Në Akademi u mbajt tryezë shkencore kundër dhunës ndaj grave

07.12.2023

Vushtrri, 07 dhjetor 2023 -   Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) sot u mbajt tryezë shkencore me titull “Çështjet me bazë gjinore dhe adresimi i problemeve me bazë gjinore”, temë kjo e trajtuar në kohën kur në Kosovë po shënohet  “16 ditët e aktivizimit kundër dhunës me bazë gjinore”. 

Qëllimi  ishte për të diskutuar rreth rritjes së vetëdijesimit  për të drejtat e grave dhe parandalimin e dhunës ndaj tyre. 

 

Gjatë mbajtjes së kësaj tryezë pjesëmarrësit përmes prezantimeve të tyre rekomanduan fuqizimin e veprimeve nga institucionet  për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave. 

 

Zëvendësuesi i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike,  Kastriot Jashari tha se trajtimi i temave për barazinë gjinore janë shumë të nevojshme dhe të rëndësishme. 

 

Drejtori Jashari,  vlerësoj se  institucionet e vendit në vazhdimësi po bëjnë përpjekje maksimale për avancimin dhe integrimin e  pozitës së femrës.

 

“Konsideroj që gjithmonë ka vend për avancim, aq më shumë duke pasur parasysh faktin që Kosova para 23 vitesh ka dalë nga lufta,  ndërsa krahasuar me vendet e rajonit besoj që qëndrojmë  më mirë, jo vetëm në gatishmërinë Institucionale, por edhe në vetëdijen kolektive e shoqërore në avancimin e pozitës së femrës në Kosovë”, u shpreh Jashari.

 

Jashari tha se shkeljet e të drejtave të gruas duhet të trajtohen shpejtë dhe më kujdes të veçantë.

 

Shefja e kabinetit në ministrinë e Punëve të Brendshme, Jeta Tela, vlerësoj se  diskutimet rreth trajtimit dhe adresimit të problemeve në baza gjinore  është i nevojshëm dhe i domosdoshëm. 

 

“Shumë  gra e vajza pa dallim moshe, etnie,  se a janë të punësuara apo amvise,  se ku jetojnë në fshat apo qytet, përjetojnë dhunë sistematike mbi baza gjinore si fizike ashtu edhe psikologjike”, u shpreh Tela, duke thënë se adresimi i dhunës në baza gjinore kërkon  një mobilizim institucional e serioz në trajtimin e saj. 

 

Të pranishmit që ishin pjesë e kësaj tryezë bënë disa prezantimit lidhur më dhunën dhe adresimin e saj në baza gjinore. 

 

Zijavere Kiqmezi nga  Dogana e Kosovës në punimin e saj foli rreth barazisë  gjinore, diversiteti dhe përfshirja e grave në Institucionet e Sigurisë Publike.   

 

Kiqmezi  përmendi sfidat më të cilat përballen gratë dhe vajzat  në avancimin e tyre  në pozita drejtuese. Po ashtu foli edhe për seksizmin në vendet e punës dhe diskriminimin e tyre. Ndërsa Nebih Halili nga Shërbimi Korrektues i Kosovës u paraqit me temën “Barazia gjinore: koncepti dhe të drejtat” . 

 

Mediana Bislimi nga organizata  “Qendra për bashkëpunim dhe rrjetëzim të organizatave” në prezantimin e saj  trajtoi temën  “Roli i shoqërisë civile në vetëdijesimin rreth çështjeve gjinore në Kosovë”. 

 

Po ashtu gjatë diskutimeve  me prezantim shkencor u paraqit edhe dekani i Fakultetit  të Sigurisë Publike  Ferid Azemi  me temën  “Adresimi i dhunës ndërpartner”.

 

Kurse Vilard Bytyci profesor në Fakultetin e Sigurisë Publike  foli rreth ndikimit të Konventës së Stambollit në legjislacionin e Kosovës, sfidat praktike të zbatimit. Konventë kjo e cila kundërshton dhunën ndaj grave dhe dhunën në familje

Në fund të pranishmit dhanë koment dhe rekomandime se si të adresohet dhuna në baza gjinore dhe të eliminohet kjo dukuri. 

 

Të pranishëm në këtë konferencë ishin përfaqësues nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) Shpresa Mulliqi dhe Shpresa Muharremi, përfaqësues nga EULEX-i, nga KFOR-i, përfaqësues nga ICITAP-i në Kosovë dhe përfaqësues nga institucionet e sigurisë publike në vend.