AKSP merr pjesë në Takimin e 14-të të Rrjetit Ndërkombëtar të Akademive Policore (INTERPA)
Nevşehir, Kapadokia, Turqi 06 – 08 nëntor 2025 - Akademia e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) po merr pjesë në Takimin e 14-të të Rrjetit Ndërkombëtar të Akademive Policore (INTERPA), i cili po zhvillohet në qytetin Nevşehir të rajonit të Kapadokias në Turqi, nga data 6 deri më 8 nëntor 2025.
Në këtë ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare, AKSP përfaqësohet nga U.d. i Drejtorit të Përgjithshëm, z. Shpend Shabani, i shoqëruar nga z. Avni Istrefi, Udhëheqës i Divizionit për Marrëdhënie me Jashtë, dhe z. Emin Uka, Udhëheqës i Divizionit të Sigurimit të Cilësisë.
Takimi i 14-të i Rrjetit INTERPA është organizuar nën temën “Zhvillimi i strategjive për luftimin e krimeve kibernetike: Zbatimi i ligjit në epokën digjitale”, dhe bashkon 125 përfaqësues nga 41 shtete të ndryshme anëtare të këtij rrjeti ndërkombëtar.
Në ceremoninë hapëse morën pjesë personalitete të larta të institucioneve të sigurisë dhe akademive policore, përfshirë Presidentin e Akademisë Policore të Turqisë, Prof. Dr. Murat BALCI, zyrtarë të lartë të policisë turke, si dhe drejtues të akademive dhe qendrave të trajnimit nga vende të ndryshme të botës.
Gjatë konferencës, përveç seancave plenare dhe punimeve akademike, u mbajtën edhe takimet e Këshillit të Përgjithshëm dhe Bordit Ekzekutiv të INTERPA-s, ku u shqyrtuan tema të rëndësishme si:
pranimi i anëtarëve të rinj në rrjet,
zgjedhjet për organet udhëheqëse të INTERPA-s,
planifikimi i aktiviteteve për vitet 2026–2027, përfshirë konferencat dhe punëtoritë ndërkombëtare që do të zhvillohen në Maqedoninë e Veriut, Indonezi, Katar dhe Vietnam.
Pjesëmarrja e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike në këtë takim konfirmon angazhimin e vazhdueshëm të AKSP-së për bashkëpunim ndërkombëtar, shkëmbim të praktikave më të mira dhe forcim të kapaciteteve profesionale në fushën e arsimit policor dhe sigurisë publike.