AKSP mori pjesë në Punëtorinë e Dytë Rajonale të RAPATC SEE
Shkup, 15-16 shtator 2026 – Një instruktor i taktikave mbrojtëse dhe dy kadetë të Trajnimit Profesional për Zyrtarë Policorë, të Gjeneratës së 63-të të Policisë së Kosovës në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), morën pjesë në Punëtorinë e Dytë Rajonale mbi Teknikat e Mbrojtjes, të organizuar nga Kryesuesi i radhës i Asociacionit Rajonal të Akademive Policore/Qendrave të Trajnimit të Evropës Juglindore (RAPATC SEE), Akademia Policore e Maqedonisë së Veriut.
Punëtoria u mbajt më 15 dhe 16 shtator 2026, në ambientet e Akademisë Policore në Shkup, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve policore dhe akademive të trajnimit nga rajoni.
Punëtoria kishte për qëllim përmbylljen e ciklit të zhvillimit të një kurrikule për teknikat themelore të mbrojtjes, të nevojshme për ushtrimin e autoritetit policor në situata të përditshme.
Në kuadër të punëtorisë u realizuan fotografi dhe xhirime të teknikave, skenarëve dhe ushtrimeve mbrojtëse, të cilat do të përdoren për përfshirjen dhe finalizimin e materialeve përkatëse në versionin përfundimtar të kurrikulës. Teknikat, skenarët dhe ushtrimet u demonstruan nga kadetët e policisë në palestrën e arteve marciale të Akademisë Policore në Shkup.
Instruktori Adnan Barileva dhe kadetët e Gjeneratës së 63-të të Policisë së Kosovës, Alketa Parduzi dhe Genc Aliu, demonstruan profesionalizëm dhe nivel të lartë të përgatitjes didaktike e fizike gjatë prezantimit të teknikave për përdorimin e shufrës së hapur dhe të mbyllur, si mjete për vënien nën kontroll të subjektit në rastet kur komunikimi verbal nuk është efektiv.
Përveç përfaqësuesve të Akademisë së Kosovës dhe nikoqirëve nga Maqedonia e Veriut, në punëtori morën pjesë edhe përfaqësues nga Greqia, Mali i Zi dhe Moldavia.
Asociacioni Rajonal i Akademive Policore/Qendrave të Trajnimit të Evropës Juglindore (RAPATC SEE) është themeluar më 14 tetor 2025 në Shkup, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga Kosova, Shqipëria, Kroacia, Greqia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Sllovenia dhe Moldavia.