}

NewsArticle

16/03/2016

Në Akademi u mbajt seminari i Projektit të Binjakëzimit

Vushtrri, 16 mars 2016 -Në Akademinë e Kosovës për siguri Publike sot u mbajt seminari i fillimit të Projektit të Binjakëzimit “ Përkrahja e mëtejme e  arsimit të sigurisë publike”.  Ky projekt është i financuar nga Bashkimi Evropian si pjesë e programit të Instrumentit për Ndihmë Para –Anëtarësimit (IPA), projekt i cili do të  implementohet nga Finlanda dhe Estonia.

Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë z. Ismail Smakiqi  duke ju falënderuar te pranishmëve për përkrahje, theksoi se ky projekt vjen si rezultat i projektit të parë të binjakëzimit “Përmirësimi i Arsimit në Sektorët e Sigurisë dhe Rendit Publik” , i cili ka mundësuar akreditimin e programit studimor Bachelor të sigurisë publike për periudhën 3 vjeçare, si dhe hapjen e Fakultetit të Sigurisë Publike i cili ofron arsim të lartë për zyrtarët  e agjencive.

Ai tha se projekti i dytë i binjakëzimit, të cilin sot po e promovojmë “Përkrahja e mëtejme e arsimit në siguri publike në Kosovë” është  projekt i Bashkimit Evropian, IPA 2014-2020, projekt i cili do të implementohet nga shtetet anëtare Finlanda dhe Estonia gjegjësisht: Kolegji Universitar i Policisë- Finlandë, Akademia e Estonisë e Shkencave të Sigurisë, Agjencia e Sanksioneve Penale-Finlandë  dhe Universiteti i Shkencave të Aplikuara  Kolegji për Arsim të Mësimdhënësve.

“Siguria publike, gjegjësisht lufta kundër krimit dhe të gjitha dukurive  negative të shoqërisë, mund të arrihet vetëm me zbatues të ligjit të trajnuar mirë dhe me arsim të lartë sipas standardeve të njohura ndërkombëtare” tha Smakiqi.

Ndërsa ministri i Punëve të Brendshme z. Skender Hyseni potencoi se sot po lansojmë një seminar tjetër të projektit të binjakëzimit në këtë tempull të nxënies së mësimeve akademike në fushën e sigurisë. Ministri Hyseni citoi se:

“E konsideroj të rëndësisë së veçantë çdo gjë që zhvillohet brenda këtij projekti të binjakëzimit,  sepse e shoh si mundësi tjetër shumë të rëndësishme që standardet që aplikohen në fushën e dijeve në rrafshin e sigurisë në Kosovë,  të barazohen tërësisht me standardet që aplikohen në vendet e Bashkimit Evropian. Është jetike që Kosova të filloj të ndërtoj strukturat e veta edukativo-arsimore në pajtim të plot me standardet evropiane”, tha Hyseni .

Nërsa  Christof Stock shef i Seksionit të Bashkëpunimit  të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë tha se implementimi i këtij projekti  është mjaftë me rëndësi për Akademinë konkretisht  për zyrtarët e sigurisë publike.

Arsimimi në të gjitha fushat, dhe veçanërisht arsimimi në fushën e zbatimit të ligjit është prioritet për ne dhe ne do të vazhdojmë këtë përkrahje, pasi që edhe investimi në projektin e kaluar të binjakëzimit për këtë arsimim të specializuar ka qenë investim shumë i mirë.

Përveç arsimit të lartë, ai tha se do të vazhdohet përkrahja në mësimin gjatë tërë jetës në arsimin profesional në sigurinë publike. Përmes projektit të ri, arsimi i sigurisë publike në Kosovë do të jetë edhe më efektiv dhe efikas. Jam i impresionuar, shtoi Stock, me  përkushtimin e plotë të stafit të Akademisë. Njerëzve që punojnë në këtë institucion ju pëlqen puna të cilën e bëjnë dhe janë plotësisht të angazhuar për të realizuar misionin e Akademisë.

Ambasadorja e Finlandës në Kosovës Anne Huhtamaki  tha se është kënaqësi që gjendet sot në Akademi në këtë seminar të Projektit të Binjakëzimit të financuar nga Bashkimi Evropian, dhe  Finlanda si shtet përfitues i këtij projekti do të jep mbështetje të mëtutjeshme në realizimin e suksesshëm të këtij projekti.

“Ne presim që nga ky projekt  të arrihen rezultate të larta dhe të suksesshme në fushën e sigurisë dhe edukimit të lartë. Finlanda edhe më tutje përmes ekspertëve do të vazhdoj ti mbështesë projektet e tilla në fushën e sigurisë dhe edukimit të lart për zbatuesit e ligjit”, tha Huhtamaki.

Në hapje të seminarit ishin ministri i Punëve të Brendshme Skender Hyseni, Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë Ismail Smakiqi, Dekani i Fakultetit të Sigurisë Publike Nazmi Iballi, Christof Stock nga Zyra e Bashkimit Evropian, Ambasadorja e Finlandës Anne Huhtamaki,  udhëheqësja e projektit të binjakëzimit  Krista Haak, përfaqësues nga agjencionet e sigurisë si dhe ekspertët e projektit të binjakëzimit.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

U mbajt takimi i Bordit të Akademisë
U mbajt takimi i Bordit të Akademisë

Vushtrri, 14 mars 2016- Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike u mbajte takimi i katërmbëdhjetë i Bordit të Akademisë, ku u diskutuan  çështje që kanë të bëjnë me trajnimet, projektin e binjakëzimit dhe funksionimin e Akademisë.

Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë Ismail Smakiqi gjatë këtij takimi prezantoi raportin një vjeçar të punës për vitin 2015. Në theks të veçantë ai foli për të arriturat e Akademisë, projektin e ri të binjakëzimit  IPA II, të financuar nga Bashkimi Evropian e që ka të bëjë me përmirësimin e arsimit në fushën e sigurisë, bashkëpunimin ndërkombëtarë si dhe zhvillimin e trajnimeve nga agjencionet e sigurisë.

Gjatë  këtij takimi drejtori i Zyrës Ligjore të Akademisë, Shpend Shabani  bëri prezantimin e draft-planit të punës së Akademisë për vitin 2016.

Po ashtu para Bordit të Akademisë eksperti afatshkurtër i projektit të binjakëzimit, Lauri Tabur bëri një prezantim rreth qëllimit të projektit në fjalë.

Në mbledhjen e Bordit  pikë e rendit të ditës ishte edhe zgjedhja e kryesuesit të ri për vitin 2016, i cili u zgjodh me shumicë votash Lulzim Rafuna i cili njëherit është edhe Drejtor i Doganës së Kosovës.

Në këtë takim morën pjesë:  Kryeprokurori i Shtetit Aleksander Lumezi, Drejtorët e agjencioneve të sigurisë publike, Drejtori i Departamentit për Rend dhe Siguri Publike në OSBE Karl Ake Roghe si dhe Ritva Vahakoski këshilltare rezidente e projektit të binjakëzimit.
 

Lexo më shumë
Diplomoi gjenerata e 53-të e kadetëve të Policisë së Kosovës
Diplomoi gjenerata e 53-të e kadetëve të Policisë së Kosovës

Vushtrri, 25 mars 20016 - Në Akademinë e Kosovës për  Siguri Publike (AKSP), pas një trajnimi gjashtë mujor sot diplomoi gjenerata e 53-të  e kadetëve të Policisë së Kosovës.

Në ceremoninë e diplomimit morën pjesë ministri i Punëve të Brendshme (MPB),Skender Hyseni, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend  Maxhuni, drejtori i Përgjithshëm i Akademisë, Ismail Smakiqi, komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK),Rrahman Rama, ambasadori i OSBE-së në Kosovë, Jean-Claude Schlumberger, drejtori i Përgjithshëm i Inspektoratit Policor  të Kosovës, Fitim Shishani, drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Lulëzim Rafuna, drejtuesit e agjencioneve të Sigurisë Publike dhe përfaqësues të  institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

Ministri i Punëve të Brendshme (MPB), Skender Hyseni, gjatë ceremonisë së diplomimit të gjeneratës së 53-të, të kadetëve tha se Policia e Kosovës  është një forcë demokratike, shumë funksionale dhe më e mira në rajon.
 
Ministri Hyseni,  duke i  inkurajuar kadetët e sapo diplomuar, tha se Policia e Kosovës është një organizatë, është një forcë policore profesionale e ndërtuar në pajtim me standarde më të larta ndërkombëtare. Ai tha se Qeveria e Kosovës nuk do të kursej asgjë që Policia e Kosovës të jetë edhe më e përsosur, që të jetë e gatshme të përballet me të gjitha sfidat që  i sjellë koha.

Hyseni ka falënderuar të gjitha organizatat ndërkombëtarë që kanë dhënë përkrahje të pakursyer  në formimin e policisë, kanë dhënë përkrahje për një polici çfarë ka sot Kosova.
 
“Mirësevini në organizatën tuaj të cilën jam i sigurt që do ta pasuroni, ajo sot do të bëhet për 280 kadetë me e pasur”, u shpreh  ministri Hyseni në ceremoninë e diplomimit të gjeneratës së 53-të të Policisë së Kosovës.  Ai tha se Policia e Kosovës është institucion, është palcë kurrizore e shtetit.

Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike (AKSP) Ismail Smakiqi, tha se  shërbimi  në Policinë e Kosovës  është vendim shumë i rëndësishëm  që t’ i shërbeni  familjeve  dhe të gjithë   qytetarëve të Republikës  së Kosovës në përgjithësi.

Ai tha se Akademia tani më është qendër e fortë e të gjitha llojeve të trajnimit me bashkëkohore për të gjitha Agjensionet e Sigurisë Publike.

Smakiqi tha se qytetarët me padurim presin inkuadrimin e juaj në Policinë e Kosovës  “radha është e juaja, të dëshmoni shkathtësitë dhe diturit që i keni arritur në Akademi, dëshmojeni  veten, se jeni gjenerata që vendin tuaj e doni të jetë  vend demokratik dhe me respektim të plotë të drejtave të njeriut”.

Drejtori Smakiqi tha se Akademia gjithmonë është e gatshme dhe me padurim pret gjeneratën e re të Policisë së Kosovës, sepse siç tha ai kadetët janë ata që i japin hijeshi Akademisë.

“Meritoni pritjen e qytetarëve dhe ruajeni përjetësisht të drejtën që qytetarin ta shikoni në sy. Bëjeni krenar  Akademinë dhe familjet tuaja”, kështu u shpreh Smakiqi para kadetëve të sapo diplomuar.
 
Ndërkaq drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës (PK), Shpend Maxhuni, në ceremoninë e diplomimit tha se kadetët e sapo diplomuar do të shërbejnë në organizatën me të respektuar në vend, siç është Policia e Kosovës.
“Policia e Kosovës  ka nevojë për ju, jeni të përgatitur  dhe të motivuar për ti shërbyer komunitetit me profesionalizëm, etik, nderë dhe krenari”, u shpreh Maxhuni duke thënë se trajnimet e policisë bëhen më standarde më të larta evropiane.
 
Më këtë rast Maxhuni ka kërkuar nga  kadetët që punën e tyre ta kryej me përgjegjësi, profesionalizëm, korrektësi, efikasitet, objektivitet dhe ndershmëri.

“Vizioni ynë është zbatimi i ligjit  është  në interesin e të gjithëve, është rruga e drejtë, prandaj ndiqeni këtë rrugë që të realizoni këtë vizion”, tha Maxhuni për të shtuar se sundimi i rendit dhe ligjit sot është një parakusht esencial në të gjitha aspektet e shoqërisë. 


 

Lexo më shumë
Logo

Na ndiqni në rrjetet sociale!

Lokacioni:

Rr: "Gjergj Kastrioti Skënderbeu", Nr.60, 42000 Vushtrri, Republika e Kosovës