Një delegacion i Akademisë vizitoi CEPOL-in

12.07.2017
Vushtrri, 28 qershor 2017 - Një delegacion nga Akademia e Kosovës për Siguri Publike, i udhëhequr nga Avni Istrefi, Udhëheqës i Divizionit për Marrëdhënie me Jashtë dhe Pikë Kombëtare Kontakti e Kosovës për CEPOL, dhe i përbërë edhe nga Skender Agaj, Menaxher për Kosovë i e-Net të CEPOL, më 26 dhe 27 qershor 2017 zhvilluan një vizitë në selinë qendrore të Agjencisë së Bashkimit Evropian për Trajnim në Zbatimin e Ligjit (CEPOL) në Budapest të Hungarisë.

Ata u takuan me Zëvendës Drejtorin e CEPOL, Detlef Schröder, si dhe me shumë zyrtarë të tjerë të kësaj Agjencie.

Pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Punës ndërmjet CEPOL dhe Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, është parë shumë e rëndësishme që të zhvillohet një vizitë e tillë, në mënyrë që zyrtarët e AKSP-së që merren drejtpërdrejt me CEPOL të kenë njohuri nga dora e parë lidhur me aspekte të ndryshme ku zyrtarët e zbatimit të ligjit të Kosovës mund të përfitojnë nga CEPOL, si p.sh. programi i shkëmbimit, përdorimi i rrjetit elektronik (e-Net), mundësia e intensifikimit të hulumtimit shkencor, dhe tema të tjera të interesit dypalësh. Të dyja palët u shprehën të gatshme për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet AKSP dhe CEPOL, me qëllim të përfitimit sa më të madh të zyrtarëve të zbatimit të ligjit në Kosovë.
 
Vizita u zhvillua përmes Projektit IPA 2013 të Ballkanit Perëndimor “Lufta kundër krimit të organizuar: bashkëpunimi ndërkombëtar në drejtësinë penale”, ku delegacioni u shoqërua nga Eksperti Italian Rezident në Shqipëri dhe Kosovë i këtij Projekti, Nënkolonel Giuseppe Colasanto, si dhe zyrtarja e këtij Projekti në Kosovë, Alketa Spahiu.

Gjatë qëndrimit në Budapest, delegacioni pati rastin që të vizitojë edhe zyrtarë të lartë të Qendrës Ndërkombëtare të Trajnimit (ITC), Akademisë Ndërkombëtare të Zbatimit të Ligjit (ILEA), Kolegjit Ndërkombëtar të Hetimeve Financiare (ICOFI) dhe të Akademisë Policore të Evropës Qendrore (CEPA), me të cilët u diskutua për mundësitë e mëtutjeshme të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës, përkatësisht AKSP-së dhe këtyre institucioneve.

Për më tepër, delegacioni nga AKSP pati rastin që të vizitojë edhe Ambasadën e Republikës së Kosovës në Budapest të Hungarisë, me ç’rast zhvilloi një bisedë shumë miqësore me Ambasadoren Luljeta Vuniqi dhe diplomatë të tjerë të kësaj Ambasade.