AKSP zhvilloi punëtori dyditore për hartimin e Strategjisë Zhvillimore Institucionale dhe Planit të Veprimit 2027–2031, me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Kosovë
Vushtrri, 25 nëntor 2026 - Akademia e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Kosovë, më 24 dhe 25 nëntor 2026 zhvilloi një punëtori dyditore për planifikim strategjik, në kuadër të procesit të hartimit të Strategjisë Zhvillimore Institucionale dhe Planit të Veprimit për periudhën 2027–2031.
Në këtë aktivitet morën pjesë 26 përfaqësues të AKSP-së, me përgjegjësi menaxheriale dhe vendimmarrëse, si dhe dy përfaqësues të Misionit të OSBE-së në Kosovë. Në punëtori ishte i angazhuar edhe eksperti ndërkombëtar z. John Doone, i cili ofroi mbështetje profesionale dhe ekspertizë në procesin e planifikimit strategjik, me përkrahjen e Misionit të OSBE-së në Kosovë.
Gjatë punëtorisë u diskutuan vizioni, struktura dhe metodologjia e hartimit të dokumenteve strategjike, si dhe u konfirmuan prioritetet kryesore zhvillimore të AKSP-së. Në këtë proces u morën parasysh edhe nevojat dhe kontributet e institucioneve të sigurisë publike, me qëllim që Strategjia të reflektojë sa më mirë kërkesat dhe prioritetet e tyre për arsimim, trajnim dhe zhvillim profesional.
Ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të AKSP-së, z. Rrahim Rexha, theksoi rëndësinë e këtij dokumenti si një udhërrëfyes për zhvillimin e mëtejshëm të Akademisë, avancimin e kapaciteteve profesionale dhe ngritjen e standardeve të cilësisë në arsimim dhe trajnim për sigurinë publike. Ai ritheksoi përkushtimin e AKSP-së për konsolidimin e rolit të saj si institucion referues dhe qendër e ekselencës në fushën e arsimimit, trajnimit dhe zhvillimit profesional.
Përmes këtij procesi, AKSP synon të forcojë planifikimin strategjik dhe pronësinë institucionale, si dhe të sigurojë zhvillimin e programeve arsimore dhe trajnuese të bazuara në nevojat e institucioneve të sigurisë publike, duke kontribuar në ndërtimin e një sistemi më efektiv, më të përgjegjshëm dhe të qëndrueshëm të sigurisë publike në Kosovë.