Drejtori Smakiqi merr pjesë në konferencën rajonale në Mal të Zi

22.12.2016

Podgoricë, 22 dhjetor 2016- Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike (AKSP), Ismail Smakiqi ka udhëtuar zyrtarisht për në Mal të Zi ku po merr pjesë në konferencën regjionale “Përmirësimi i sistemit të pranimit, avancimit, arsimimit dhe trajnimit të zyrtarëve policorë në Malin e Zi”, e cila po mbahet në Podgoricë. Në konferencë  pjesëmarrës janë dhe krerët e institucioneve të arsimit në fushën e policisë nga Sllovenia, Kroacia, Bosnjë dhe Hercegovina, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia. 


Në hapjen e konferencës të pranishmëve iu drejtuan përfaqësuesit e institucioneve të Malit të Zi dhe përfaqësues ndërkombëtare atje. Para të pranishmëve folën sekretari i Ministrisë së Arsimit të Malit të Zi Omer Mehmedoviã, drejtoresha e përgjithshme e Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Integrime Evropiane në Ministrinë e Punëve të Brendshme Tanja Ostojiã, përfaqësuesi i misionit të OSBE-së në Mal të Zi Vladimir Ragozin, ndihmës drejtori i Drejtorisë së Policisë të Malit të Zi Nikola Janjuðeviã dhe drejtori i Akademisë Policore të Malit të Zi Rajko Pekoviã. Ata folën rreth përpjekjeve që janë duke u bërë për reformimin e arsimit policor në Malin e Zi dhe për rëndësinë e pjesëmarrësve nga regjioni për një reformim sa më të suksesshëm. 


Në fjalimin e tij, para të pranishmeve Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, Ismail Smakiqi foli për sistemin e arsimit në Kosovë, në përgjithësi në sigurinë publike dhe në veçanti për polici. Ai po ashtu foli edhe për proceset në të cilat ka kaluar Akademia, duke cekur në veçanti themelimin e Fakultetit të Sigurisë Publike, krahas angazhimit të vazhdueshëm në trajnimet profesionale për të gjitha institucionet e sigurisë publike të Kosovës.

Gjithashtu drejtori Smakiqi foli edhe për përpjekjet e përbashkëta të Akademisë, palëve të interesit dhe partnerëve ndërkombëtarë së pari në përgatitjen, pastaj aprovimin dhe në fund zbatimin e Strategjisë Zhvillimore dhe Planit të Veprimit 2014 - 2018 të AKSP-së. 


Si rezultat i miratimit të Strategjisë Zhvillimore dhe Planit të Veprimit të Drejtorisë së Policisë së Malit të Zi për periudhën 2016 - 2020, gjatë këtij viti janë mbajtur pesë tryeza të rrumbullakëta, me qëllim avancimin e arsimimit të zyrtarëve policorë të Malit të Zi. Prandaj, kjo konferencë vie si përmbyllje e këtyre pesë tryezave të rrumbullakëta të organizuara nga IP SHLP Akademia Policore e Malit të Zi dhe të përkrahura nga Misioni i OSBE-së në Malin e Zi. 


Përndryshe, Akademia e Kosovës për Siguri Publike, në vazhdimësi të fuqizimit të bashkëpunimit regjional, më 2 mars 2016 ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Institucionin Publik Shkolla e Lartë Profesionale Akademia Policore në Danilovgrad të Malit Zi. Bazuar në marrëveshjen e lartpërmendur, AKSP, e përkrahur edhe nga zyrtarë të Policisë së Kosovës (PK), ka marrë pjesë në katër nga ato pesë tryeza të rrumbullakëta, të cilat kishin për qëllim përmirësimin e korrikulave të arsimit policor në Akademinë Policore të Malit të Zi nga fusha e autorizimeve policore dhe vetëmbrojtjes, kriminalistika, armët e zjarrit dhe kontrollit kufitar e të huajve si dhe siguria në komunikacion.