Zyra e Erasmus+ në Kosovë mbajti sesionin informues për programin Erasmus+ për stafin dhe studentët e AKSP-së
Vushtrri, 12 dhjetor 2025 – Sot, në ambientet e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike (AKSP), Zyra e Erasmus+ në Kosovë mbajti sesionin informues dedikuar mundësive që ofron programi Erasmus+ i BE-së për stafin mësimdhënës dhe administrativ, si dhe për studentët e Fakultetit të Sigurisë Publike (FSP) të AKSP-së. Ky aktivitet kishte për qëllim informimin për pjesëmarrje rreth mundësive që ofron Erasmus+ për AKSP-në, siç është fusha e arsimit të lartë dhe e arsimit dhe aftësimit profesional për mobilitet, ngritje kapacitetesh dhe aspekte të tjera.
Sesioni informues u hap nga ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të AKSP-së, z. Shpend Shabani, i cili shprehu mirënjohje për Zyrën e Erasmus+ në Kosovë dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm në kuadër të programit Erasmus+. Ai theksoi se ky program është një mundësi e rëndësishme për zgjerimin e partneritetit ndërkombëtar, forcimin e kapaciteteve profesionale dhe avancimin e cilësisë në trajnimin dhe arsimimin e zyrtarëve të institucioneve të sigurisë publike. Drejtori Shabani ritheksoi gatishmërinë e plotë të AKSP-së për të intensifikuar bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë OSBE-në dhe institucionet e BE-së, duke potencuar se projekte të tilla janë gjithmonë të mirëseardhura dhe me rëndësi të veçantë për zhvillimin institucional.
Ndërkaq, Prof. Dr. Vilard Bytyqi, ushtrues i detyrës së Dekanit të FSP-së, vuri në dukje rëndësinë e dimensionit ndërkombëtar të programit Erasmus+ për studentët dhe stafin akademik. Ai theksoi se pjesëmarrja në projekte ndërkombëtare kontribuon në rritjen profesionale, në shkëmbimin e praktikave të mira dhe në integrimin e institucioneve të Kosovës në rrjetet evropiane të arsimit të lartë.
Ndërkaq, udhëheqësi i Divizionit për Marrëdhënie me Jashtë (DMJ) në AKSP, Avni Istrefi, foli për bashkëpunimin me Erasmus+ dhe me institucionet tjera akademike të sigurisë në rajon dhe më gjerë, duke vlerësuar se bashkëpunimet e tilla rritin kredibilitetin e AKSP-së dhe FSP-së, në arenën ndërkombëtare.
Në kuadër të sesionit informues të programit Erasmus +, menaxherja e Zyrës së Erasmus+ në Kosovë, Blerina Zjaça Osmani, i njoftoi të pranishmit për dallimet që kanë thirrja për vitin e ardhshëm 2026 nga thirrjet e vitit të kaluar, pra vitit 2025. Ajo shpjegoi rregullat e reja të aplikimit dhe kushtet që duhet plotësuar për të qene përfitues të këtij programi. Ndër të tjera, ajo zbërtheu në detaje për të pranishmit Mobilitetin Ndërkombëtar të Kredive dhe të Diplomave, Ngritjen e Kapaciteteve si në Arsimin e Lartë, po ashtu edhe në Trajnimin Profesional, Jean Monnet, Shkëmbimet virtuale, Kartën e Erasmus+ për Arsimin e Lartë (ECHE) etj., e cila është në planet e AKSP-së për të aplikuar në të ardhmen e afërt.
Ndërsa përfaqësuesit nga Akademia e Kosovës për Siguri Publike u shprehën optimistë se studentët dhe mësimdhënësit e të dyja niveleve të arsimit që ofrohen në AKSP, pra të arsimit profesional dhe të trajnimit profesional, në të ardhmen do të mund të përfitojnë edhe më shumë nga programi Erasmus+.
Në përmbyllje, u prezantuan thirrjet aktuale, afatet e fundit për aplikime dhe u inkurajua pjesëmarrja aktive në projektet e ardhshme.