Lajmet

Lajmet

Bordi i AKSP-së mbajti takimin e gjashtë të radhës

Vushtrri, 10 mars 2014 – Bordi i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike (AKSP), mbajti sot takimin e parë për vitin 2014. Në takim morën pjesë kryesuesi i bordit Ismet Kabashi, drejtori i Përgjithshëm i Akademisë, Ismail Smakiqi, zëvendësdrejtori i Policisë, Naim Rexha, si dhe anëtarët tjerë të bordit Fitim Shishani, Fadil Kodra, Shemsi Hajrizi, Metie Ademi si dhe bashkëpunëtor ndërkombëtarë nga OSBE-ja dhe ICITAP-i.
Gjatë këtij takimi u shqyrtua raporti vjetor i punës së AKSP-së dhe raporti i punës së bordit për vitin 2013, po ashtu u diskutua edhe për planin e punës së bordit për vitin 2014. Gjithashtu u bë miratimi i standardeve profesionale për zyrtarët e institucioneve të sigurisë publike si dhe u zgjedh kryesuesi i ri i bordit.
Bordin e AKSP-së të cilin deri me tani e ka udhëhequr Ismet Kabashi, tash e tutje kryesues është zgjedhur Shpend Maxhuni i cili është edhe Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës.
Në hapjen e takimi Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë, Ismail Smakiqi ka falënderuar të gjithë anëtaret e bordit për kontributin e dhënë në zhvillimet në akademi.
Ndërkaq të pranishmit e vlerësuan lartë puna e bërë deri më tani në Akademi.
 

Drejtori i përgjithshëm i Akademisë priti në takim zv/ambasadorin e Gjermanisë Matthias Kiesler

Vushtrri, 04 mars 2014 - Akademinë e Kosovës për Siguri Publike sot e vizitoi zëvendësambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Matthias Kiesler.
Ambasadori u prit nga Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë Ismail Smakiqi dhe menagjmenti i lartë i Akademisë.
Gjatë këtij takimi Smakiqi e informoi zëvendësambasadorin gjerman lidhur me të arriturat e deritashme dhe zhvillimet e fundit në Akademi. Ai gjithashtu foli edhe për projektin e binjakëzimit të financuar nga Komisioni Evropian e që ka të bëjë me përmirësimin e arsimit në Akademi si dhe hapjen e Fakultetit të Sigurisë.
Smakiqi falënderoi shtetin Gjerman për ndihmën e vazhdueshme që kanë dhënë dhe po vazhdojnë të japin në ndërtimin e institucioneve të sigurisë publike e në veçanti për Akademinë.
Ndërsa zëvendësambasadori Matthias Kiesler, u shpreh i impresionuar me zhvillimet në Akademi. Ai tha se gjatë vizitës ka vërejtur se Akademia ka shënuar mjaftë të arritura. “Nuk duhet të ndalet më kaq, duhet të shikohet se cili do të jetë kontributi i Gjermanisë në këtë drejtim”, tha  Kiesler.

Në fund të takimi ai shprehu  gatishmërinë që ky bashkëpunim të vazhdoj edhe në të ardhmen në ngritjen sa më profesionale të pjesëtarëve të sigurisë publike.
 

Smakiqi priti në takim një delegacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Vushtrri, 29 janar 2014 - Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, Ismail Smakiqi priti në takim një delegacion nga Shtetet e Bashkuara te Amerikës, i udhëhequr nga Ross Loder, shef i zyrës së programit të shërbimeve pranë Departamentit të Iowa-s për Siguri Publike.
Smakiqi gjatë këtij takimi delegacionin e informoi për prioritetet, strukturën organizative dhe për projekte të rëndësishme në Akademi. Gjithashtu ai foli edhe për projektin e binjakëzimit, projekt i Komisionit Evropian që ka të bëjë me përmirësimin e arsimit në sektorin e rendit dhe sigurisë publike në vend.
Smakiqi vlerësoi  lartë ndihmën e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës  ka dhënë për Republikën e Kosovës e në veçanti për Akademinë duke theksuar se ky bashkëpunim do të zgjerohet edhe më tej në ngritjen sa më profesionale të pjesëtarëve të sigurisë publike.
Përfaqësuesi i Policisë së Kosovës në AKSP, nënkolonel Driton Zabergja, falënderoi SHBA-të për kontributin të cilin e kanë dhënë dhe po vazhdojnë të japin në trajnimin e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
Ndërsa Ross Loder, shef i zyrës të programit të shërbimeve pranë Departamentit të Iowa-s për Siguri Publike, shprehu gatishmërinë e thëllimit të bashkëpunimit edhe në të ardhmen në avancimin e funksioneve të Akademisë.
Në fund të takimi ata vizituan objektet përcjellëse të Akademisë si dhe njërën nga klasat ku zhvillohej mësimi.
 

Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike gjatë vitit 2013 janë trajnuar 4229 pjesëtarë të sigurisë publike

Vushtrri, 17 janar 2014 - Gjatë vitit 2013 në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike  (AKSP) kanë përfunduar trajnime 4229 pjesëtarë të sigurisë publike. Akademia e cila është institucioni më i lartë  për trajnime, brenda vitit që e lamë pas ka arritur ti realizoj mbi 275 trajnime për të gjitha agjensionet e sigurisë.
 Policia e Kosovës (PK) ka realizuar 201 trajnime ku kanë marrë pjesë 2889 pjesëmarrës, Agjensioni i Menaxhimit të Emergjencave (AME) 1 trajnim me 26 pjesëmarrës, Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) 3 trajnime me 169 pjesëmarrës, Dogana e Kosovës (DK) 10 trajnime me 107 pjesëmarrës. Po ashtu në Akademi janë mbajtur trajnime të organizuar edhe nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE) dhe ICITAP, ku 28 trajnime janë organizuar nga OSBE me 461 pjesëmarrës, kurse ICITAP ka organizuar 2 trajnime me 44 pjesëmarrës.
AKSP gjatë gjithë kohës ka ofruar trajnime të larta profesional me standarde ndërkombëtare. Po ashtu në Akademi brenda vitit kanë diplomuar dy gjenerata, gjenerata e 45 e Policisë së Kosovës me 148 pjesëmarrës si dhe gjenerata e 39 e Shërbimit Korrektues të Kosovës me 129 pjesëmarrës.

Përveç pjesëmarrësve nga Kosova, në Akademi janë trajnuar edhe pjesëtarë të sigurisë publike nga shtetet e rajonit si nga Kroacia, Bosnja, Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi. Në AKSP janë zhvilluar edhe shumë aktivitete tjera siç janë, seminare të ndryshme, debate, gara sportive etj. Akademia është bërë vendqëndrim primar i trajnimit për një fushë të gjerë të sigurisë publike dhe një degë e zbatimit të trajnimit. 
 

Në AKSP u mbajt takimi i shtatë i Komitetit Drejtues për Projektin e Binjakëzimit

Vushtrri, 17 nentor 2013 – Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike u mbajt takimi i shtatë i Komiteti Drejtues i Projektit të Binjakëzimit, gjatë së cilit u bënë vlerësimi  i ecurisë së këtij projekti për tre mujorin e fundit. Gjatë këtij takimi u prezantua puna e deritashme e bërë nga ekspertet ndërkombëtarë si dhe bashkëpunëtoret vendor në realizimin dhe implementimin e këtij projekti.
Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë, Ismail Smakiqi falënderoi të gjithë bashkëpunëtorët për kontributin e dhënë në realizimin e këtij projekti. Smakiqi tha se projekti është në fazën përfundimtare të implementimit. “Akademia do të jetë e përkushtuar që në partneritet të plotë me të gjitha institucionet vendore me Komisionin Evropian si dhe me të gjithë akteret tjerë që ky projekt të përfundoj me sukses”, tha Smakiqi.
Ndërsa këshilltari rezident i projektit të binjakëzimit Risto Honkonen tha se Akademia e Kosovës për Siguri Publike, është duke punuar në realizimin e një projekti mjaft të rëndësishëm. Ai tha se Akademia tashmë plotëson të gjitha kushtet që sistemi i arsimit të bëhet në nivel Bachellor.
“Kalimi prej një qendre të mbajtjes së kurseve në një institucion i cili është në gjendje të jetësoj arsimin e lartë dhe hulumtimin për një kohë të shkurtër, do të ishte një e arritur e jashtëzakonshme për cilin do vend”, tha Risto Honkonen.
Po ashtu nga të pranishmit u vlerësuar lartë puna e bërë deri më tani. Projekti i cili ka për qëllim përmirësimin e trajnimit bazik si dhe krijimin e programit të ri të studimeve të arsimit të lartë në nivel Bachellor, është drejt një finalizimit të suksesshëm, thanë të pranishmit.

U mbajt takimi i pestë i Bordit të Akademisë

Vushtrri, 09 dhjetor 2013 – Bordi i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike sot mbajti takimin e pestë të radhës në të cilin morën pjesë kryeprokurori i shtetit i cili njëherit  është edhe kryesues Ismet Kabashi, Ismail Smakiqi drejtor i Përgjithshëm i AKSP-së,  menaxheri i programit të ICITAP-it  Cameron Fisher si dhe drejtorët e agjencioneve të sigurisë publike.
Gjatë këtij takimi u diskutua për raportin e grupit punues për rishikimin e standardëve minimale profesionale dhe programeve të trajnimeve bazike të institucioneve të sigurisë publike në AKSP, shqyrtimin e draft planit të trajnimeve të Akademisë për vitin 2014 si dhe krijimi i sistemit të trajnimeve të përbashkëta të standardizuara për institucionet e sigurisë publike.
Gjatë këtij takimi Smakiqi bëri edhe prezantimin e projektit të Strategjisë Zhvillimore për Akademinë e Kosovës për Siguri Publike i cili theksoi se përmes kësaj strategjie do të hapet rruga drejt një Akademie moderne dhe të zhvilluar për të trajnuar dhe arsimuar zyrtarët e institucioneve të sigurisë publike.
Të pranishmit vlerësuan lartë krijimin e sistemit të trajnimeve të përbashkëta të standardizuara për institucionet e sigurisë publike sepse trajnimet e tilla sipas tyre do të mundësonin shkëmbimin e përvojave si dhe profesionalizimin mes tyre në fushat përkatëse.
Gjithashtu ata inkurajuan Akademinë për punën e bërë deri më tani dhe shprehen gatishmërinë për mbështetje te vazhdueshme në arritjen e objektivave.


 

Smakiqi priti një delegacion nga Bashkimi Evropian

Vushtrri, 05  dhjetor  2013 – Një delegacion i Bashkimit Evropian, i përbërë nga 50 persona i kryesuar nga Stock Churtof vizitoj Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) ku u priten nga Drejtori i Përgjithshëm Ismail Smakiqi.
Duke falënderuar Bashkimin Evropian që përmes projekteve të ndryshme po ndihmon Kosovën, drejtori Smakiqi ka folur për projektin e binjakëzimit i cili është i financuar nga Komisioni Evropian në Kosovë.
Smakiqi e informoi delegacionin se projekti në fjalë ka të bëjë më përmirësimin e arsimit në sektorin e rendit dhe sigurisë publike.
Pos tjerash drejtori Smakiqi e informoi delegacion edhe për trajnimet, aktivitete, misionin e Akademisë. Ai  foli  edhe për procese të rëndësishme të cilat ka kaluar AKSP-ja nga themelimi e deri më tani.

Ndërkaq të pranishmit shprehën interesimin e tyre për trajnimet e specializuara,  të avancuara si dhe për çështjet të ndryshme që kanë të bëjnë me fushën e sigurisë

Në fund të takimit Smakiqi falënderoi delegacionin dhe të gjithë partneret ndërkombëtar për ndihmën e vazhdueshme që kanë dhënë dhe po vazhdojnë të japin në ndërtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës  e në veçanti për Akademinë.
Delegacioni përmban zyrtarë nga Sektori i Bashkëpunimit dhe i Financave në Zyrën e BE-së në Kosovë.
 

Zyrtarët për Informim nga policia e vendeve të rajonit vizituan Akademinë

Vushtrri 05 dhjetor 2013 – Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) sot e vizitoj një delegacion i zyrtarëve për informim nga Zyrat e Mediav të policisë së vendeve të rajoni nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe ata të policisë së Kosovës. Delegacioni u takuan më Drejtorin e Përgjithshëm të Akademisë, Ismail Smakiqi dhe me përfaqësuesit e agjensioneve të sigurisë publike në AKSP.
Qëllimi i kësaj vizite ishte informimi më për së afërmi me misionin, aktivitetet që zhvillohen në Akademi.
Smakiqi gjatë takimit e informoi delegacionin me punët dhe proceset e rëndësishme të cilat po kalon Akademia. Në veçanti ai foli për Projektin e Binjakëzimit, projekt mjaft i rëndësishëm për Akademinë, i cili ka për synim ngritjen dhe përmirësimin e cilësisë së arsimimit për të gjithë pjesëtarët e sigurisë publike në vend.
Ai para të pranishmëve  foli edhe për prioritet dhe objektivat e Akademisë në të ardhmen. Ndërsa duke folur rreth punës së informimit Smakiqi tha se zyrtarët për informim ka një rol shumë të rëndësishëm për institucionin ku për mes tyre para opinionit publik në mënyrë transparente pasqyrohet e gjithë puna e institucionit. Ndryshe ky delegacion i përbërë prej zyrtarëve për informim janë duke marrë pjesë në  konferencë rajonale i cila ka të bëjë me informimin publik dhe sektori i sigurisë.
Konferenca është e organizuar nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) konkretisht nga Departamenti për Siguri dhe Rend Publik.
 

Diplomoi gjenerata e 39 e Shërbimit Korrektues të Kosovës

Vushtrri, 20 nëntor 2013 – Në  një ceremoni të organizuar nga Akademia e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) dhe nga Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) sot u certifikuan 129 oficerë korrektues të gjeneratës së 39-të të Shërbimit Korrektues të Kosovës, të cilët pritët të fillojnë angazhimin e tyre pas funksionalizimit të Burgut të Sigurisë së Lartë.
Në ceremoninë e diplomimit morën pjesë Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi  i cili njëherit është edhe zëvendëskryeministër, Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë, Ismail Smakiqi, Shefi i Sektorit të Fuqizimit në EULEX, Peter Bach, ud i Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Korrektues Shemsi Hajrizi si dhe përfaqësues tjerë të institucioneve vendore dhe ndërkombëtarë. 
Ministri i drejtësisë Hajredin Kuci në fjalimin e tij gjatë ceremonisë tha se me diplomimin e këtyre kadetëve po bëhet përmbyllja e një aktiviteti të shtuar të arkitekturës së drejtësisë në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë dhe vënia e standardeve të nivelit ndërkombëtar.
“Jam i nderuar që para meje gjenden gardian dhe gardiane që janë të gatshëm të kontribuojnë për sigurinë, rendin dhe drejtësinë në vendin tonë. Në cilësinë e Ministrit të Drejtësisë, më lejoni të ju kërkoj që nga sot të ndiheni si pjesë e sigurisë, rendit dhe drejtësisë së Kosovës dhe si pjesë e prosperitetit të zhvillimit të vendit tonë. Me vjen mirë që në mesin tuaj ka edhe pjesëtarë të komunitetit serbë, i urojë atyre për integrimin, bashkëpunimin, të cilët do të jenë gardian të barabartë të Republikës së Kosovës”, u shpreh Kuçi. Ai tha se pjesëmarrja e komuniteti serbë në Shërbimin Korrektues të Kosovës tregon se Kosova ofron punë, barazi dhe drejtësi për të gjithë. Ministri Kuçi tha se detyrë e oficerëve të ri korrektues është kujdesi në zbatimin e vendimeve të gjyqësorit, në ekzekutimin e sanksioneve penale, në mënyrë që personat e dënuar të kenë dënimin në përputhje me proporcionin e veprës që e kanë bërë. 
Po ashtu Kuçi tha se është obligim i oficerëve korrektues që ata njerëz t’i trajtojnë me të gjitha të drejtat njerëzore, si dhe t’i përgatisin në mënyrë që të kthehen në shoqëri si qytetarë të barabartë dhe të risocializuar. Ministri Kuçi kërkoi nga oficeret korrektues që punën e tyre ta kryejnë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, ndërsa ju premtoi që do të kenë mbrojtje maksimale, ligjore nga Ministria e Drejtësisë.
Ceremoninë e certifikimit të oficerëve korrektues e përshëndeti edhe Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, Ismail Smakiqi.
Smakiqi tha se në Akademi janë përgatitur më shumë se 12 mijë zbatues të ligjit, prej të cilëve më shumë se një mijë zyrtar korrektues. Ai tha se ky është një kontribut i jashtëzakonshëm i instruktorëve, trajnerëve, ekspertëve të lëmive të ndryshme, vendor dhe ndërkombëtar.
“Vendimi i juaj të shërbeni në burgjet e Kosovës, është vendim ti shërbeni sigurisë së qytetarëve të vendit tuaj”, ka thënë Smakiqi para të pranishmëve.
Smakqi po ashtu ka përmendur se ngritja e cilësia së trajnimeve dhe arsimimi i lartë është puna e përditshme e Akademisë dhe partnerëve tanë, siç janë  ICITAP-it, OSBE-ja dhe Komisionit Evropian përmes projektit të binjakëzimit  i cili ka të bëjë me përmirësimin e arsimit në sektorin e sigurisë dhe rendit publik.

Kurse shefi i Sektorit të Fuqizimit në EULEX, Peter Bach duke e vlerësuar këtë ngjarje si një e arritur e veçantë për Shërbimin Korrektues të Kosovës, tha se EULEX do të vazhdojë mbështetjen e Shërbimit Korrektues edhe më tutje. “ Mua më është thënë se ju të gjithë keni shfaqur dedikim, zotim dhe profesionalizëm gjatë fazës suaj të trajnimit. Megjithatë të jeni të sigurt se ju të gjithë jeni në fillim të karrierës tuaj dhe e cila nganjëherë mund të jetë tejet sfiduese në aspektin fizik dhe atë mendor dhe e cila bien me një përgjegjësi shumë të madhe e që më së shumti ka të bëjë me shoqërinë apo publikun për të cilët ju shërbeni dhe se kontributi juaj do të jetë qenësor për ndërtimin e sundimit të ligjit në Kosovë”, ka thënë Bach.
Ushtruesi i detyrës së Drejtorit të SHKK-së, Shemsi Hajrizi tha se për Shërbimin Korrektues të Kosovës, diplomimi i kësaj gjenerate të oficerëve korrektues për Burgun e Sigurisë së Lartë është një e arritur e veçantë ngase po realizohen objektivat sipas Planit Zhvillimor Strategjik për Ministrinë e Drejtësisë 2012-2016.

 

Akademia e Kosovës për Siguri Publike nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me Agjencionet e Sigurisë Publike

Vushtrri 07 nënëtor 2013 - Bordi i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike mbajti takimin e katërt me radhë në të cilin morën pjesë kryeprokurori i Shtetit Ismet Kabashi i cili njëherit është edhe kryesues i Bordit, Ismail Smakiqi Drejtor i Përgjithshëm i AKSP-së, Shpend Maxhuni Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shemsi Hajrizi  ushtrues detyre i Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovë, Valdete Krasniqi Drejtoresh e departamentit të financave i Doganave të Kosovës,  Metije Ademi Drejtoresh e Përgjithshme e Shërbimit Sprovues, Fadil Kodra Kryeshef Ekzekutiv i Agjencionit për Menaxhimin e Emergjencave si dhe Fitim Shishani Kryeshef Ekzekutiv i Inspektoratit Policor të Kosovës.
Drejtori i Akademisë Ismail Smakiqi gjatë këtij takimi i njoftoi anëtarët e bordit lidhur me proceset e rëndësishme të cilat po kalon Akademia si me aplikimin në Agjencinë e Akreditimit si dhe rrjedhat me konkursin për pranimin e personelit mësimdhënës në Akademi.
 Smakiqi theksoi se më nënshkrimin e kësaj marrëveshje bashkëpunimi me Agjencit e Sigurisë Publike, janë përcaktuar raportet e bashkëpunimit reciprok në mes të Akademisë dhe Agjencive.
Me këtë marrëveshje janë përcaktuar dy fusha të bashkëpunimit, “angazhimi i personelit në ligjërimin e lëndëve profesionale  në Akademi dhe në avancimin e planeve dhe programeve arsimore si dhe krijimi i rrjetit të mentorëve të periudhës praktike në vend pune (Intership-it)”, tha Smakiqi.
 Gjithashtu bordi në këtë takim mori vendim për përcaktimin e kuotave për Institucionet e Sigurisë Publike në studimet themelore bachelor për vitin akademik 2014-2015 në Fakultetin e Sigurisë Publike në Akademi”.
 

Akademia e Kosovës për Siguri Publike nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Prishtinës

Vushtrri, 29 tetor 2013 - Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë Ismail Smakiqi sot priti në vizitë zyrtare rektorin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” Ibrahim Gashi, ku edhe me këtë rast nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi.
Qëllimi i kësaj marrëveshje është përcaktimi i bashkëpunimit në mes Akademisë dhe Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë Ismail Smakiqi falënderoi rektorin Gashi për gatishmërinë për bashkëpunim duke theksuar se nënshkrimi i kësaj marrëveshje me Universitetin e Prishtinës është i një rëndësie të veçantë sepse siç tha ai do të ndihmoi në funksionalizimin e arsimit të lartë në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, sidomos në angazhimin e personelit akademik të Universiteti të Prishtinës në ligjërimin e lëndëve të njëjta me lëndët e njësive akademike të UP-së si dhe sipas nevojës  në përzgjedhjen e personelit akademik të AKSP-së.
Ndërsa rektori i Universitetit të Prishtinës Ibrahim Gashi theksoi se me kënaqësi ka pranuar bashkëpunimin  me Akademinë në ngritjen e nivelit të arsimimit të lartë për agjencionet e sigurisë publike duke pas parasysh të arriturat e këtij institucioni dhe vizionin e sajë për të ardhmen.
“Hapja e Fakultetit të sigurisë në Akademi është mjaftë më rëndësi edhe për vet shtetin e Republikës së Kosovës sepse siguria është komponentë kyçe e një shteti demokratikë”, tha rektori Gashi.
 

Akademia e Kosovës për Siguri Publike dhe Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” nënshkruajnë Marrëveshje Bashkëpunimi

Vushtrri, 29 tetor 2013 – Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Ibrahim Gashi  sot në ora 11:00 viziton Akademinë e Kosovës për Siguri Publike ku do të takohet me Drejtorin e Përgjithshëm Ismail Smakiqi. Me këtë rast të dy institucionet do të nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi.
Qëllimi i kësaj marrëveshje është përcaktimi i bashkëpunimit në mes Akademisë së Kosovës për Siguri Publike dhe Universitetit të Prishtinës. UP do të ndihmoi funksionalizimin e arsimit të lartë në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, sidomos në angazhimin e personelit akademik të Universiteti të Prishtinës, në ligjërimin e lëndëve të njëjta me lëndët e njësive akademike të UP-së, po ashtu sipas nevojës  në përzgjedhjen e personelit akademik të AKSP-së.

Ftohen mediat që të marrin pjesë