Akademisë iu dhurua donacion mbi 400 libra pune për mësimin e gjuhës shqipe dhe serbe

19.02.2021

Vushtrri, 19 shkurt 2020 –   Mbi 400 kopje  libra të punës  “Programi i Mbështetjes për Akademinë e Kosovës për Siguri Publike”  për mësimin e gjuhës shqipe  dhe serbe ju dhuruan Akademisë sot donacion, nga  Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë në bashkëpunim me  Misionin e   Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) si dhe Zyrës së Komisionerit për Gjuhë në Kosovë. 

Në ceremoninë e donacionit të librave të punës dhe kursit online për mësimin e gjuhës shqipe dhe serbe morën pjesë Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike Arton Berisha, Zëvendës ambasadori i Ambasadës së Britanisë në Kosovë Jacob Webber,  Komisioneri për Gjuhë Slaviša Mladenović, Drejtori i Drejtorisë për Trajnime Themelore të Policisë së Kosovës Agron Rukiqi si dhe zyrtarë tjerë të lartë nga Ambasada, IOM, Zyra e Komisionerit për Gjuhë, Akademia etj.


Qëllimi i  këtij donacion është që të ndihmojë zyrtarët e sigurisë publike  të mësojnë gjuhën shqipe dhe gjuhën serbe  në mënyrë që ta kenë sa më të lehtë komunikimin.

Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike Arton Berisha e falënderoj Ambasadën e  Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Misionin e IOM-it në Kosovë dhe Zyrën e Komisionerit për Gjuhë pranë zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës për donacionin e dhënë.  Drejtori Berisha  tha se ky donacion është shumë i rëndësishëm për Akademinë dhe për zyrtarët e sigurisë publike në Kosovë.


“Librat e punës dhe kursi online për pjesëtarët shqipe folës të Policisë së Kosovës të cilët nuk e  flasin gjuhën serbe si dhe për ata serbisht folës që nuk e flasin gjuhën shqipe do të jetë një ndihmë dhe kontribut i madh në aspektin e përmirësimit të komunikimit ndëretnik në Kosovë”, u shpreh Berisha duke thënë se mësimi i gjuhës shqipe dhe asaj serbe i ndihmon zyrtarët e sigurisë publike në kryerjen e detyrës së tyre në mënyrë sa më efikase.

“Kjo njëkohësisht do të kontribuojë edhe në zvogëlimin e të gjitha llojeve të krimit më të cilat ballafaqohen çdo ditë zyrtarët e Policisë së Kosovës, pasi që aftësitë për komunikim në nivelin e nevojshëm janë çelës për një angazhim sa më efikas dhe efektiv të policisë në kryerjen e detyrave dhe përgjegjësive të saj”, tha Berisha.


Ai tha se Akademia e Kosovës për Siguri Publike është e përkushtuar vazhdimisht në ngritjen e nivelit dhe rritjen e cilësisë edhe në trajnimet profesionale, por edhe në arsimin e lartë, jo vetëm për zyrtarët e Policisë së Kosovës, por edhe për të gjitha të tjerët nga fusha e zbatimit të ligjit, siç janë doganierët, korrektuesit, sprovuesit, inspektorët policorë dhe ata të menaxhimit emergjent.
“Akademia  do të angazhohet për ngritjen e nivelit të aftësive komunikuese të zbatuesve të ligjit nga të gjitha grupet etnik në Kosovë pa dallim”, tha Berisha.

Berisha tha se donacioni i librave të punës dhe kursit online është shumë i nevojshëm në këto kohë pandemie, i rëndësishëm dhe i domosdoshëm në epokën kur komunikimi është çelësi i suksesit.

Zëvendës Ambasadori i Mbretërisë së bashkuar në Kosovë Jacob Webber  tha se që nga viti 2017 Ambasada dhe IMO kanë shfrytëzuar trajnimet në platformën online për mësimin e gjuhës shqipe dhe gjuhës serbe. Ai vlerësoj se numri i atyre për të mësuar gjuhën shqipe dhe gjuhën serbe është në rritje.
Duke folur rreth projektit që ka për qëllimi mësimin e dy gjuhëve në fjalë, gjuhës shqipe dhe asaj serbe ambasadori Webber tha se mosnjohja e gjuhëve ndermjet komuniteteve ndikon në cilësinë e punës dhe zhvillimit të jetës.  Më këtë rast ambasadori Webber shprehi gatishmërinë që ta përkrah Akademinë dhe institucionet tjera publike në avancimin dhe njohjen e gjuhëve të njëri tjetrit.  

Ndërsa Komisioner për Gjuhë  në Qeverinë e Kosovës Slaviša  Mladenović vlerësoj në mënyrë pozitive bashkëpunim me Akademinë.

“Dorëzimi i këtyre librave për përmirësimin e gjuhës për kadetët e Akademisë së Sigurisë  nuk do më thënë që diçka i mungon institucioneve ose Akademisë. Në fakt kjo shihet si diçka pozitive që Akademia dhe institucionet sigurisë publike janë gati më qenë edhe ma mirë në zbatimin e mandatit të tyre”, tha Mladenović.

Mladenović tha se programi në fjalë u mundëson komunikim më të mirë anëtareve të institucioneve të sigurisë publike më qytetarët e komuniteteve tjera. “Kjo do të mundësoi funksionimin e plotë të dy gjuhësisë në institucionet e Kosovës. Ky është një imazh pozitive për institucionet dhe për Akademinë”, tha Mladenović