}

NewsArticle

18/11/2026

AKSP merr pjesë në Konferencën e 15-të të INTERPA-s në Doha të Katarit

Doha, Katar, 18 nëntor 2026 – Akademia e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) mori pjesë në Konferencën e 15-të të Asociacionit Ndërkombëtar të Akademive të Policisë (INTERPA), e cila u mbajt nga 16 deri më 18 nëntor 2026, në Doha të Katarit, nën organizimin e Akademisë së Policisë së Katarit.

Konferenca, me temën “Roli i ardhshëm i akademive të policisë në ndërtimin dhe menaxhimin e njohurive të sigurisë në epokën e transformimit digjital”, mblodhi përfaqësues të akademive dhe institucioneve të trajnimit policor, anëtarë të INTERPA-s, nga 24 vende të ndryshme të botës.

Akademia e Kosovës për Siguri Publike u përfaqësua nga z. Rrahim Rexha, Drejtor i Departamentit të Financave dhe Shërbimeve të Përgjithshme, i cili udhëhoqi delegacionin, z. Avni Istrefi, Udhëheqës i Divizionit për Marrëdhënie të Jashtme (Ndërkombëtare), si dhe z. Xhemil Klinaku, Menaxher i Personelit.

Në ceremoninë e hapjes së konferencës ishte i pranishëm edhe Ministri i Punëve të Brendshme dhe Komandanti i Forcës së Sigurisë së Brendshme të Katarit, Shkëlqesia e Tij, Sheik Khalifa bin Hamad bin Khalifa Al Thani, prania e të cilit i dha rëndësi të veçantë këtij organizimi ndërkombëtar.

Pjesë e rëndësishme e agjendës ishin edhe Mbledhja e 15-të e Bordit të Përgjithshëm dhe Mbledhja e 30-të e Bordit Ekzekutiv të INTERPA-s. Gjatë këtyre takimeve u trajtuan çështje që ndërlidhen me anëtarësimin e institucioneve të reja, organizimin e aktiviteteve dhe trajnimeve të përbashkëta, shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira, si dhe përgatitjet për konferencën e ardhshme, e cila do të mbahet në vitin 2027 në Vietnam. Në kuadër të Mbledhjes së Bordit të Përgjithshëm, pas shqyrtimit të kërkesës për anëtarësim dhe votimit nga anëtarët e INTERPA-s, Kazakistani u pranua si anëtari më i ri i Asociacionit.

Pjesëmarrja e AKSP-së në këtë konferencë, përveç mundësisë për shkëmbimin e përvojave dhe njohurive profesionale me akademitë e policisë nga vende të ndryshme të botës, përfshiu edhe vizitën në Akademinë e Policisë së Katarit, si dhe zhvillimin e takimeve bilaterale të delegacionit të AKSP-së me përfaqësuesit e delegacioneve të Kazakistanit, Indisë, Pakistanit, etj. Këto takime kishin për qëllim shkëmbimin e informatave, rolin e institucioneve në vendet respektive, krijimin e partneriteteve të reja dhe shqyrtimin e mundësive për bashkëpunim ndërinstitucional në fushën e edukimit dhe trajnimit policor.


 

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Diplomojnë 397 kadetë të gjeneratës së 63-të të Policisë së Kosovës
Diplomojnë 397 kadetë të gjeneratës së 63-të të Policisë së Kosovës

 

Vushtrri, 6 nëntor 2026 – Sot diplomoi gjenerata e 63-të e kadetëve të Policisë së Kosovës. Gjithsej 397 kadetë, të cilët përfunduan me sukses trajnimin në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, tashmë do t’i bashkohen Policisë së Kosovës, në shërbim të rendit, ligjit dhe sigurisë së të gjithë qytetarëve. Nga 397 kadetët e diplomuar, 118 janë gra dhe 279 burra.

 

Në ceremoninë solemne të diplomimit morën pjesë përfaqësues të lartë shtetërorë, përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, zyrtarë të Policisë së Kosovës, si dhe familjarë të kadetëve të sapodiplomuar.

 

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, uroi kadetët e rinj, duke vlerësuar pjesëmarrjen e grave në këtë gjeneratë. Ai theksoi se Policia e Kosovës është më shumë se një institucion i rendit dhe ligjit, ndërsa shërbimin në të e cilësoi si nder dhe përgjegjësi të lartë.

 

“Nga momenti i betimit, ju do të jeni secila e secili në gatishmëri për të punuar në interes të shtetit e të gjithë qytetarëve pa dallim. Do të mbroni ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës. Ndershmëria, përgjegjësia, integriteti profesional e personal le ta udhëheqin rrugëtimin tuaj”, theksoi kryeministri Kurti.

 

Ai foli edhe për mbështetjen e Qeverisë ndaj Policisë së Kosovës, duke bërë të ditur se gjatë pesë vjetëve të fundit buxheti për këtë institucion është rritur për më shumë se 50 për qind.

 

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, theksoi se profesioni i policit kërkon përkushtim të vazhdueshëm, disiplinë, guxim dhe gatishmëri për të marrë përgjegjësi edhe në rrethanat më sfiduese.

 

Ai vlerësoi se rendi dhe siguria janë thelbësore për qetësinë dhe besimin e qytetarëve, duke rikujtuar se uniforma policore përfaqëson përgjegjësi dhe shërbim ndaj qytetarëve, e jo pushtet mbi ta.

 

Ndërkaq, ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti, e cilësoi diplomimin e kësaj gjenerate si një ditë krenarie dhe emocioni, që shënon përfundimin e një rrugëtimi të rëndësishëm dhe fillimin e një kapitulli të ri profesional për kadetët.

 

“Sot jemi të nderuar në praninë tuaj. Është një ditë e veçantë, ditë krenarie, emocionesh dhe gëzimi. Ditë që shënon përfundimin e një rrugëtimi të rëndësishëm dhe fillimin e një kapitulli të ri në jetën profesionale e personale. Sot nuk jemi mbledhur vetëm për të festuar një diplomim”, tha Hoti.

 

Ceremonia u përmbyll me ndarjen e certifikatave dhe betimin e kadetëve, të cilët u zotuan se detyrën e tyre do ta ushtrojnë me profesionalizëm, përgjegjësi dhe integritet, në mbrojtje të rendit, ligjit dhe sigurisë së të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.


 

 

Lexo më shumë
Logo

Na ndiqni në rrjetet sociale!

Lokacioni:

Rr: "Gjergj Kastrioti Skënderbeu", Nr.60, 42000 Vushtrri, Republika e Kosovës