Mbledhja e parë e Këshillit të Etikës në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike
Vushtrri, 30 shtator, 2025 - Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike u mbajt mbledhja e parë e Këshillit të Etikës, i cili ka mandatë promovimin e integritetit akademik, respektimin e normave etike dhe adresimin e çështjeve që lidhen me etikën profesionale dhe akademike.
Mbledhjen e hapi ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të AKSP-së z. Shpend Shabani i cili theksoi rëndësinë e funksionimit të këtij organi për forcimin e kulturës akademike dhe përmbushjen e standardeve të akreditimit, duke shtuar se me themelimin e këtij Këshilli po i shtohet edhe një vlerë institucionit tonë. “Ne si institucion synojmë jetësimin e vlerave etike dhe të integritetit. Po ashtu u zotua se do të ofroj mbështetje për çdo iniciativë dhe aktivitet të këtij Këshilli i cili është edhe një nga indikatorët për plotësimin e standardeve të akreditimit”, tha z. Shabani.
Për rendësin e funksionit dhe rolin e Këshillit të Etikës foli edhe Dekani i Fakultetit të Sigurisë Publike z. Ferid Azemi, i cili falënderoi të pranishmit, duke iu uruar punë të mbarë anëtarëve të Këshillit, ndërsa theksoi se funksionimi i këtij Këshilli është shumë i nevojshëm, sidomos tani kur ka marrë hov të madh zhvillimi i teknologjisë.
“Në aspektin akademik është shumë e nevojshme të bëhet promovimi i vlerave hulumtuese duke iu shmangur plagjiaturës sepse edhe aplikimi i teknologjisë e sidomos inteligjencës artificiale mund të krijoj rezultate negative në plagjiaturë. Andaj qëllimi i këtij Këshilli përveç aspektit disiplinor mendoj se duhet orientohet më shumë në dimensionin e sensibilizimit dhe preventives rreth proceseve plagjiaturës ku përmes fushatave dhe dokumenteve promovuese mund të arrihet ky qëllim”, tha z. Azemi.
Nga aspekti i sigurimit të cilësisë foli edhe z. Emin Uka, Udhëheqës i Divizionit për Sigurimin e Cilësisë i cili theksoi se ky Këshill ka vlerë të madhe për institucionin tonë e sidomos nga aspekti i cilësisë dhe besoj se Këshilli i Etikës mund të krijojë dhe instalojë kulturë etike si vlera të cilat do ti jetësojmë.
Tutje z. Emini tha se, sipas standardeve akredituese roli dhe puna e këtij Këshilli është shumë dimensional dhe ndihmon institucionin në përmbushjen e tyre.
Në këtë takim u prezantua përbërja e Këshillit dhe u diskutua për hartimin e draftit për plani vjetor të punës së Këshillit të Etikës i cili do të jetë një udhërrëfyes për punën dhe dëshmi e angazhimit për të përmbushur përgjegjësitë ndaj vlerave të përbashkëta dhe i cili do të përfshijë aktivitete të ndërgjegjësimit mbi integritetin akademik, organizimin e trajnimeve dhe ligjëratave për student dhe stafin akademik.
Takimi u finalizua me zotimin e anëtarëve për bashkëpunim të ngushtë dhe përkushtim në përmbushjen e mandatit të Këshillit.