Nënshkruhet Marrëveshja e Bashkëpunimi ndërmjet AKSP-së dhe KGJK-së
Prishtinë, 28 maj 2025 - Në ambientet e Këshillit Gjyqësor të Kosovës është nënshkruar Memorandumi i Bashkëpunimit ndërmjet Akademisë së Kosovës për Siguri Publike (AKSP) dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK). Marrëveshja u nënshkrua nga Zëvendësuesi i Drejtorit të Përgjithshëm të AKSP-së, Shpend Shabani dhe Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj.
Kjo Marrëveshje synon vendosjen e një partneriteti të qëndrueshëm ndërmjet dy institucioneve, me qëllim realizimin e aktiviteteve të përbashkëta në fushat e trajnimit, zhvillimit profesional, kërkimit shkencor, si dhe në aktivitete akademike dhe profesionale. Marrëveshja synon gjithashtu ngritjen e cilësisë institucionale në sistemin e trajnimit dhe arsimimit në fushën e sigurisë publike dhe atij gjyqësor.
Me këtë rast, Zëvendësuesi Shabani dhe Kryesuesi Zogaj theksuan rëndësinë e formalizimit të bashkëpunimit ndërinstitucional, duke nënvizuar se kjo Marrëveshje do të mbështesë zhvillimin e aktiviteteve në përputhje me legjislacionin në fuqi, si dhe në përputhje me parimet e transparencës, profesionalizmit dhe besimit të ndërsjellë institucional.
Palët shprehën gatishmërinë për avancimin e mëtejmë të këtij bashkëpunimi, në funksion të arritjes së objektivave të përbashkëta dhe përforcimit të kapaciteteve institucionale në fushat përkatëse.