Akademia e Kosovës për Siguri Publike akreditohet nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve, kurse gjatë javës së ardhshme pritet të akreditohet nga Asociacioni Ndërkombëtar i Drejtorëve të Standardeve dhe Trajnimit të Zbatimit të Ligjit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës

27.04.2018

Vushtrri, 27 prill 2018- Pas një procesi më shumë se dy vjeçar, Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve, më datën 26 prill 2018 ka akredituar Akademinë e Kosovës për Siguri Publike dhe ka validuar Programet Profesionale:
Polic i Ri, Inspektor i IPK, Zyrtar Doganor, Zyrtar Korrektues dhe Zyrtar Sporovues. Kualifikimin Zjarrfikes vendimi do të merret në muajin gusht 2018.

Procesi i krijimit të këtyre programeve profesionale është realizuar nga Akademia e Kosovës për Siguri Publike, Agjencitë e Sigurisë Publike gjatë zhvillimit të Projektit të Binjakëzimit, të përkrahur nga ekspertë nga Finlanda dhe Estonia.

Akademia e Kosovës për Siguri Publike gjatë javës së ardhshme do të vlerësohet nga ekipi i ekspertëve vlerësues nga Asociacioni Ndërkombëtar i Drejtorëve të Standardeve dhe Trajnimit të Zbatimit të Ligjit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me qëllim të akreditimit ndërkombëtar të Akademisë.

Kjo është hera e parë që ky asociacion bënë një vlerësim dhe akreditim ndërkombëtar jashtë SHBA-ve. Akademia e Kosovës për Siguri Publike e ka rastin të jetë institucioni i parë në regjion dhe më gjerë me status të Institucionit me Akreditim Ndërkombëtarë.

Drejtori i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike z.Ismail Smakiqi, gjatë këtyre dy ditëve, me rastin e akreditimit të Akademisë nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve dhe procesit të akreditimit nga Asociacioni Ndërkombëtar i Drejtorëve të Standardeve dhe Trajnimit të Zbatimit të Ligjit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka zhvilluar takime njoftuese me personelin e Akademisë, studentët, pjesëmarrësit në trajnime, profesorët e Fakultetit të Sigurisë Publike, instruktorët dhe mësimdhënësit e Agjencive të Sigurisë Publike si dhe Partner ndërkombëtar ICITAP, OSBE dhe Projekt i Binjakëzimit.