Filloi trajnimi “Shkolla e Stafit Policor dhe Komandës”

10.09.2012

Vushtrri 10 shtator 2012 – Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), sot filloi trajnimi dhjetë javor “Shkolla e Stafit Policor dhe Komandës”, ku do të marrin pjesë 42 udhëheqës të lartë të policisë nga të gjitha vendet e rajonit. Në ceremoninë e hapjes së këtij trajnimi morën pjesë, Ministri i Punëve të Brendshme (MPB) Bajram Rexhepi, Drejtori i Përgjithshëm i AKSP-së Ismail Smakiqi, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Shpend Maxhuni, Drejtor i Inspektoratit Policor të Kosovës Fitim Shishani, Menaxheri i Programit për ICITAP në Kosovë Darrel Hart  si dhe përfaqësues të Universitetit “Northwestern”. Këtë trajnim përveç përfaqësuesve të lartë të Policisë së Kosovës, do ta ndjekin edhe përfaqësues të lartë nga policia e Shqipërisë, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia,  Maqedonia dhe Mali i Zi. Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi tha se trajnimi i përbashkët i oficerëve policorë nga vendet e rajonit do të mundësojë  thellimin e bashkëpunimit me qëllim të sigurimit të një ambienti të qetë dhe të sigurt. “Ky model i trajnimeve duhet të jetë edhe model i bashkëpunimit mes vendeve të rajonit”, tha Rexhepi. Ministri Rexhepi e falënderoi ICITAP-in dhe qeverinë amerikane për përkrahjen e vazhdueshme që po i bënë Kosovës në gjitha fushat. Organizimin e këtij trajnimi e vlerësoi lartë edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni. Ai tha se ndjekja e këtij kursi, do t’u ndihmojë pjesëtarëve të sigurisë publike që të fitojnë njohuri edhe më shumë në fushën e tyre.
“Ky trajnim u jep mundësi që ta realizoni sa më mirë rolin e udhëheqësit”, tha Maxhuni.
Ndërkaq Drejtori i Përgjithshëm, Ismail Smakiqi, tha se mbajtja për herë të tretë e këtij trajnimi është një privilegj i madh për Akademinë.
“Dimensioni regjional i “Shkollës Ndërkombëtare” e bënë të pakrahasueshëm këtë kurs dhjetë javor, aq më parë kur mbahet nga Universiteti Northwestern, lider i Universiteteve të Sigurisë Publike në botë”, u shpreh Smakiqi.
Smakiqi tha se mbajtja e këtij trajnimi e bënë Akademinë edhe më të besueshme për vendet e regjionit dhe partnerët e saj, “hap perspektiv të partneritetit me të gjitha institucionet akademike të ngjashme në regjion dhe më gjerë”.
Drejtori Smakiqi ka vlerësuar se “Shkolla Ndërkombëtare e Stafit Policor dhe Komandës” është rast unik për oficerët policor të regjionit përmes së cilës ngritin nivelin profesional dhe përfitojnë njohuri të shkëlqyera nga fusha e sigurisë publike.
“Shkëmbimi i përvoja të ndërsjella individuale do të ndikojnë në sigurinë e vendeve të regjionit”, tha Smakiqi.
Ky trajnim është organizuar nga ICITAP-i, ndërsa ligjërues do të jenë nga Universiteti Northwestern