OSBE së bashku me AKSP-në dhe Policinë e Kosovës përgatisin fëmijët e Kosovës me shkathtësi dhe përvoja të veçanta të rëndësishme për të ardhmen e tyre
Vushtrri, 8 maj 2025 - Dje dhe sot, në ambientet e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike (AKSP), 36 fëmijë të shkollave fillore nga e mbarë Kosova morën pjesë në ngjarjen ‘Fuqizimi i rolit të rinisë në paqe dhe siguri’, e cila u organizua nga Misioni i OSBE-së në Kosovë në bashkëpunim me Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), Policinë e Kosovës (PK), Shërbimin Korrektues të Kosovës (SHKK), dhe Agjencinë e Menaxhimit Emergjent (AME). Gjatë ditës së parë të qëndrimit të tyre në AKSP, ata u njohën me fushëveprimtarinë e Akademisë, punën e institucioneve te sigurisë publike të cekura më lartë. Për më tepër, ata u njoftuan nga zyrtarë të PK-së dhe të OSBE-së për tema të tjera të rëndësishme për ta, siç janë parandalimi i kërcënimeve dhe abuzimeve me të rinjtë në shkolla, si abuzimi me droga, ngacmimi seksual dhe dhuma në familje, si dhe Agjenda e Rinisë për Paqe dhe Siguri dhe Rezoluta e Këshillit të Sigurimit të OKB-së 2250 për Rininë në Paqe dhe Siguri. Në mbrëmjen e ditës së parë të këtij aktiviteti, fëmijët u njohën me ambientet e AKSP-së si dhe zhvilluan aktivitete sportive në palestër.
Përderisa ditën e dytë dhe të fundit të kësaj ngjarjeje, fëmijët patën rastin e veçantë të marrin pjesë në paradën e nderit të gjeneratës së 62-të të Policisë së Kosovës, e cila aktualisht po e zhvillon trajnimin në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike. Atyre me një fjalë rasti iu drejtuan: Shpend Shabani, Zëvendësues i Drejtorit të Përgjithshëm të AKSP-së, Kolonelja Taibe Canolli, Drejtoreshë e Departamentit të Burimeve Njerëzore në PK dhe Cornelia Taylor, Zëvendës Shefe e Misionit të OSBE-së në Kosovë. Fëmijët pjesëmarrës simuluan ngjarje të ndryshme të kanosjes së sigurisë së tyre, duke praktikuar edhe mënyrën e reagimit të tyre në të tilla situata.
Në vazhdim të kësaj dite, fëmijët zhvilluan vizita në hapësira të ndryshme të Policisë së Kosovës, duke përfshirë dhomën operative në Drejtorinë e Përgjithshme si dhe kampin e njësive speciale në Vrellë të Lipjanit.
Në fund të kësaj ngjarjeje, fëmijëve të pranishëm iu ndanë certifikatat e pjesëmarrjes.