Zyrtarë të lartë të AKSP-së morën pjesë në Kongresin e 8-të Ndërkombëtar të FRANCOPOL në Paris
Paris, 10 tetor 2025 – Me ftesë të FRANCOPOL (Rrjeti Ndërkombëtar Frankofon i Trajnimit Policor), ku Akademia e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) është anëtare me të drejta të plota, zyrtarë të lartë të AKSP-së morën pjesë në Kongresin e 8-të Ndërkombëtar të FRANCOPOL, i cili u mbajt gjatë datave 7 - 9 tetor 2025 në ambientet e Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar të Sigurisë të Ministrisë së Brendshme Franceze, në Paris, Francë. AKSP në këtë ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare u përfaqësua nga z. Shpend Shabani, Ushtrues i Detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm, dhe z. Avni Istrefi, Udhëheqës i Divizionit për Marrëdhënie me Jashtë.
Në kuadër të programit u mbajt asambleja e anëtarëve të rrjetit FRANCOPOL dhe Kongresi i 8-të i FRANCOPOL-it me ç’rast u zhvilluan sesione të veçanta pune, ku pjesëmarrësit ndanë përvoja dhe arritjet e tyre nga hulumtimet shkencore në fushën e arsimit policor dhe sigurisë publike. Diskutimet u përqendruan në zhvillimet bashkëkohore të trajnimit policor, përdorimin e teknologjive të reja dhe Inteligjencës Artificiale në proceset e mësimdhënies dhe trajnimit, si dhe në forcimin e kapaciteteve profesionale të institucioneve të sigurisë. Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e integrimit të inovacionit digjital dhe trajnimeve virtuale në përgatitjen e kuadrove të sigurisë publike dhe ndarjen e përvojave të përbashkëta ndërmjet vendeve anëtare të rrjetit FRANCOPOL.
Pjesëmarrja e AKSP-së në këtë ngjarje përfaqëson një hap të rëndësishëm në procesin e ndërkombëtarizimit të AKSP-së në veçanti, dhe të Republikës së Kosovës në përgjithësi, në përputhje me strategjinë shtetërore për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e arsimit dhe trajnimit të sigurisë publike. Në këtë ngjarje treditore, ishin të pranishëm përfaqësues të anëtarëve të FRANCOPOL nga vendet e ndryshme të botës si: Franca, Kanada, Zvicra, Belgjika, Luksemburgu, Kamboxhia, Haiti, Kameruni, Senegali, etj.
Kjo pjesëmarrje e AKSP-së në Kongresin e 8-të të FRANCOPOL është mundësuar dhe përkrahur falë bashkëpunimit të ngushtë dhe mbështetjes së Projektit “HAPE” (Programi i Punëve të Brendshme i Bashkimit Evropian në Kosovë). Kjo mbështetje përbën një kontribut të rëndësishëm në forcimin dhe zhvillimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërkombëtar të AKSP-së, ngritjen e kapaciteteve institucionale, si dhe përmirësimin e cilësisë së trajnimeve në përputhje me standardet evropiane të sigurisë publike, përfshirë shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira profesionale.
AKSP mbetet e përkushtuar të vazhdojë bashkëpunimin me rrjetet ndërkombëtare të trajnimit policor dhe të avancojë në përfshirjen e praktikave inovative në proceset e trajnimit dhe edukimit të sigurisë publike në Kosovë.