Në ambientet e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike u mbajt ekspozita e organizuar nga Shoqata Down Syndrome Kosova
Vushtrri, 24 shkurt – Në kuadër të aktiviteteve promovuese dhe ndërgjegjësuese për përfshirjen dhe barazinë e personave me Sindromën Down, në ambientet e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike u organizua një ekspozitë promovuese nga Shoqata Down Syndrome Kosova – Dega në Mitrovicë.
Ekspozita prezantoi kartolina të realizuara me përkushtim nga persona me Sindromën Down, të cilat reflektuan talentin, kreativitetin dhe ndjeshmërinë e tyre artistike. Përmes harmonisë së ngjyrave, motiveve dhe simboleve të përdorura, punimet dëshmuan qartë aftësitë dhe potencialin e tyre krijues, si dhe mesazhet pozitive që ata përcjellin në shoqëri.
Përveç dimensionit artistik dhe promovues, aktiviteti kishte për qëllim ngritjen e ndërgjegjësimit institucional dhe shoqëror mbi rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme për personat me Sindromën Down, duke theksuar domosdoshmërinë e krijimit të mundësive të barabarta dhe të përfshirjes së plotë të tyre në të gjitha sferat e jetës shoqërore.
Akademia e Kosovës për Siguri Publike, si institucion publik, vlerëson dhe mbështet në mënyrë të vazhdueshme iniciativat e tilla që promovojnë të drejtat, vlerat dhe aftësitë e personave nga komunitetet e ndryshme në Kosovë, duke i konsideruar ata pjesë të barabartë dhe të çmuar të shoqërisë.