Trajnim, arsimim dhe hulumtim me cilësi të lartë në fushën e sigurisë publike

Lajmet

U.d. Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë, Shpend Shabani, ndau mirënjohje për instruktorin Adnan Barileva dhe kadetët Alketa Parduzi e Genc Aliu

Vushtrri, 18 shtator 2026 – Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Akademisë, z. Shpend Shabani, priti sot në takim instruktorin e taktikave mbrojtëse, z. Adnan Barileva, si dhe kadetët e Gjeneratës së 63-të të Policisë së Kosovës, Alketa Parduzi dhe Genc Aliu.

 

Me këtë rast, z. Shabani i përgëzoi instruktorin dhe kadetët për profesionalizmin, përkushtimin dhe nivelin e lartë të përgatitjes së dëshmuar gjatë pjesëmarrjes në Punëtorinë e Dytë Rajonale mbi Teknikat e Mbrojtjes, të mbajtur në Shkup, ku ata prezantuan teknikat për përdorimin e shufrës së hapur dhe të mbyllur.

 

Në shenjë vlerësimi për kontributin dhe profesionalizmin e treguar gjatë kësaj punëtorie, u.d. Drejtori i Përgjithshëm, z. Shpend Shabani, u ndau mirënjohje instruktorit Adnan Barileva dhe kadetëve Alketa Parduzi e Genc Aliu.

 

Punëtoria e Dytë Rajonale mbi Teknikat e Mbrojtjes u organizua nga Akademia Policore e Maqedonisë së Veriut, në cilësinë e Kryesuesit të radhës të Asociacionit Rajonal të Akademive Policore/Qendrave të Trajnimit të Evropës Juglindore (RAPATC SEE).

AKSP mori pjesë në Punëtorinë e Dytë Rajonale të RAPATC SEE

 

Shkup, 15-16 shtator 2026 – Një instruktor i taktikave mbrojtëse dhe dy kadetë të Trajnimit Profesional për Zyrtarë Policorë, të Gjeneratës së 63-të të Policisë së Kosovës në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), morën pjesë në Punëtorinë e Dytë Rajonale mbi Teknikat e Mbrojtjes, të organizuar nga Kryesuesi i radhës i Asociacionit Rajonal të Akademive Policore/Qendrave të Trajnimit të Evropës Juglindore (RAPATC SEE), Akademia Policore e Maqedonisë së Veriut.

 

Punëtoria u mbajt më 15 dhe 16 shtator 2026, në ambientet e Akademisë Policore në Shkup, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve policore dhe akademive të trajnimit nga rajoni.

 

Punëtoria kishte për qëllim përmbylljen e ciklit të zhvillimit të një kurrikule për teknikat themelore të mbrojtjes, të nevojshme për ushtrimin e autoritetit policor në situata të përditshme.

 

Në kuadër të punëtorisë u realizuan fotografi dhe xhirime të teknikave, skenarëve dhe ushtrimeve mbrojtëse, të cilat do të përdoren për përfshirjen dhe finalizimin e materialeve përkatëse në versionin përfundimtar të kurrikulës. Teknikat, skenarët dhe ushtrimet u demonstruan nga kadetët e policisë në palestrën e arteve marciale të Akademisë Policore në Shkup.

 

Instruktori Adnan Barileva dhe kadetët e Gjeneratës së 63-të të Policisë së Kosovës, Alketa Parduzi dhe Genc Aliu, demonstruan profesionalizëm dhe nivel të lartë të përgatitjes didaktike e fizike gjatë prezantimit të teknikave për përdorimin e shufrës së hapur dhe të mbyllur, si mjete për vënien nën kontroll të subjektit në rastet kur komunikimi verbal nuk është efektiv.

 

Përveç përfaqësuesve të Akademisë së Kosovës dhe nikoqirëve nga Maqedonia e Veriut, në punëtori morën pjesë edhe përfaqësues nga Greqia, Mali i Zi dhe Moldavia.

 

Asociacioni Rajonal i Akademive Policore/Qendrave të Trajnimit të Evropës Juglindore (RAPATC SEE) është themeluar më 14 tetor 2025 në Shkup, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga Kosova, Shqipëria, Kroacia, Greqia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Sllovenia dhe Moldavia.


 

Zgjatet afati për dorëzimin e abstrakteve për Konferencën e V-të Shkencore Ndërkombëtare në Siguri Publike

 

Vushtrri, 15 shtator 2026 - Akademia e Kosovës për Siguri Publike njofton të gjithë studiuesit, profesorët universitarë, hulumtuesit, ekspertët e sigurisë dhe profesionistët e fushave relevante se është zgjatur afati për dorëzimin e abstrakteve për Konferencën e V-të Shkencore Ndërkombëtare në Siguri Publike.

 

Sipas afateve të reja të përcaktuara për organizimin e konferencës, afati për dorëzimin e abstrakteve është zgjatur deri më 31 tetor 2026. Autorët do të njoftohen për pranimin e abstrakteve më së largu deri më 5 nëntor 2026, ndërsa regjistrimi për pjesëmarrje në konferencë do të bëhet deri më 10 nëntor 2026.

 

Njëkohësisht, është ndryshuar mënyra e dorëzimit të punimeve të plota. Pjesëmarrja dhe prezantimi i punimeve në konferencë realizohen në bazë të abstrakteve të pranuara, ndërsa autorëve të interesuar për publikimin e punimeve të plota u mundësohet dorëzimi i tyre edhe pas përfundimit të konferencës, më së largu deri më 31 dhjetor 2026. Punimet e dorëzuara për publikim do t’i nënshtrohen procedurave përkatëse të vlerësimit shkencor para publikimit.

 

Konferenca synon të shërbejë si platformë ndërkombëtare për shkëmbimin e njohurive, përvojave dhe rezultateve të hulumtimeve shkencore në fushën e sigurisë publike, me fokus të veçantë në transformimin digjital, inteligjencën artificiale, sigurinë kibernetike dhe sfidat bashkëkohore të sigurisë.

 

Afatet e përditësuara janë:

 

Dorëzimi i abstrakteve: deri më 31 tetor 2026

Njoftimi për pranimin e abstrakteve: deri më 5 nëntor 2026

Regjistrimi për pjesëmarrje: deri më 10 nëntor 2026

Publikimi i agjendës finale: 10 nëntor 2026

Mbajtja e konferencës: 19-20 nëntor 2026

Dorëzimi i punimeve të plota (nga autorët e interesuar për publikim): deri më 31 dhjetor 2026

 

Abstraktet dorëzohen në adresën elektronike: [email protected].

 

Për kriteret akademike dhe shkencore, formatin e abstraktit, formatin e punimit të plotë dhe informata të tjera rreth konferencës, të interesuarit mund t’u referohen dokumenteve të publikuara në thirrjen për punime të publikuar më 26.06.2026: https://aksp-ks.net/News/NewsArticle/872

 

Pjesëmarrja në konferencë është pa pagesë.


 

Statistikat

0

Numri i vijuesve të trajnimeve

0

Numri i trajnimeve

0

Numri i të diplomuarve në FSP

Institucionet e Sigurisë Publike

Pyetjet e shpeshta

Akademia e Kosovës për Siguri Publike është institucion përgjegjës për ofrimin e trajnimeve dhe arsimit të lartë, zbatimin e politikave dhe strategjive të trajnimit, arsimimit të lartë si dhe zhvillimin e kapaciteteve në fushën e sigurisë publike për të gjitha institucionet e sigurisë publike në Republiken e Kosovës por pa u kufizuar vetëm në:

  1. Policinë e Kosovës;
  2. Shërbimin Korrektues;
  3. Shërbimin Sprovues;
  4. Doganën e Kosovës;
  5. Agjencinë e Menaxhimit Emergjent
  6. Inspektoratin Policor të Kosovës

Zyrtar i një Agjencie të Sigurisë Publike (ASP) mund të bëhet çdo qytetar i Republikës së Kosovës i cili duhet të kaloj përmes procedurave te hapura të konkurimit. Aplikimi mund të bëhet përmes faqes zyrtare të internetit të ASP-ve përkatëse apo kritereve të përcaktuara paraprakisht prej ASP-ve, dhe pas përzgjedhjes sipas kritereve të konkursit, i njëjti i nënshtrohet Trajnimit Profesional në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP).

Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) ofron trajnime të niveleve të ndryshme dhe arsim të lartë për zyrtarët e sigurisë publike me qëllim të ngritjes dhe zhvillimit të kapaciteteve të tyre.

 

Programet e trajnimit fillojnë nga Trajnimi Profesional, që u dedikohet zyrtarëve fillestar që për herë të parë themelojnë marrëdhënie pune, pastaj trajnime bazike, të avancuara dhe të specializuara. Në kuadër të këtyre kategorive hyjnë trajnimi për zhvillimin e instruktorëve (ToT) dhe menaxhment dhe lidership.

Varësisht nga Analiza e Nevojave për Trajnim të Agjencioneve të Sigurisë Publike, përzgjidhen zyrtarët e caktuar për të ndjekur trajnimin përkatës. Këtë propozim për te ndjekur trajnime e bëjnë udhëheqësit e drejtperdrejt nga Agjencitë e Sigurisë Publike përkatëse, me qëllim të ngritjes së kapaciteteve të zyrtareve publik (zbatuesve të ligjit) dhe ofrimin e njohurive dhe shkathtësive qoft të atyre të domosdoshme apo të reja për fusha të caktuara.

Për informata të mëtejshme, mund të vizitoni faqen zyrtare të AKSP-së (www.aksp-ks.net) ose të kontaktoni përmes telefonit në numrin zyrtar: +383 (0)28 59 00 70.

Na Kontaktoni!

Kontaktet

Zyrtar përgjegjës për të pranuar dhe trajtuar sinjalizimin
Zyrtari përgjegjës për qasje në dokumente publike
Zyrtari kontaktues me Agjencinë për Parandalimin e Korrupcionit (APK)
Zyrtari përgjegjës për zgjidhjen e situatave të konfliktit të interesit
Zyrtari për mbrojtjen e të dhënave personale
Numri i telefonit

+383 28 590 070

Orari i punës

Hëne-Premte 08:00-16:00