Akademia e Kosovës për Siguri Publike pranon Certifikatën e Akreditimit Ndërkombëtar nga IADLEST

24.05.2018


Boston, 24 maj 2018 - Në qytetin Boston, Massachusetts të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nga 19 deri 24 maj 2018 po mbahet Konferenca Vjetore e Asociacionit Ndërkombëtar të Drejtorëve të Standardeve dhe Trajnimit të Zbatimit të Ligjit (International Association of Directors of Law Enforcement Standardsand Training - IADLEST). Në këtë Konferencë po marrin pjesë udhëheqësit e lartë nga Akademia e Kosovës për Siguri Publike, Drejtori i Përgjithshëm Ismail Smakiqi; nga Policia e Kosovës, Drejtoresha e Departamentit të Burimeve Njerëzore Kolonele Taibe Canolli - Brajshori dhe Drejtori i Divizionit të Trajnimeve Kolonel Milorad Corac; si dhe ICITAP-i Programi për Kosovë, Këshilltarja e Lartë e ICITAP-it në Ministrinë e Punëve të Brendshme - Programi i Menaxhimit të Lartë dhe Menaxhimit Ekzekutiv Drita Perezic dhe Zyrtarja e ICITAP-it në Kosovë Remzije Ibrahimi.


IADLEST u ofron anëtarëve të saj mundësinë për t'u takuar me menaxherët tjerë të trajnimit dhe standardeve për të shkëmbyer ide, për të kërkuar këshilla dhe për të krahasuar progresin. Anëtarët marrin produktet e projekteve IADLEST, kontributin e politikës kombëtare dhe inovacionet në standardet e drejtësisë penale dhe trajnim. Të gjithë pjesëmarrësit në konferencën vjetore janë anëtarë të IADLEST.


Në konferencën vjetore në Boston po marrin pjesë drejtorët e standardeve të akademive policore nga 40 shtete të Shteteve të Bashkuara të Amerikës si dhe drejtorët e akademive policore dhe sigurisë publike nga 18 vende të botës, në mesin e të cilëve drejtorët e akademive policore dhe të sigurisë publike nga Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Bosna dhe Hercegovina, Maqedonia e të tjera.


Siç është njoftuar opinioni, nga muaji korrik të vitit 2017, Akademia e Kosovës për Siguri Publike ka filluar procesin e akreditimin nga IADLEST dhe përfundimisht më 15 maj 2018, Akademia ka pranuar njoftimin nga IADLEST për akreditimin ndërkombëtar të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike për një periudhe trevjeçare, deri më 14 maj 2021 (kliko: http://www.aksp-ks.net/?page=2,4,598; http://aksp-ks.net/?page=1,4,603;)


Gjatë mbajtjes të konferencës vjetore në Boston, në takimin e Bordit Ekzekutiv të IADLEST dhe në takimin e Akademive Ndërkombëtare pjesëmarrëse në konferencën e IADLEST, Presidenti i IADLEST, Dan Zivkovich, i dorëzoi Drejtorit të Përgjithshëm të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike Ismail Smakiqi certifikatën e akreditimit, pllakatin e akreditimit si dhe shkresën zyrtare origjinale të njoftimit për akreditim nga IADLEST.


Në këto dy seanca plenare, në pjesën ceremoniale të konferencës, Presidenti Zivkovich njoftoi të pranishmit me procesin e akreditimit ndërkombëtar të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike dhe që është akreditimi i parë i një Akademie ndërkombëtare anëtare të IADLEST-it. Zotëri Zivkovich me rastin e dorëzimit të certifikatës së akreditimit, pllakatit të akreditimit dhe shkresës zyrtare të njoftimit për akreditim nga IADLEST, lexoi tekstet e këtyre dokumenteve në të cilat thuhet:


Pllakati i Akreditimit: 

Me këtë njihet se Akademia e Kosovës për Siguri Publike ka demonstruar standardin më të lartë të profesionalizmit dhe prandaj është i njohur si Akademi e Akredituar e Zbatimit të Ligjit nga IADLEST

15 maj 2018


Certifikata e Akreditimit:

Akademi e Akredituar e Zbatimit të Ligjit

Kjo është për të pranuar se Akademia e Kosovës për Siguri Publike është një Akademi e Akredituar e Zbatimit të Ligjit dhe ka përfunduar me sukses të gjitha kërkesat dhe për këtë certifikim përmes Asociacionit Ndërkombëtar të Drejtorëve të Standardeve dhe Trajnimit të Zbatimit të Ligjit (IADLEST), asociacion ndërkombëtar i standardeve dhe trajnimit të zyrtarëve të paqes dhe drejtorëve të akademive të trajnimit në zbatimin e ligjit. 


E vlefshme deri më 14 maj 2021

Michael N. Becar, Drejtor Ekzekutiv i IADLEST                                Daniel R. Zivkovich, President i IADLEST

Në fjalën e rastit drejtori Smakiqi falënderoi Asociacionin Ndërkombëtar të Drejtorëve të Standardeve dhe Trajnimit të Zbatimit të Ligjit - IADLEST për akreditimin ndërkombëtar të Akademisë dhe shprehu kënaqësinë që pikërisht Akademia e Kosovës për Siguri Publike është Akademia e parë që fiton akreditim ndërkombëtar nga IADLEST.


Gjatë fjalës së tij, Drejtori Smakiqi tha se është kënaqësi dhe krenari për Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, për Policinë e Kosovës dhe agjencitë tjera të sigurisë publike si dhe për vetë shtetin e ri të Kosovës të dëgjojë nga Ju se: “Akademia e Kosovës për Siguri Publike ka plotësuar me sukses kërkesat për t’iu dhënë nderi i të qenit akademi e akredituar e zbatimit të ligjit nga Asociacioni Ndërkombëtar i Drejtorëve të Standardeve dhe Trajnimit të Zbatimit të Ligjit (IADLEST). 

Në veçanti jemi të gëzuar dhe krenarë që “Akademia juaj po i bashkohet një grupi elitar të përkushtuar për shkëlqesi në dhënien e trajnimit në drejtësinë penale gjithandej botës. Politikat, procedurat, proceset, hapësirat dhe personeli i Akademisë tuaj japin shembullin më të mirë në profesionin tonë. Ky akreditim u jep të drejtë juve që të shpalosni logon e akademisë së akredituar nga IADLEST dhe deklaratën në materialet tuaja dhe në hapësirat tuaja”.


Më tutje Drejtori Smakiqi foli për vështirësitë dhe sfidat nëpër të cilat ka kaluar Akademia dhe Policia e Kosovës deri në fazën e sotme të njohjes së meritave të Akademisë dhe Policisë së Kosovës, e cila njihet si institucioni më i besueshëm jo vetëm në vend, por edhe në regjion. Duke lavdëruar punën e Policisë së Kosovës, Drejtori Smakiqi shprehu kënaqësinë për njoftimit të cilin e ka pranuar gjatë punimeve të Konferencës në IADLEST Kolonelja Taibe Canolli Brajshori, e cila ka pranuar Çmimin e parë nga Asociacioni i Grave Police të Botës.


Drejtori Smakiqi për sukseset e Akademisë falënderoi Programi n e ICITAP për Kosovën, i cili në të gjitha fazat e zhvillimit të Akademisë ishte partneri kryesor dhe jo vetëm, ishte përkrahësi, donatori dhe këshilluesi kryesor i Akademisë.


Është një numër shumë i madh i emrave amerikanë nga ICITAP të cilët kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në Akademi dhe sot dëshiroj të falënderoj veçanërisht Zonjën Drita Perezic nga ICITAP, për kontributin tepër të çmueshëm për Akademinë si dhe iniciativën në Konferencën e shkuar në Nashville, Tennessee dhe të Zëvendësdrejtorit të IADLEST David Harvey për mundësinë e akreditimit ndërkombëtar të Akademisë i cili sot, pas një viti pune dhe përkushtimi të palodhshëm të personelit të Akademisë dhe ICITAP-it, u bë realitet.


Në takimin e Akademive Ndërkombëtare pjesëmarrëse në Konferencën e IADLEST, drejtuesit e Akademive u interesuan për procesin e akreditimit të AKSP-së, me ç rast drejtori Smakiqi dhe Zonja Perezic iu përgjigjën interesimeve të shumta.


Në një seancë të veçantë të lidershipit të grave police në Konferencën IADLEST, në cilësinë e laureates të çmimit të parë nga Asociacioni Ndërkombëtar i Grave Police u ftua për fjalë rasti Kolonelja Taibe Canolli Brajshori, e cila falënderoi të pranishmit për përgëzimet për çmimin e fituar dhe foli për sfidat nëpër të cilat ka kaluar Policia e Kosovës, e sidomos gratë police.

Edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka përgëzuar Akademinë e Kosovës për Siguri Publike për këtë akreditim kaq të rëndësishëm. 


Sot konferenca vazhdon punimet në ditën e tretë të saj.