Në AKSP u mbajt Trajnimi për Hetimin dhe Reagimin ndaj Incidenteve Kibernetike (CIIRT)
Vushtrri, 12 qershor 2026 - Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, nga data 8 deri më 12 qershor 2026, u realizua trajnimi me temë “Hetimi dhe Reagimi ndaj Incidenteve Kibernetike” (Cyber Incident Investigations and Response Training), i ofruar nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (U.S. Department of Homeland Security).
Në trajnim morën pjesë zyrtarë nga Policia e Kosovës, Agjencia e Kosovës për Forenzikë, Agjencia për Shoqërinë e Informacionit dhe Autoriteti Rregullator i Komunikimeve Elektronike dhe Postare.
Trajnimi kishte për qëllim avancimin e kapaciteteve profesionale në fushën e sigurisë kibernetike, me fokus në hetimin, analizimin dhe reagimin ndaj incidenteve kibernetike si pjesë e përpjekjeve më të gjëra kundër terrorizmit dhe kundër organizatave kriminale transnacionale.
Gjatë pesë ditëve të trajnimit, pjesëmarrësit u njohën me konceptet bashkëkohore të mbrojtjes kibernetike, metodologjitë e identifikimit dhe analizimit të kërcënimeve, proceset e reagimit ndaj incidenteve, si dhe me praktikat më të mira ndërkombëtare në këtë fushë.
Programi përfshiu ligjërata teorike dhe ushtrime praktike, të cilat mundësuan zhvillimin e aftësive për identifikimin e treguesve të komprometimit, analizimin e të dhënave relevante për hetime kibernetike dhe menaxhimin efektiv të incidenteve të sigurisë.
Trajnimi u përmbyll me një ushtrim praktik gjithëpërfshirës, ku pjesëmarrësit aplikuan njohuritë e fituara në trajtimin e një skenari të simuluar të një incidenti kibernetik.
Organizimi i këtij trajnimi paraqet një kontribut të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe ndërinstitucionale në fushën e sigurisë kibernetike, si dhe në avancimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë në përballjen me sfidat e sigurisë në hapësirën digjitale.