit për të shënuar përfundimin e rrugëtimit të tyre akademik dhe për t’ua dorëzuar zyrtarisht diplomat e fituara pas përfundimit me sukses të programit të studimeve.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, ushtruesi i detyrës së Dekanit të Fakultetit të Sigurisë Publike, Prof. Asoc. Dr. Vilard Bytyqi, vlerësoi gatishmërinë e të diplomuarve për t’iu përgjigjur ftesës së Fakultetit dhe Akademisë dhe për t’u ri-takuar në një ceremoni të përbashkët simbolike me rastin e pranimit të diplomave. Ai përgëzoi të diplomuarit për angazhimin, përkushtimin dhe rezultatet e treguara gjatë rrugëtimit të tyre akademik.
Në mënyrë të veçantë, u.d. Dekani prof. Bytyqi vlerësoi angazhimin studentëve të cilët paralelisht me studimet kanë vazhduar të kryejnë edhe detyrat e tyre operative në shërbim të institucioneve ligj-zbatuese dhe interesit publik. Gjithashtu theksoi se Akademia i ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme që t’i pres studentët e rijnë që do t’i fillojnë studimet në vitin akademik 2026/2027.
Në emër të studentëve të diplomuar, të pranishmëve iu drejtua me një fjalë rasti edhe togeri Muhamed Berisha. Ai falënderoi Akademinë dhe Fakultetin e Sigurisë Publike për mundësinë e ofruar për studime, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme gjatë gjithë periudhës së studimeve. Tog. Berisha vlerësoi veçanërisht mirëkuptimin dhe fleksibilitetin gjatë studimeve, i cili u ka mundësuar studentëve që krahas obligimeve akademike, të vazhdojnë të përmbushin edhe përgjegjësitë dhe detyrat e tyre profesionale.
Me këtë rast, në emër të studentëve të diplomuar, togeri Muhamed Berisha i ndau u.d. Dekanit të Fakultetit të Sigurisë Publike, Prof. Asoc. Dr. Vilard Bytyqi, një mirënjohje në shenjë falënderimi për përkushtimin dhe kontributin e dhënë gjatë rrugëtimit të tyre akademik.
Ceremonia u përmbyll me dorëzimin e diplomave dhe realizimin e një fotografie të përbashkët me të diplomuarit dhe pjesëmarrësit, duke shënuar kështu në mënyrë simbolike përfundimin e një etape të rëndësishme të rrugëtimit të tyre akademik dhe profesional.