Delegacioni nga Maqedonia e Veriut vizitoi Akademinë e Kosovës për Siguri Publike
Vushtrri, 19 gusht 2026 – Një delegacion nga Republika e Maqedonisë së Veriut, i kryesuar nga z. Aleksandar Pandov, Drejtor i Drejtorisë për Ekzekutimin e Sanksioneve, vizitoi Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), ku u prit nga ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të AKSP-së, z. Shpend Shabani, me bashkëpunëtorë, si dhe nga z. Ismail Dibrani, Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK) me bashkëpunëtorë.
Z. Shpend Shabani i uroi mirëseardhje delegacionit dhe e falënderoi për vizitën, duke vlerësuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet institucioneve të sigurisë së Republikës së Kosovës dhe atyre të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Në këtë drejtim, z. Shabani theksoi se AKSP mbetet e hapur dhe e gatshme për thellimin e bashkëpunimit me institucionet homologe të Republikës së Maqedonisë së Veriut, veçanërisht përmes shkëmbimit të përvojave, praktikave të mira dhe njohurive profesionale, me synim fuqizimin e mëtejshëm të kapaciteteve të institucioneve të sigurisë dhe kontribuimin në zhvillimin e bashkëpunimit rajonal, si dhe më gjerë.
Drejtori i SHKK-së, Ismail Dibrani, u uroi të pranishmëve mirëseardhje në Kosovë dhe në Akademi, duke çmuar bashkëpunimin profesional që kanë të dyja institucionet përkatëse për ekzekutimin e sanksioneve penale të të dyja shteteve, pra Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Drejtoria për Ekzekutimin e Sanksioneve e Maqedonisë së Veriut.
Ai i njoftoi shkurtimisht të pranishmit lidhur me rolin, misionin dhe fushëveprimtarinë e Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK), duke theksuar se kjo vizitë paraqet një mundësi të mirë për njohje më të afërt me punën, praktikat dhe përvojat e këtij institucioni. Duke vlerësuar nivelin e lartë të bashkëpunimit ndërinstitucional, drejtori Dibrani shprehu gatishmërinë për të vazhduar dhe thelluar shkëmbimin e përvojave dhe praktikave të mira, jo vetëm me homologët nga Republika e Maqedonisë së Veriut, por edhe me institucionet homologe nga vendet e rajonit.
Gjatë takimit, delegacioni nga Republika e Maqedonisë së Veriut u njoftua për misionin, funksionin dhe aktivitetet e AKSP-së, si dhe për bashkëpunimin e saj me institucionet vendore, rajonale dhe ndërkombëtare në fushën e sigurisë publike. Në veçanti, u prezantua bashkëpunimi ndërmjet AKSP-së dhe institucioneve të sigurisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, me theks në shkëmbimin e përvojave dhe zhvillimin e kapaciteteve profesionale.
Nga ana e tij, Drejtori i Drejtorisë për Ekzekutimin e Sanksioneve të Maqedonisë së Veriut, Aleksandar Pandov, shprehu mirënjohje për mikpritjen e ofruar në AKSP, si dhe vlerësoi lart të arriturat e Akademisë në ndërtimin dhe zhvillimin e kapaciteteve profesionale në fushën e sigurisë publike.
Përfaqësuesit e delegacionit të Republikës së Maqedonisë së Veriut veçanërisht vlerësuan rolin e AKSP-së në ofrimin e programeve të avancuara të trajnimit profesional, në përputhje me standardet dhe praktikat bashkëkohore ndërkombëtare.
Në përfundim, të dyja palët shprehën gatishmërinë për vazhdimin dhe avancimin e bashkëpunimit, duke vlerësuar se shkëmbimi i vazhdueshëm i përvojave dhe praktikave profesionale ndërmjet institucioneve homologe kontribuon në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe në avancimin e sigurisë publike në nivel rajonal.