}

NewsArticle

07/09/2026

Delegacioni i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Maqedonisë së Veriut vizitoi AKSP-në

 

Vushtrri, 7 shtator 2026 – Delegacioni i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, i kryesuar nga zëvendësministri z. Astrit Iseni, i shoqëruar nga zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, z. Enver Dugolli, vizitoi Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), ku u prit nga ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të AKSP-së, z. Shpend Shabani, me bashkëpunëtorë.

 

Zëvendësministri z. Enver Dugolli falënderoi delegacionin për vizitën dhe vlerësoi rolin e rëndësishëm të AKSP-së në përgatitjen profesionale të kuadrove të institucioneve të sigurisë, përfshirë zyrtarët policorë, korrektues, doganorë dhe zjarrfikës. Ai vlerësoi punën dhe angazhimin e Akademisë në zhvillimin e kapaciteteve profesionale të institucioneve për zbatimin e ligjit dhe forcimin e sigurisë publike.

 

Ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të AKSP-së, z. Shpend Shabani, i uroi mirëseardhje delegacionit dhe e vlerësoi vizitën si një mundësi të rëndësishme për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të sigurisë të të dyja vendeve.

 

Në këtë kuadër, z. Shabani theksoi gatishmërinë e AKSP-së për thellimin e bashkëpunimit me institucionet homologe të Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke veçuar bashkëpunimin e deritashëm me Qendrën e Trajnimit në Idrizovë dhe Fakultetin e Sigurisë. Ai nënvizoi rëndësinë e shkëmbimit të përvojave, praktikave të mira dhe njohurive profesionale, me synim forcimin e kapaciteteve institucionale, ngritjen e standardeve profesionale dhe avancimin e bashkëpunimit rajonal në fushën e sigurisë publike.

 

Në këtë drejtim, z. Shabani, theksoi edhe rolin e AKSP-së si bashkëthemeluese e Asociacionit Rajonal të Akademive Policore.

 

Nga ana e tij, zëvendësministri z. Astrit Iseni përgëzoi AKSP-në për zhvillimin e kapaciteteve profesionale dhe infrastrukturore, duke vlerësuar standardet e avancuara të aplikuara në fushën e trajnimit dhe përgatitjes profesionale për sigurinë publike. Ai theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit ndërinstitucional të të dyja vendeve dhe shkëmbimit të përvojave e praktikave të mira, duke vlerësuar veçanërisht modelin dhe qasjen e trajnimeve të aplikuara këtu në AKSP.

 

Vizita u përmbyll me një drekë të përbashkët, ku të ftuar nderi ishin edhe djemtë e heronjve të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku dhe Enver Zymberi, të cilët janë pjesë e Gjeneratës së 63-të të kadetëve të Policisë së Kosovës.


 

  • Share:

Lexo lajme tjera:

AKSP dhe Spitali i Përgjithshëm i Vushtrrisë forcojnë bashkëpunimin institucional
AKSP dhe Spitali i Përgjithshëm i Vushtrrisë forcojnë bashkëpunimin institucional

 

Vushtrri, 1 shtator 2026 - Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) u zhvillua takim ndërmjet drejtuesve të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike dhe Spitalit të Përgjithshëm të Vushtrrisë, me fokus në forcimin e bashkëpunimit dhe koordinimit ndërinstitucional. Në takim morën pjesë U.D. Drejtori i AKSP-së, z. Shpend Shabani, dhe Drejtori i Spitalit të Përgjithshëm të Vushtrrisë, z. Besim Muzaqi, së bashku me bashkëpunëtorët e tyre.

 

Gjatë takimit u diskutua për mundësitë e përkrahjes nga AKSP gjatë periudhës së ndërtimit të objektit të ri spitalor, përfshirë mundësinë e shfrytëzimit të një pjese të hapësirave të Akademisë në raste emergjente në spital.

 

Po ashtu, u diskutua mundësia që Spitali “Sheikh Zayed” të ofrojë një ditë të veçantë për kontrolle dhe shërbime shëndetësore për kadetët që vijojnë programet trajnuese në Akademi.

 

Bashkëpunimi dhe koordinimi ndërinstitucional synojnë realizimin e projekteve të rëndësishme dhe ofrimin e shërbimeve më cilësore.

Lexo më shumë
Logo

Na ndiqni në rrjetet sociale!

Lokacioni:

Rr: "Gjergj Kastrioti Skënderbeu", Nr.60, 42000 Vushtrri, Republika e Kosovës