Delegacioni nga Shërbimi i Burgjeve dhe Sprovues i Danimarkës vizitoi Akademinë e Kosovës për Siguri Publike
Vushtrri, 26 mars 2026 – Akademia e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) mirëpriti sot një delegacion nga Shërbimi i Burgjeve dhe Sprovues i Danimarkës (SHBSD), i kryesuar nga Gitte Møller Hansen, udhëheqëse për edukim në këtë institucion. Delegacioni u prit nga ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm, Shpend Shabani, së bashku me bashkëpunëtorë të Akademisë dhe përfaqësues të Shërbimit Korrektues të Kosovës.
Duke i uruar mirëseardhje mysafirëve, z. Shabani theksoi se vizita është dëshmi e partneritetit të fortë ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës, veçanërisht në fushën e trajnimeve dhe zhvillimit profesional. Ai nënvizoi rëndësinë e marrëveshjes 10-vjeçare mes dy qeverive të nënshkruar në vitin 2022 dhe të ratifikuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës në vitin 2024. Ai po ashtu shprehu gatishmërinë për shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira, si dhe thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional.
Në fokus të diskutimeve ishte edhe mundësia e organizimit të trajnimit për 25 zyrtarë korrektues që pritet të angazhohen në Burgun e Gjilanit për realizimin e marrëveshjes në fjalë ndërmjet Danimarkës dhe Kosovës. Megjithëse kapacitetet trajnuese për vitin 2026 janë të planifikuara, drejtuesit e Akademisë u shprehën të hapur për shqyrtimin e kësaj kërkese.
Gjatë takimit, përfaqësuesit e AKSP-së dhe SHKK-së prezantuan institucionet e tyre përkatëse, duke përfshirë programet trajnuese dhe aktivitetet zhvillimore, me ç’rast theksuan se Akademia ofron një gamë të gjerë trajnimesh dhe arsimin e lartë në nivel bachelor për zyrtarët e sigurisë publike.
Nga ana tjetër, delegacioni danez vlerësoi lartë punën dhe arritjet e Akademisë në përgatitjen e kuadrove profesionale.
Znj. Gitte Møller Hansen prezantoi projektet e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës, përfshirë pilot-projektin në Burgun e Gjilanit dhe iniciativën e “POP-UP” shkollave për trajnimin e zyrtarëve korrektues.
Ndërkaq, z. Søren Jacobsen shpjegoi modelin danez të trajnimit, duke theksuar kombinimin e njohurive bazike me trajnimin praktik sipas standardeve dhe legjislacionit danez.
Vizita u karakterizua nga një frymë bashkëpunimi dhe angazhimi për thellimin e mëtejmë të partneritetit në fushën e sigurisë dhe trajnimeve.