}

NewsArticle

22/04/2026

Në AKSP u prezantuan rezultatet e projektit shkencor mbi zbatimin e Konventës së Stambollit në fushën e hetimeve, ndjekjes penale dhe masave mbrojtëse në Republikën e Kosovës

 

Vushtrri, 22 prill 2026 - Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike është mbajtur sot tryeza për prezantimin e rezultateve të projektit shkencor “Zbatimi i standardeve të Konventës së Stambollit në fushën e hetimeve, ndjekjes penale dhe masave mbrojtëse në Republikën e Kosovës”, i mbështetur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Në fjalën hyrëse morën pjesë përfaqësues institucionalë, përfshirë u.d. Drejtorin e Përgjithshëm të AKSP-së, z. Shpend Shabani, u.d. Prodekanen e Fakultetit të Sigurisë Publike, Dr. Sc. Anita Zenuni, si dhe përfaqësues të institucioneve të  sistemit të drejtësisë, Dr. Sc. Dardan Vuniqi, zv. Kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Dr. Sc. Ahmet Imami, anëtar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës. U theksua rëndësia e zhvillimit të projekteve shkencore, pasi tanimë AKSP ka marrë edhe ri-akreditimit institucional për periudhën e ardhshme pesë vjeçare, por edhe rëndësia e këtij raporti hulumtues lidhur me evidentimin e gjendjes dhe rekomandimet përkatëse në këtë fushë. Ata theksuan veçanërisht rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe avancimit të politikave dhe praktikave në mbrojtje të viktimave.

Rezultatet e projektit u prezantuan nga bartësi i projektit, Prof. Asoc. Dr. Vilard Bytyqi, së bashku me ekspertin ndërkombëtar, Prof. Asoc. Dr. Vedije Ratkoceri. Gjatë prezantimit u theksua se studimi konfirmon një nivel të avancuar të harmonizimit juridik dhe normativ të Kosovës me standardet e Konventës së Stambollit, duke krijuar një bazë solide ligjore për adresimin e dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave. Megjithatë, përfundimi kryesor i studimit identifikon ekzistencën e një hendeku ndërmjet normës dhe praktikës, i cili reflektohet në mungesën e standardizimit, në kapacitetet e kufizuara institucionale, në koordinimin jo të mjaftueshëm ndërinstitucional dhe në sfida, si nën-raportimi i rasteve. Studimi rekomandon fokus të shtuar në standardizimin e procedurave, zhvillimin e mekanizmave për vlerësimin e rrezikut, forcimin e koordinimit ndërinstitucional, ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe rritjen e besimit të qytetarëve në institucionet e zbatimit të ligjit dhe të drejtësisë.

Në përmbyllje, tryeza vijoi me diskutim të hapur ndërmjet pjesëmarrësve. Tryeza u drejtua nga Prof. Florentina Shala Braha, ndërsa në të morën pjesë profesorët e Fakultetit të Sigurisë Publike, zyrtarë dhe drejtues të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike dhe të ftuar nga institucionet tjera të zbatimit të ligjit në Republikën e Kosovës.


  • Share:

Lexo lajme tjera:

AKSP nikoqire e takimit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë
AKSP nikoqire e takimit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë

 

Vushtrri, 20 prill 2026 - Akademia e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) ishte nikoqire e takimit të radhës të Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KSHC), i organizuar në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Akreditim (AKA).

Në këtë kuadër, AKSP mirëpriti Kryetaren e KSHC-së, Prof. Asoc. Dr. Hasnije Ilazi, Drejtorin e Përgjithshëm të AKA-së, z. Naim Gashi, si dhe anëtarët e Këshillit. Takimi u zhvillua në një moment të rëndësishëm për institucionin, pas rikthimit të akreditimit institucional, duke reflektuar njëkohësisht arritjet dhe përgjegjësitë për avancim të mëtejshëm në funksion të cilësisë.

Gjatë takimit me stafin udhëheqës të AKSP-së u zhvillua një diskutim i hapur dhe konstruktiv, i fokusuar në zhvillimet aktuale, proceset e akreditimit dhe orientimin strategjik të Akademisë drejt konsolidimit institucional. Në këtë kontekst, u theksua rëndësia e zbatimit të standardeve bashkëkohore, rritjes së transparencës dhe forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional, duke u vlerësuar gjithashtu progresi i arritur në proceset akredituese.

Kjo ngjarje u zhvillua në frymën e fuqizimit të mekanizmave të sigurimit të cilësisë dhe thellimit të bashkëpunimit ndërinstitucional. 

Pas takimit me menaxhmentin e AKSP-së, Këshilli Shtetëror i Cilësisë vijoi me mbajtjen e mbledhjes së tij të rregullt në ambientet e Akademisë, ku u trajtuan çështjet e parapara në agjendën e Këshillit.

Akademia e Kosovës për Siguri Publike mbetet e përkushtuar në përmbushjen e standardeve më të larta të cilësisë, duke synuar zhvillim të qëndrueshëm akademik dhe profesional, si dhe forcimin e partneriteteve me institucionet relevante vendore dhe ndërkombëtare.


Lexo më shumë
Logo

Na ndiqni në rrjetet sociale!

Lokacioni:

Rr: "Gjergj Kastrioti Skënderbeu", Nr.60, 42000 Vushtrri, Republika e Kosovës