}

NewsArticle

25/07/2017

Ambasadori Delawie vizitoi Akademinë

Vushtrri, 24 korrik 2017 – Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie, vizitoi sot Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, ku u prit nga Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë, Ismail Smakiqi, Dekani i Fakultetit të Sigurisë Publike, Bejtush Gashi si dhe Drejtorët e Departamenteve të AKSP-së: Rrahim Rexha, Kastriot Jashari dhe Shpend Shabani.

Qëllimi i vizitës së Ambasadorit Delawie ishte që të njihet nga afër me historikun, zhvillimet, misionin, vizionin dhe strukturën e Akademisë.

Drejtori Smakiqi falënderoi Ambasadorin Delawie për vizitën dhe përkrahjen e Ambasadës të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të institucioneve amerikane, në radhë të parë ICITAP-it, gjatë të gjitha fazave të zhvillimit të Akademisë. Gjatë këtyre viteve, Akademia, gjegjësisht agjencitë e sigurisë publike, u përkrahën në fushën e trajnimeve dhe pajisjeve të ndryshme teknike.

Në fushën e trajnimeve, drejtori Smakiqi veçoi trajnimin dhjetëjavor “Shkolla e Stafit dhe Komandës Policore”, i cili zhvillohet nga Qendra për Siguri Publike e Universitetit Northwestern. “Ky trajnim në Akademi është mbajtur pesë vite me radhë dhe ka pasur karakter regjional duke përfshirë oficerët policorë nga Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia, Shqipëria dhe Kosova. Ky trajnim po ashtu ka rritur reputacionin e Akademisë në përmasa regjionale dhe ndërkombëtare”, tha Smakiqi.

Drejtori Smakiqi më tutje vazhdoi se në fushën e donacioneve, përkatësisht pajisjeve teknike dhe të tjera, gjatë këtyre viteve Akademia ka përfituar shumë, siç është pajisja e Trajnimit të Simulimit me Armë Zjarri (FATS) që shërben për trajnimin e zyrtarëve të sigurisë publike të Kosovës. “Kjo pajisje ju dhurua Akademisë nga Zyra për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe të Zbatimit të Ligjit (INL) e Departamentit të Shteteve të Bashkuara në muajin qershor të këtij viti dhe është e vetmja në Kosovë dhe në vendet e regjionit”, u shpreh Smakiqi.

Gjatë këtyre viteve Akademia është përkrahur me këshilltarë të lartë, zyrtarë të ICITAP-it, ekspertë të fushave të sigurisë publike, policore, legjislacionit dhe trajnimit.

Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë, Ismail Smakiqi, njoftoi Ambasadorin Delawie për të gjitha aktivitetet që zhvillohen në Akademi si dhe për synimet e saj në të ardhmen. Ajo që e veçon Akademinë, u shpreh Smakiqi, është niveli i lartë i profesionalizmit të personelit të Akademisë, puna ekipore dhe respektimi i vlerave të proklamuara të saj, siç janë ndershmëria, transparenca, llogaridhënia dhe etika profesionale.

Gjithashtu drejtori Smakiqi gjatë këtij takimi e informoi ambasadorin Delawie edhe për procese të rëndësishme të Akademisë, siç janë hapja e Fakultetit të Sigurisë Publike dhe ri-akreditimi i programit studimor të këtij fakulteti si dhe validimin e programeve profesionale bazike në Autoritetin Kombëtar të Kualifikimeve.

Po ashtu ambasadori Delawie u informua edhe për bashkëpunimin ndërkombëtar që ka Akademia me akademitë policore evropiane dhe më gjerë si dhe për anëtarësimet në asociacione të ndryshme, e në veçanti për nënshkrimin e Marrëveshjes së Punës me CEPOL-in si dhe për Projektin e Binjakëzimit të financuar nga BE-ja

Ambasadori i SHBA-ve Greg Delawie u shpreh i kënaqur me vizitën e tij në Akademi. “Kam kënaqësinë që për të tretën herë e vizitoj Akademinë tuaj, ju faleminderit për të gjitha që bëni për sigurinë publike në vendin tuaj”, tha Delawie. Ai përgëzoi Drejtorin e Përgjithshëm të AKSP-së për bashkëpunimin ndërkombëtar, e në veçanti për nënshkrimin e Marrëveshjes së Punës me CEPOL.

Në vazhdim duke vlerësuar Akademinë, ambasadori Delawie tha: “Policia e Kosovës është institucioni më i besueshëm në rajon, ndër të tjera, falë ofrimit të trajnimeve që bën Akademia e juaj”.

Gjatë vizitës, ambasadori Delawie u interesua edhe për progresin e arritur në akreditimin ndërkombëtar të Akademisë përmes IADLEST. Po ashtu Delawie shfaqi interesimin tij edhe rreth numrit të trajnimeve që zhvillohen në Akademi.

Këshilltarja e lartë e ICITAP-it Drita Perezic, e njoftoi ambasadorin për gatishmërinë e IADLEST për të akredituar Akademinë si institucion i trajnimit dhe arsimit të lartë. Akreditimi i Akademisë nga IADLEST do të shtonte reputacionin e Akademisë si institucion trajnues dhe arsimor për trajnimin e zbatuesve të ligjit si dhe mundësisë së përkrahjes së Akademisë nga ICITAP për krijimin e një programi studimor Master, i cili do të bazohet në kurrikulën e kursit të “Shkollës së stafit dhe komandës policore”.
 
Ambasadori Delawie i shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm Smakiqi vizituan kampusin e  AKSP-së, duke përfshirë demonstrimin e punës së FATS-it, donacion nga Zyra për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe të Zbatimit të Ligjit (INL).

Përveç ambasadorit Greg Delawie, pjesë e delegacionit në vizitë bërë Akademisë ishin edhe James Hope, Drejtor i Misionit të USAID në Kosovë, Kimberly Riffe, u.d. e Menaxherit të Programit të ICITAP-it si dhe Drita Perezic, këshilltare e lartë e ICITAP.


 

  • Share:

Lexo lajme tjera:

 Një delegacion nga  Universitetit Policor Gjerman vizitoi Akademinë
Një delegacion nga Universitetit Policor Gjerman vizitoi Akademinë

Vushtrri, 11 korrik  2017 – Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike  Ismail Smakiqi, priti sot në takim një delegacion nga  Universitetit Policor Gjerman  i kryesuar nga zëvendës presidenti i këtij universiteti  Matthias Zeiser,  udhëheqës i Departamentit për Bashkëpunim Ndërkombëtar Lars Wagner si dhe nga drejtori i Departamentit të Kriminalistikës Thomas Schulte.  Qëllimi i vizitës ishte  në kuadër të bashkëpunimit që Akademia ka me Universitetin  Policor Gjerman sa i përket hapjes së programit master.   Në këtë takim morën pjesë edhe Dekani i Fakultetit të Sigurisë Publike  Bejtush Gashi, Drejtori  i Departamentit për Burime Njerëzore në Policinë e Kosovës Agron Rukiqi si dhe menaxhmenti i lartë i Akademisë

Delegacioni gjerman gjatë kësaj vizite shprehen interesimin e tyre rreth Fakultetit të Sigurisë Publike konkretisht rreth mundësisë se krijimit të studimeve master si dhe rreth trajnimeve që zhvillohen në Akademi.
Gjatë  takimit u diskutua  për bashkëpunimin mes Fakultetit të Sigurisë Publike në fushat akademike,  për shkëmbimin e përvojave mes këtyre dy institucioneve.

Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike  (AKSP) Ismail Smakiqi.  duke iu dëshiruar mirëseardhje delegacionit, vlerësoj  se kjo vizitë do të kontribuoj në forcimin e lidhjeve dhe realizimin e projekteve të përbashkëta ndërmjet Universitetit Policor Gjerman dhe Akademisë së Kosovës për Siguri Publike.

Gjatë takimit  Smakiqi i ka informuar delegacionin për  aktivitetet që zhvillohen në Akademi, si dhe për ecurinë e Projektit të Binjakëzimit.

Tutje  Smakiqi para delegacionit ka folur edhe rreth bashkëpunimit ndërkombëtarë që ka Akademia më akademitë policore evropiane si dhe për nënshkrimin e marrëveshjes së  punës më CEPOL-in.

Ndërsa  Matthias Zeiser  zëvendës President i Universitetit Policor Gjerman  duke falënderuar të pranishmit ai shprehu qëndrimin e bashkëpunimit me Akademinë e Kosovës për Siguri Publike  duke ofruar përkrahjen e pa rezervë në ndarjen e eksperiencave  në programin e studimeve master.  Gjithashtu ai theksoi se ndihet i lumtur  për këtë bashkëpunim që do ta kenë me AKSP-në në të ardhmen.

Para të pranishmëve  Zeiser bëri edhe një prezantim rreth funksionimit të Universitetit  Policor Gjerman si dhe rreth zhvillimit të politikave brenda këtij  institucioni arsimor.

Dekani i Fakultetit të Sigurisë publike Bejtush Gashi informoi delegacionin me programin e studimeve bachelor në Akademi  si dhe mënyrën e studimeve. Gjithashtu ai foli edhe për sfidat të cilat do ta presin në të ardhmen FSP.


Drejtori  i Departamentit për Burime Njerëzore në Policinë e Kosovës Agron Rukiqi tha se Policia e Kosovës ka bashkëpunim të mirë me Policinë e Gjermanisë, ndërkohë që shfaqi shpresën që ky bashkëpunim të thellohet edhe më shumë. 

“Për  neve është shembull i mirë që si model të merret një universitet policor gjerman i cili plotëson standardet evropiane për të cilët ne po mendojmë që në të ardhmen të jem pjesë e Bashkimit Evropian”, u shpreh Rukiqi.
 

Lexo më shumë
U hap konkursi për pranimin e studentëve  në Fakultetin e Sigurisë Publike për vitin akademik 2017/2018
U hap konkursi për pranimin e studentëve në Fakultetin e Sigurisë Publike për vitin akademik 2017/2018

Vushtrri, 01 gusht  2017  – Në Akademinë  e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) , u hap konkursi për pranimin e studentëve në vitin e parë të studimeve bachelor, në Fakultetin e Sigurisë Publike për vitin akademikë 2017/2018.

Të drejtë aplikimi në këtë konkurs kanë zyrtarët e Policisë së Kosovës,  Doganës së Kosovës, Agjencionit të Menaxhimit Emergjent të Kosovës, Shërbimit Korrektues të Kosovës, Shërbimi Sprovues i Kosovës  si dhe zyrtarët e Inspektoratit Policor të Kosovës.

Për më shumë informata klikoni këtu:

 

Konkursi:

 

Aplikacioni:


Manuali: 



 
 

Lexo më shumë
Logo

Na ndiqni në rrjetet sociale!

Lokacioni:

Rr: "Gjergj Kastrioti Skënderbeu", Nr.60, 42000 Vushtrri, Republika e Kosovës