Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike u shënua 50-vjetori i diplomimit të Gjeneratës së Parë të Kadetëve të Shkollës së Mesme për Punë të Brendshme
Vushtrri, 23 maj 2025 - Me rastin e 50-vjetorit të diplomimit, gjenerata e parë e kadetëve të Shkollës së Mesme për Punë të Brendshme (1971–1975) ka realizuar një vizitë ceremoniale në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike. Kjo ngjarje shënuese u organizua për të nderuar kontributin dhe trashëgiminë e kësaj gjenerate që ka luajtur një rol të rëndësishëm në ndërtimin e institucioneve të sigurisë në vend.
Gjatë vizitës, ish-kadetët patën mundësinë të vizitojnë ambientet e Akademisë, ku u pritën me respekt dhe vlerësim nga drejtuesit dhe stafi i Akademisë. Në kuadër të qëndrimit të tyre në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, ata vizituan një nga klasat e gjeneratës aktuale të kadetëve të Policisë së Kosovës, duke krijuar një lidhje simbolike ndërmjet brezave dhe një moment frymëzimi për të rinjtë që po ndjekin rrugën e shërbimit policor.
Pjesëmarrësit u njoftuan gjithashtu për progresin e arritur ndër vite nga Akademia e Kosovës për Siguri Publike, përfshirë zhvillimet në fushën e trajnimeve, modernizimin e infrastrukturës, si dhe procesin e ndërkombëtarizimit të institucionit përmes bashkëpunimeve me institucione dhe organizata partnere ndërkombëtare.
Ngjarja u karakterizua nga emocione të veçanta dhe reflektim mbi rrugëtimin profesional të kësaj gjenerate të parë, duke u shndërruar në një moment të rëndësishëm të përkujtesës, vlerësimit dhe vazhdimësisë së traditës në fushën e sigurisë publike në Kosovë.