Sot Akademinë e Kosovës për Siguri Publike e vizitoi delegacioni i zyrtarëve të lartë i Shërbimit Kombëtar të Mbrojtjes së Bullgarisë
Vushtrri, 16 korrik 2025 - Ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, (AKSP) Shpend Shabani me bashkëpunëtorë, priti në takim delegacion nga Republika e Bullgarisë, i kryesuar nga Gjeneralmajor Emil Simeonov Tonev, Shef i Shërbimit Kombëtar të Mbrojtjes të Bullgarisë, i shoqëruar nga Sh.T. z. Hristo Kraevski, Ambasador i Republikës së Bullgarisë në Kosovë me bashkpunëtorë.
Me këtë rast, drejtori Shabani, falënderoi delegacionin e zyrtarëve të lartë nga Bullgaria për vizitën në Akademi, ndërsa foli për rolin e akademisë në ngritjen e kapaciteteve të zbatuesve të ligjit konform sfidave dhe ndryshimeve në kohë. Ai njoftoi delegacionin për punën dhe aktivitetet që zhvillohen në Akademi, me theks për programet arsimore e programet për trajnime bazike, të avancuara e profesionale me standarde ndërkombëtare në fushën e sigurisë publike.
Gjatë diskutimeve, të dyja palët shprehën nevojën e bashkëpunimit jo vetëm në nivel vizitash, por bashkëpunim ndërinstitucional, që do të thellohej edhe më shumë përmes nënshkrimit të një marrëveshje ndërmjet Akademisë së Kosovës për Siguri Publike dhe Akademisë së Punëve të Brendshme të Bullgarisë, për të shkëmbyer ekspertizat, përvojat dhe praktikat më të mira nga fushëveprimtaria e trajnimeve dhe arsimit në sigurinë publike.
Delegacioni bullgar, shprehu gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit përmes një marrëveshje dypalëshe, duke u zotuar që iniciativa do të ndërmirret shumë shpejt.
Në kuadër të vizitës, delegacioni nga Bullgaria u njoh më për së afërmi me aktivitetet dhe funksionimin e Akademisë si tërësi, duke qenë institucion kredibil i cili ofron trajnime dhe arsimim profesional për zbatuesit e ligjit në Kosovë.
Ndër të tjerash, nga Njësia për Mbrojtjen e Afërt në Policinë e Kosovës, atyre iu prezantua edhe organizimi, funksionimi dhe përgjegjësitë që kjo njësi mbanë në vete në kuadër të Policisë së Kosovës.
Gjithashtu për delegacionin mysafir, në hapësirat e Akademisë, u demonstrua një rast simulativ i shkathtësive të Njësisë së Mbrojtjes së Afërt të Policisë së Kosovës.