}

NewsArticle

02/11/2016

Drejtori Smakiqi mori pjesë në konferencën shkencore ndërkombëtare në Tiranë

Vushtrri 01 nëntor 2016 – Drejtori i Përgjithshem i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, Ismail Smakiqi i shoqëruar nga dekani i Fakultetit të Sigurisë, Bejtush Gashi, kanë marrë pjesë në konferencën e I-rë Shkencore Ndërkombëtare  të Akademisë së Sigurisë në Tiranë me temë  \"Kontributi në sigurinë publike nëpërmjet arsimimit\".

Në  këtë konferencë morën  pjesë ministri i Punëve të Brendshme   Saimir Tahiri,  zëvendësdrejtori i Policisë së Shtetit, Rebani Jaupi, përfaqësues të lartë të Policisë së Shtetit, misionet policore që veprojnë në Shqipëri si dhe oficerët ndërlidhës.  Konferenca  \"Kontributi në sigurinë publike nëpërmjet arsimimit\", u zhvillua në kuadër të reformës së ndërmarrë për reformimin rrënjësor të sistemit arsimor për punonjësit e Policisë, si dhe vënien në funksion të plotë të Akademisë së Sigurisë jo vetëm si qendër formimi, por edhe kërkimi shkencor.

Drejtori i Përgjithshem i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, Ismail Smakiqi, në fjalimin e tij ka vlerësuar lartë organizimin e  konferencës së I-rë shkencore ndërkombëtare me temën “Kontributi në sigurinë publike nëpërmjet arsimimit”. 

Smakiqi tha se kjo konferencë më  karakter ndërkombëtar  mundëson ekspozim të hulumtimeve, debat në rezultate të arritura dhe pasurimin e njohurive të ndërsjella në fushën e sigurisë publike, gjegjësisht shpalosjen e hulumtimeve që kanë të bëjnë siç tha ai më kërcënimet dhe rreziqet ndaj sigurisë në Ballkanin Perëndimor si dhe roli dhe ndikimi i arsimimit në sigurinë publike.

“Roli dhe rëndësia e trajnimeve dhe arsimimit të lartë të zbatueseve të ligjit dhe ndikimin e arsimimit në sigurinë publike, ka avancuar Akademitë Policore gjegjësisht Akademitë e Sigurisë Publike në institucion kombëtar dhe përgjegjës për ngritjen e kapaciteteve njerëzore të Agjencive të Sigurisë Publike”, u shpreh Smakiqi.

Ai tha se  Akademitë duhet të ndjehen përgjegjëse për sigurinë në vendet e tyre, duke u ndjerë përgjegjëse për sjelljen e zbatuesit të ligjit në vendet e tyre të punës,  në radhë të parë për profesionalizmin dhe etikën e zyrtarëve të zbatimit të ligjit.

“Sfidat me të cilat përballet siguria publike, nuk janë më sfida vetëm regjionale. Këto sfida tani më kanë karakter shumë më të gjerë.  Siguria publike e qytetarëve të një vendi është sfidë komplekse multi institucionale dhe multi dimensionale, e cila po bënë bashkë ndjekësit e krimit, mësuesit, psikologët, filozofët, sociologët, artistët, sportistët, predikuesit e fesë, bizneset, punëtorët, prindërit, gratë dhe burrat”, tha Smakiqi.

Smakiqi tha se konferenca në fjalë  është aktiviteti i liderëve, mësimdhënësve dhe trajnerëve të Akademive Policore, pjesëmarrës në rrjete evropiane dhe ndërkombëtare të institucioneve të trajnimit dhe arsimit të lartë të fushës së sigurisë publike, si dhe institucioneve të sigurisë publike në përgjithësi.

Drejtori i Akademisë, Ismail Smakiqi tha se konferenca e Tiranës është rast për arritjen e objektives të Konferencës “përmirësimit të programeve akademike në fushën e sigurisë për të përmirësuar cilësinë e policimit dhe përgatitur ekspertë të lartë të sigurisë për agjencitë e zbatimit të ligjit”.

Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Sigurisë, Bilbil Mema  theksoi rëndësinë e veçantë të formimit dhe specializimit të strukturave policore, rritjen e kapaciteteve profesionale të tyre, në rritjen e Sigurisë Publike dhe përmbushjen e kërkesave të komunitetit.


\"Policimi si veprimtaria më e suksesshme deri tani për ofrimin e sigurisë kërkon një trajtim në shumë dimesione. Një nga dimensionet është rritja e kapaciteteve profesionale të strukturave që marrin pjesë në këtë veprimtari, por sidomos struktura e Policisë, e cila ka punën më të specializuar. Struktura që ka misionin kryesor për garantimin e rendit dhe të zbatimit të ligjit është Policia, pikërisht kjo strukturë duhet të zotërojë nivel shumë të lartë profesional, për të përmbushur kërkesën e komunitetit. Qëllimi i kësaj konference është t'i japi kontribut nëpërmjet shkollimit, rritjes së sigurisë publike për qytetarët\", tha Mema.


Ndërkaq ministry i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri gjatë kësaj konference  theksoi se gjatë marrjes së detyrës trupa e Policisë së Shtetit ishte nivelin më të ulët arsimor në rajon, por tani sic tha ai përmes formimit dhe kualifikimit intesiv policia është kthyer në institucionin më të besuar në raport më qytetarët.


\" Unë besoj që ne duhet të rikrijojmë traditën e vullnetarizmit në siguri. Është kjo arsyeja pse në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe në Policinë e Shtetit, sot një grup specifik po merret për t’i hapur rrugë angazhimit vullnetar në Policinë e Shtetit nga të rinjtë dhe të rejat në Republikën e Shqipërisë. Në të kaluarën e largët ka pasur një traditë angazhimi vullnetar në Polici ku pjesë të komunitetit bëheshin bashkë me Policinë për të garantuar rendin në komunitetin lokal apo për të ndihmuar fëmijët në shkolla, apo për të ndihmuar qarkullimin rrugor. Unë besoj kësaj tradite duhet t’i marrim më të mirën dhe të krijojmë një model bashkëkohor të angazhimit vullnetar të të rinjve dhe të rejave në Policinë e Shtetit. Ne po punojmë për krijimin e një mundësie ligjore lidhur me angazhimin vullnetar në Policinë e Shtetit dhe më pas do fillojmë menjëherë me rekrutimin, sepse besojmë shumë fort se sot, sfida që kemi lidhur me sigurinë nuk është kurrë dhe as mund të jetë çështje e vetëm policisë në mënyrë ekskluzive. Por është sfida për t’u bërë bashkë, punonjës policie – komunitet\", tha Tahiri.


Edhe zëvendësdrejtori i Policisë së Shtetit  Rebani Jaupi gjatë kësaj konference vlerësoi krijimin e një platforme të qëndrueshme arsimore profesionale, si një zgjidhje drejt emancipimit të strukturave policore, rritjes së sigurisë dhe integrimit të institucionit të Policisë në shoqëri si aleat në zgjidhjen e problemeve të përbashkëta.


\"Siguria mund të përmirësohet nëpërmjet arsimimit, niveli i arsimimit brenda radhëve të Policisë së Shtetit është në ngritje, në përmirësim. Mund të shihet përmirësimi i këtij niveli, si në drejtimin e atyre të rinjve që zgjedhin të bëhen punonjës të Policisë së Shtetit, edhe në drejtimin e formatimit të një sistemi arsimor të qëndrueshëm profesional policor. Në iniciativën tonë për të ndërtuar një Polici sa më profesionale, pamë si zgjidhje arsimimin. Kjo gjë rezulton të jetë zgjidhja e duhur. Dimensioni, i cili vjen nëpërmjet arsimimit, është ai i emancipimit, emancipim për shoqërinë e për Policinë; emancipim që synon të rrisë sigurinë. Policia e Shtetit, jo vetëm që po e jep këtë mesazh, por edhe po e demonstron me shembuj\", u shpreh Jaupi. 


Më pas disa prej përfaqësuesve kanë referuar temat e përgatitura prej tyre për këtë konferencë.

 

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Drejtori Smakiqi priti në takim një delegacion nga shoqata e miqësisë Austri-Kosovë
Drejtori Smakiqi priti në takim një delegacion nga shoqata e miqësisë Austri-Kosovë

Vushtrri, 31 tetor 2016 - Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike,  Ismail Smakiqi, së bashku me menaxhmentin e lartë priti sot në takim një delegacion nga shoqata e miqësisë Austri - Kosovë. Delegacioni ishte i shoqëruar edhe nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Austri Sami Ukelli.
 

Fillimisht drejtori Smakiqi iu dëshiroi mirëseardhje delegacionit nga shoqata e miqësisë Austri-Kosovë në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike. Më tej drejtori Smakiqi gjatë fjalës së tij, tha se kjo vizitë është e mirëseardhur dhe do të ndikoj në njohjen tonë reciproke, gjithashtu do të ndikojë edhe në vazhdimin dhe forcimin e mëtutjeshëm të  marrëdhënieve .
 

Gjatë këtij takimi drejtori Smakiqi e  informoi delegacionin me zhvillimet e fundit të Akademisë, zhvillimin e trajnimeve nga agjencionet e sigurisë, si dhe  rreth projektit të binjakëzimit të Komisionit Evropian. Me theks të veçantë ai foli për hapjen e Fakultetit të Sigurisë në Akademi si dhe rreth bashkëpunimit ndërkombëtarë që ka Akademia me institucione të sigurisë të vendeve të ndryshme nga Evropa, e njëra ndër to edhe me Akademinë e Sigurisë të Austrisë.
 

Në fund drejtori Smakiqi falënderoi delegacionin për vizitën dhe ndihmën e vazhdueshme që shteti austriak ka dhënë për Republikën e Kosovës.
 

Ndërsa delegacioni nga  shoqata e miqësisë Austri -Kosovë shprehu interesimin rreth trajnimeve të ofruara në Akademi si dhe rreth inkuadrimit të gjinisë femërore në AKSP.

 


 

Lexo më shumë
Mbahet  seminari i komponentës së tretë të Projektit të Binjakëzimit
Mbahet seminari i komponentës së tretë të Projektit të Binjakëzimit

Vushtrri, 15 Nëntor 2016 – Në Akademinë e Kosovës  për Siguri Publike (AKSP), po mbahet seminari i komponentës së tretë të  Projektit të Binjakëzimit, i cili ka për qellim përkrahjen  e mëtejme të arsimit në fushën e sigurisë publike në Kosovë. Qëllimi i kësaj komponente është të kontribuojë që Instituti për Hulumtim dhe Zhvillim i Akademisë të funksionalizohet plotësisht në interesin e të gjitha agjencive të sigurisë publike. 


Në hapjen e seminarit morën pjesë Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, Ismail Smakiqi, Ambasadorja e Finlandës në Kosovë  Anne Huhtamaki, Drejtor i Departamentit të Sigurisë Publike të MPB-se, Mensur Hoti, përfaqësues nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë Rafael Nievergelt, Prorektor për Mësimdhënie, Çështje të Studentëve dhe Kërkime Shkencore nga Universiteti i Mitrovicës Izet Zeqiri dhe Universiteti i Prizrenit Malush Mjaku, përfaqësuesja e ICITAP-it Drita Pereziq, përfaqësuesja e OSBE-së, Shpresa Muharremi,  përfaqësuesja e Qendrës së Kosovës për Studime të Sigurisë Arife Muji, përfaqësues të Agjencive të Sigurisë Publike, mësimdhënës të Fakultetit të Sigurisë pranë Akademisë, menaxhmenti i lartë i Akademisë si dhe ekspertët nga Finlanda dhe Estonia.


Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, Ismail Smakiqi në hapjen e këtij seminari foli rreth ecurisë së projektit të binjakëzimit. Ai vlerësoi lartë punën e bërë deri më tani duke vënë në pah edhe sfidat të cilat do të përcillen projektin deri në finalizim.


“Në këtë seminar po fillojnë aktivitetet e komponentës së tretë të Projektit të Binjakëzimit ‘Përkrahja e mëtejshme e arsimit në sigurinë publike në Kosovë’, me titull, ‘Kontributi për Institutin e Hulumtimit dhe Zhvillimit të Akademisë që të bëhet plotësisht funksional për përfitim të gjitha agjencive të sigurisë publike në Kosovë”, u shpreh Smakiqi duke thënë se më qëllim të rritjes së aftësisë dhe kompetencës profesionale në fushën e sigurisë publike është arritur një pajtueshmëri se nevojitet më shumë njohuri se sa vetëm aftësim për punë specifike, posaçërisht në pozitat menaxheriale të agjencive. 

 

Smakiqi tha se zhvillimeve të mëtutjeshme në Akademi dhe në fushën e Sigurisë Publike i parapriu aprovimi i ligjit për Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, ku përmes së cilit Akademia përcaktohet institucion përgjegjës për ofrimin e trajnimeve dhe arsimit të lartë, gjegjësisht zhvillimin e kapaciteteve për të gjitha institucionet e sigurisë publike.


Duke folur rreth rëndësisë së projektit Smakiqi tha se projekti i parë dhe dytë i binjakëzimit janë përkrahje e Akademisë dhe Agjencive të Sigurisë Publike në realizimin e vizionit që “në vitin 2020 Akademia do të njihet nga palët e interesit të saj kombëtarë dhe ndërkombëtarë si një institucion parësor për të gjitha nivelet e arsimit në fushën e rendit dhe sigurisë publike”.


Ndërsa duke folur rreth institutit për Hulumtim dhe Zhvillimit, Smakiqi theksoi rëndësinë që ka ky institut për Akademinë, Agjencitë e Sigurisë Publike, Qeverinë e Kosovës, partnerët ndërkombëtarë si dhe  për të gjithë ekspertët e fushave të sigurisë jo vetën në Kosovë po edhe më gjere. Smakiqi tha se Akademia për një kohë të gjatë ofron dhe mban trajnime të vazhdueshme profesionale për zbatuesit e ligjit të punësuar në Institucionet e Sigurisë Publike, duke zhvilluar trajnime në fushën e sigurisë publike të nivelit: bazik, të avancuar, të specializuar, si dhe të lidershipit dhe menaxhmentit.


Në hapjen e seminarit foli edhe ambasadorja e Finlandës në Kosovë, Anne Huhtamaki e cila e cilësoj si shumë të rëndësishëm projektin e dytë të binjakëzimit dhe krijimin e institutit për hulumtim dhe zhvillim.  “Policia e Kosovës është shumë e suksesshme ka bërë një rrugë të gjatë dhe tani ajo është e trajnuar dhe e pajisur shumë mirë, populli i Kosovës i beson, është shumë e rëndësishme dhe sukses i mirë, kjo është që ne dëshirojmë për  vazhduar në ngritët kapacitet të institucioneve të sigurisë publike”, u shpreh Huhtamaki. Ambasadorja Huhtamaki tha se bashkëpunimi mes Kosovës dhe Finlandës gjithmonë ka qenë i mirë në shkëmbimin e përvojave dhe ngritjen e  eksperiencave. Huhtamaki vlerësoi se krijimi i një  instituti për zhvillim dhe hulumtim është shumë i rëndësishëm për institucionet e sigurisë publike në Kosovë.


Seminarin e përshëndeti edhe Mensur Hoti Drejtor i Departamentit të Sigurisë Publike të MPB, i cili falënderoi Bashkimin Evropian për përkrahjen e vazhdueshme të MPB-së dhe Agjencive të saja si dhe partnerët e përhershëm ICITAP dhe OSBE. Hoti tha se Ministria e Punëve të Brendshme është e lumtur me progresin e arritur në Akademi gjatë implementimit të Projekteve të Bashkimit Evropian dhe do të vazhdoi të përkrah Akademinë dhe Agjencitë e Sigurisë Publike në synimin e përbashkët të Sigurisë Publike në vendin tonë.


Ndërkaq Rafael Nievergelt përfaqësues nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, është shprehur i kënaqur për pjesëmarrjen në hapjen e seminarit të projektit të dytë të binjakëzimit. 

Nievergelt tha se arsimimi në sigurinë publike është fuqi kruciale dhe në institucionet tjera që kanë të bëjnë më zbatimin e ligjit, për arsye se kanë të bëjnë drejtpërdrejtë në forcimin e ligjit dhe sigurisë.  “Institut i hulumtimit dhe zhvillimit ndihmon në ngritjen e eksperiencave  të gjithë pjesëtarëve të agjencive të sigurisë publike”, tha Nievergelt duke falënderuar partnerët për rezultatet e arritura.


Seminarin e ka përshëndetur edhe prorektori për Mësimdhënie, Çështje të Studentëve dhe Kërkime Shkencore nga Universiteti i Mitrovicës Izet Zeqiri  dhe Universiteti i Prizrenit Malush Mjaku.

  

Seminari do të zgjatë tri ditë radhazi nga data 15, 16 dhe 17 nëntor, ku do të bëhen prezantime nga ekspertet e projektit të binjakëzimit.


Lexo më shumë
Logo

Na ndiqni në rrjetet sociale!

Lokacioni:

Rr: "Gjergj Kastrioti Skënderbeu", Nr.60, 42000 Vushtrri, Republika e Kosovës