AKTIVITETET NDËRKOMBËTARE

AKTIVITETET NDËRKOMBËTARE

 


Organizuar nga ICITAP dhe me mësimdhënie nga Universiteti Northwestern nga Shtetet e Bashkuara, për të gjashtën herë në AKSP është mbajtur Shkolla Vjetore e Stafit dhe Komandës Policore, që i dedikohet zyrtarëve të nivelit të lartë menaxhues të institucioneve të zbatimit të ligjit.

 

Në katër sesionet e para të saj, përveç vendorëve, pjesëmarrësit vinin edhe nga Shqipëria, Bosnjë dhe Hercegovina, Kroacia, Mali i Zi dhe Maqedonia Veriore.

 

Përderisa në dy sesionet e fundit të këtij trajnimi kanë qenë të pranishëm zyrtarë të sigurisë publike vetëm nga Kosova.

 

AKSP është aktive edhe në bashkëpunimin regjional. Ajo ka bashkëpunim dypalësh dhe shumëpalësh me shumë institucione të ngjashme të Evropës Jug-Lindore.

 

Nga 22 - 25 shtator 2013, në Prishtinë ëshë bashkë-organizuar nga AKSP-ja e Policia e Kosovës dhe përkrahur nga Misioni në Kosovë i OSBE-së Konferenca e Tretë e Trajnimit Policor e Vendeve të Ballkanit (BALPEK III) me pjesëmarrës nga Shqipëria, Hungaria, Kosova, Maqedonia Veriore, Mali i Zi dhe Turqia.

 

Po ashtu, gjatë vitit 2016, zyrtarë nga AKSP kanë marrë pjesë në 4 nga 5 tryeza të rrumbullakëta të organizuara nga Akademia Policore e Malit të Zi në Danilovgrad dhe përkrahur nga Misioni i OSBE-së në Malin e Zi.

 

Si ngjarje përmbyllëse e këtyre tryezave të rrumbullakëta ka qenë Konferenca regjionale “Avancimi i sistemit të pranimit, gradimit, arsimimit dhe trajnimit të zyrtarëve policorë të Malit të Zi”, mbajtur në Podgoricë të Malit të Zi më 21 dhe 22 dhjetor 2016, në të cilën morën pjesë krerët e institucioneve përkatëse nga Sllovenia, Kroacia, Bosnjë dhe Hercegovina, Serbia, Maqedonia Veriore, Mali i Zi dhe Kosova. 

 

Për më tepër, përmes programit Erasmus+, AKSP ka arritur që deri më tani të realizojë shkëmbimin e gjithsej 71 pjesëtarëve të studentëve, stafit akademik dhe stafit administrativ në Estoni, Gjermani e Poloni dhe nga Estonia e Gjermania.

 

Kështu, janë shkëmbyer 21 studentë të Fakultetit të Sigurisë Publike të AKSP-së (4 me Akademinë e Estonisë të Shkencave të Sigurisë dhe 17 me Universitetin e Shkencave të Aplikuara të Policisë së Brandenburgut të Gjermanisë), 8 pjesëtarë të stafit akademik të këtij Fakulteti (me Akademinë e Estonisë të Shkencave të Sigurisë, me Shkollën Kryesore të  Shërbimit të Zjarrfikjes të Polonisë dhe me Universitetin e Shkencave të Aplikuara të Policisë së Brandenburgut të Gjermanisë), 11 pjesëtarë të stafit administrativ të AKSP-së (po ashtu me Akademinë e Estonisë të Shkencave të Sigurisë, me Shkollën Kryesore të  Shërbimit të Zjarrfikjes të Polonisë dhe me Universitetin e Shkencave të Aplikuara të Policisë së Brandenburgut të Gjermanisë) dhe 26 zyrtarë të Policisë së Kosovës (me Universitetin e Shkencave të Aplikuara të Policisë së Brandenburgut të Gjermanisë).

 

Në anën tjetër, përmes programit të lartcekur, në AKSP kanë qëndruar gjithsej 5 persona, prej të cilëve 4 të punësuar të Akademisë së Estonisë të Shkencave të Sigurisë, prej të cilëve 3 pjesëtarë të stafit administrativ dhe 1 pjesëtar i stafit akademik, si dhe 1 pjesëtar tjetër i stafit akademik nga Universiteti i Shkencave të Aplikuara të Policisë së Brandenburgut të Gjermanisë.

 

Për shkak të së kaluarës së AKSP-së si institucion trajnues dhe arsimues për institucionet e sigurisë publike të një vendi të pasluftës, në mënyrë që të ndajë përvojat dhe praktikat më të mira të saj, është treguar interes i shoqërive të pas konflikteve për bashkëpunim me të.

 

Prandaj, AKSP është vizituar nga delegacione të ndryshme nga Libia, Iraku dhe Afganistani.

 

AKSP ka bashkëpunim të mirë edhe me organizatat dhe institucionet ndërkombëtare në Kosovë, siç janë: Misioni në Kosovë i OSBE-së, ICITAP, Zyra e BE-së në Kosovë, Këshilli i Evropës, KFOR, EULEX, UNICEF, si dhe me ambasadat të shteteve të ndryshme në Kosovë si në vijim: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca, Belgjika, Austria, Finlanda, Hungaria, Turqia, Shqipëria etj.

 

Po ashtu, AKSP ka bashkëpunim edhe me Qendrën e Gjenevës për Kontrollin Demokratik të Forcave të Armatosura (DCAF).