Kryeministri Kurti dhe Ministri Sveçla vizituan Akademinë e Kosovës për Siguri Publike
Vushtrri, 26 maj 2026 - Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, dhe Ministri i Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla, u pritën sot në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike nga u.d. Drejtori i Përgjithshëm i AKSP-së, z. Shpend Shabani.
Në këtë vizitë morën pjesë edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Kolonel Gazmend Hoxha dhe Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Kolonel Fehmi Hoti.
Gjatë takimit prezantues, Drejtori i Përgjithshëm i AKSP-së prezantoi zhvillimin institucional të Akademisë, modelin unik të integruar të trajnimit dhe arsimit në siguri publike, të arriturat kryesore institucionale, proceset e akreditimit vendor dhe ndërkombëtar, zhvillimin e programeve akademike dhe profesionale, si dhe orientimet strategjike të Akademisë për periudhën e ardhshme.
Në kuadër të prezantimit u theksua roli i AKSP-së si institucion i vetëm publik në Republikën e Kosovës i specializuar në trajnimin profesional dhe arsimin e lartë në fushën e sigurisë publike, duke ofruar programe trajnuese dhe akademike për Policinë e Kosovës, Shërbimin Korrektues të Kosovës, Shërbimin Sprovues të Kosovës, Doganën e Kosovës, Agjencinë e Menaxhimit Emergjent dhe Inspektoratin Policor të Kosovës.
Kryeministri Kurti vlerësoi progresin dhe zhvillimin institucional të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, duke theksuar se: “Akademia duhet të fuqizohet dhe të zhvillohet jo vetëm si institucion mbështetës për mekanizmat e sigurisë, por edhe në dimensionin e saj akademik dhe hulumtues, përmes analizave strategjike, studimeve profesionale dhe kontributit në hartimin e politikave të sigurisë. Mbështetja jonë në të gjitha këto drejtime do të vazhdojë të jetë e plotë dhe e parezervë, me synim forcimin e mëtejmë të Akademisë si institucion i rëndësisë së veçantë për sigurinë dhe zhvillimin institucional të Republikës së Kosovës”.
Ndërsa Ministri i Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla, vlerësoi rolin dhe rëndësinë e Akademisë në zhvillimin profesional dhe institucional të mekanizmave të sigurisë publike, duke ritheksuar mbështetjen për avancimin e mëtejmë të AKSP-së.
Në pjesën e dytë të vizitës, Kryeministri Kurti dhe Ministri Sveçla së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të AKSP-së dhe PK-së zhvilluan drekë të përbashkët me kadetët e Gjeneratës së 63-të të Policisë së Kosovës, ndër të cilët janë edhe dy djemtë e zyrtarëve policorë të rënë në krye të detyrës, Sokol Enver Zymeri dhe Jetlum Afrim Bunjaku.
Vizita vazhdoi në Simulatorin e Trajnimeve me Armë Zjarri, ku u prezantuan kapacitetet trajnuese dhe investimet në zhvillimin profesional të institucioneve të sigurisë publike.