Zëvendësudhëheqësi i Ekipit HAPE, Philippe Marie, vizitoi AKSP-në dhe ndoqi demonstrimin praktik të dronëve për kadetët e Gjeneratës së 63-të të Policisë së Kosovës
Vushtrri, 11 shtator 2026 – Sot, Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) e vizitoi z. Philippe Marie, Zëvendësudhëheqës i Ekipit pranë Programit të Bashkimit Evropian për Punë të Brendshme në Kosovë (HAPE), i cili u prit nga z. Shpend Shabani, u.d. Drejtor i Përgjithshëm i AKSP-së, së bashku me ekipin e tij.
Z. Marie shoqërohej nga dy pjesëtarë të Akademisë Policore të Francës, të specializuar në ngritjen e kapaciteteve në fushën e përdorimit të dronëve.
Gjatë takimit, z. Marie e njoftoi z. Shabani për aktivitetet e zhvilluara në kuadër të trajnimit të zyrtarëve të sigurisë publike në Kosovë për përdorimin e dronëve. Ai bëri të ditur se trajnimet kanë filluar në shtator deri në dhjetor të vitit 2025 dhe kanë vazhduar në mars dhe prill të vitit 2026, gjatë të cilave janë trajnuar 13 përdorues të dronëve, 11 zyrtarë policorë dhe 2 zyrtarë doganorë dhe 6 trajnerë të trajnerëve, prej tyre 5 zyrtarë policorë dhe 1 zyrtar doganor.
Gjithashtu, z. Marie prezantoi aktivitetet e tjera të projektit HAPE dhe rëndësinë e tij për institucionet e sigurisë publike dhe të punëve të brendshme në Kosovë, duke vlerësuar bashkëpunimin e deritashëm me AKSP-në.
Nga ana e tij, z. Shabani e përgëzoi z. Marie për aktivitetet dhe arritjet e deritashme të projektit HAPE, duke theksuar kontributin dhe mbështetjen e rëndësishme që ky projekt ka ofruar për institucionet e sigurisë publike në Kosovë. Ai ritheksoi gatishmërinë e AKSP-së për të vazhduar bashkëpunimin dhe mbështetjen e aktiviteteve të projektit HAPE.
Në këtë kuadër, z. Shabani e falënderoi z. Marie edhe për demonstrimin praktik të përdorimit të dronëve, të realizuar nga zyrtarët e Policisë së Kosovës të trajnuar përmes projektit HAPE, për kadetët e Gjeneratës së 63-të të Trajnimit Profesional për zyrtar policor në AKSP.
Gjatë vizitës, z. Marie ndoqi nga afër këtë demonstrim praktik, përmes të cilit zyrtarët e Policisë së Kosovës, të trajnuar në kuadër të projektit HAPE, prezantuan para kadetëve mënyrën e përdorimit të dronëve në fushën e sigurisë publike. Kadetët e Gjeneratës së 63-të aktualisht janë duke ndjekur Trajnimin Profesional për zyrtar policor në AKSP.