Ambasadori Kosovës në Poloni Drilon Gashi vizitoi Akademinë e Kosovës për Siguri Publike
Vushtrri, 11 qershor 2026 - Sot Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) e vizitoi Shefi i Misionit të Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Varshavë të Polonisë, Ambasadori Sh.T.z. Drilon Gashi. Ai u prit nga u.d. i Drejtorit të Përgjithshëm të AKSP-së, z. Shpend Shabani, me bashkëpunëtorë.
Drejtori Shabani e njoftoi Ambasadorin Gashi për historikun e zhvillimit, mënyrën e funksionimit dhe detajet e organizimit të brendshëm, si dhe nivelin, sukseset dhe rezultatet e arritura së fundi nga Akademia.
Ai po ashtu e njoftoi atë edhe për bashkëpunimin e AKSP-së me Universitetin e Zjarrfikjes në Varshavë të Polonisë, bashkëpunim i cili deri më tani funksionon përmes Marrëveshjeve Ndër-Institucionale të të dyja institucione në kuadër të programit Erasmus+ të Bashkimit Evropian.
Shabani po ashtu i shprehu gatishmërinë Gashit për mundësitë e thellimit dhe zgjerimit të bashkëpunimit të AKSP-së edhe me Universitetin e Zjarrfikjes në baza dypalëshe, por edhe me institucione tjera relevante të Polonisë që mbulojnë fushën e trajnimit profesional dhe arsimit të lartë në sigurinë publike, përkatësisht zbatimin e ligjit.
Nga ana e tij, Ambasadori Gashi vlerësoi lart përpjekjet dhe të arriturat e Akademisë në drejtim të arritjes së standardeve ndërkombëtare dhe të sukseseve të njëpasnjëshme në fushën e arsimit dhe të trajnimit në sigurinë publike, të cilat shfaqen edhe në performancën dhe sukseset e të gjitha gjashtë institucioneve të sigurisë publike të Kosovës, si brenda po ashtu edhe jashtë vendit.
Ai foli me konsideratat më të larta për të gjitha këto rezultate dhe suksese, duke shprehur gatishmërinë e tij që të ngrisë dhe thellojë edhe më tutje bashkëpunimin e AKSP-së me institucione të ngjashme nga Polonia.
Në fund të takimit, Ambasadori Gashi vizitoi hapësirat e kampusit të Akademisë dhe pati rastin që me një fjalim të shkurtër t’i drejtohet kadetëve të Gjeneratës 63 të Policisë së Kosovës, të cilët aktualisht po e ndjekin trajnimin profesional në Akademi.