Akademia e Kosovës për Siguri Publike pranon ‘Çmimin e Ekselencës’ nga IADLEST, SHBA, deri në vitin 2028
Charlotte, Karolina e Veriut, 4 qershor 2025 - Akademia e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) ka pranuar Çmimin e Ekselencës "Award of Excellence" nga IADLEST – Shoqata Ndërkombëtare e Drejtuesve të Standardeve dhe Trajnimeve të Zbatimit të Ligjit me seli në SHBA, si pjesë e procesit të suksesshëm të riakreditimit të vitit 2024.
Kjo ngjarje e rëndësishme është duke u zhvilluar në kuadër të Konferencës vjetore të IADLEST, që po mbahet nga data 1 deri më 4 qershor 2025 në Charlotte, Karolina e Veriut. Marrja e këtij çmimi konfirmon përkushtimin e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike për të ruajtur standarde të larta institucionale në trajnimet për sigurinë publike dhe zhvillimin profesional të zbatuesve të ligjit.
Çmimi i Ekselencës i është dhënë Akademisë (AKSP) deri në vitin 2028, duke njohur dhe konfirmuar përmbushjen me sukses të kritereve ndërkombëtare të cilësisë në procesin e riakreditimit nga IADLEST në vitin 2024. Ky është një dëshmi e fortë e profesionalizmit dhe përkushtimit të vazhdueshëm të Akademisë për përmirësimin e standardeve në arsimimin dhe trajnimin e zyrtarëve të sigurisë publike në Kosovë.
Në emwr tw Akademisw sw Kosovës për Siguri Publike, Çmimin e Ekselencës e pranuan përfaqësuesit nga Menaxhmenti i Lartë, Kastriot Jashari, Drejtor i Departamentit të Trajnimeve dhe Përkrahjes Arsimore dhe Rrahim Rexha, Drejtor i Departamentit të Financave dhe Shërbimeve të Përgjithshme.
Konferenca e IADLEST-it këtë vit trajton temat më të rëndësishme për udhëheqësit dhe menaxherët e trajnimeve në fushën e sigurisë dhe ligjzbatimit, duke përfshirë: dizajnin e kurrikulës, përfshirjen e inteligjencës artificiale në procesin mësimor, teknikat e mësimdhënies për gjeneratën e re, platforma trajnimi me realitet virtual, standardet e testimit, dhe matjen e efektivitetit të trajnimeve.
Pjesëmarrja e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike në këtë konferencë të nivelit të lartë dhe pranimi i çmimit të ekselencës janë një hap i madh drejt avancimit të mëtejshëm të cilësisë dhe njohjes ndërkombëtare të sistemit të trajnimit për sigurinë publike në Republiken e Kosovës.